Kryeministri Edi Rama mblodhi menjëherë grupin parlamentar të PS-së dhe kryeashkiakët për të diskutuar në lidhje me angazhimin e strukturave socialiste për t’iu gjendur më pranë njerëzve në zonat ku kanë rënë tërmetet.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se duhet të shpërndahen deputetët në zonën e Tiranës, Vorës dhe Durrësit për të parë në terren të gjitha zonat e dëmtuara dhe të marrim shënim çdo konstatim dhe të raportojmë. “Unë mendoj se kemi nevojë të bëjmë një ndarje të ngarkesës, nga inventari aktual rezulton se janë 569 banesa, ku përfshihen edhe 53 pallate e ndërtime mes Tiranës dhe Durrësit. Na duhen 569 kontakte të drejtpërdrejta deputetët e Tiranës e kanë detyrën e tyre, bashkinë”, theksoi Rama në mbledhjen e grupit të PS-së.

Kështu kryeministri ka kërkuar që deputetët e kryebashkiakët e veriut të jenë të angazhuar së bashku me deputetët e qarkut të Tiranës. Zona e tyre monitorimit të do të jenë në Tiranë dhe në Vorë. Ndërsa të gjithë deputetët e kryebashkiakët e tjerë duhet të jenë në zonën e Durrësit. Vetë kryeministri deklaroi se do të zhvendosej atje dhe se me strukturat drejtuese duhet të zhvillohej një mbledhje. Kryeministri gjatë fjalës së tij theksoi se identifikimi i dëmeve duhet bërë me kujdes. “Të identifikohen dëmet dhe të mos mbetet pa u asistuar asnjë që është dëmtuar, por të mos kemi flukse spekulantësh siç ndodh gjithmonë në këto raste dhe konfuzion mes kontrolleve të ndryshme. Të gjithë të jenë të koordinuar, me emra dhe me mbiemra, tamam si në një hartë beteje. Ju duhet të keni deri sot pasdite çdo pikë të identifikuar si pikë e dëmtuar, të mbuluar me emra. Për këtë arsye kërkohet solidariteti me prefektët e tjerë që kanë asetin më të rëndësishëm në këtë moment, eksperiencën dhe trajnimin e nevojshëm për të kontaktuar. Harta e dëmeve kërkon përditësim të vazhdueshëm. Dikush dje e ka pasur mendjen të marrë në telefon dhe të raportojë dëmet dikush jo. Sot mund të vijë një fluks tjetër. Nga ky fluks ndo kemi njerëz që kanë pësuar dëme dhe spekulantë dhe kjo gjë kërkon që të shkohet e të bëhet identifikimi në terren”, deklaroi kryeministri.

Ky afat duhet të jetë deri në pasdite për konstatimin e dëmeve. Shefi i qeverisë kërkoi gjithashtu që të hapet stadiumi i Durrësit, edhe pse qeveria ka hapur dy Kovalishencat e Pushimeve në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme, por që atje nuk është akomoduar nga njerëzit, edhe pse ka 700 shtretër.
Gjithashtu kryeministri u shpreh se çdo bashki do të përfshihet në një kontribut sado modest për fondin e solidaritetit. “Ministria e Financave ka përgatitur disa skenar, edhe nga skenari më i shtrenjtë, po të thuash. Fondi të solidaritetit, domosdoshmëria për të pasur një vëmendje të veçantë me ato familje që kanë fëmijë të vegjël, sepse aty është edhe problemi kryesor. Paniku ka qenë më i madh se sa dëmet. Pas kësaj mbledhje duhet të shkojmë në Durrës dhe sigurisht pjesë që nuk është e instaluar në Tiranë apo në Vorë, këtu që janë deputetët. Është shumë e nevojshme për të pasur një kontakt me njerëzit drejtpërdrejt. Janë 24 orë të rëndësishme për sa i përket pasojave psikologjike”, theksoi Rama.

Shefi i qeverisë pati edhe një përplasje në lidhje me kryebashkiakun e Tiranës, ErionVeliaj. “Ku është kryetari i bashkisë? Atë ditën pa makina mund ta shtyjmë për një ditë tjetër?”, u shpreh Rama, ku dukej i inatosur me këtë vendim të Veliajt. Por kryebashkiaku Veliaj u shpreh se “kjo duhet të ecë paralelisht edhe me aktivitetin se i gjithë aktiviteti po koncentrohet në Sheshin Skënderbej”, duke shtuar se “Dita pa makina” do vijojë. Sipas tij, kjo bëhet për t’i nxjerrë njerëzit nga shtëpia dhe për t’u angazhuar me aktivitete.
Ndërsa bëri të ditur se janë ngritur qendrat sociale dhe se do t’u jepet ndihma qytetarëve në nevojë, si dhe në sheshin “Skënderbej” qytetarët po kontribuojnë me ndihmat e tyre modeste. Këshilli bashkiak i Tiranës do të mblidhet dhe do të miratojë një buxhet të shtesë për fondet e tërmetit. Veliaj theksoi se të hënën do të zhvillojë normalisht aktiviteti në shkolla. Deputeti i PS-së, Paulin Stërkaj ndërkaq kërkoi që vetë deputetët të kontribuojnë me pagën e tyre për krijuar një fond. “Kjo kaloi duhet të mendojmë për të ardhmen duhet të krijojmë një fond special, çdo qeveri duhet ta parashikojë në mënyrë që të mos t’i shtrijmë dorën çdokujt. Nga rroga e deputetit të lemë diçka dhe çdo punonjës publik dhe institucion shtetëror. Të ardhurat që merr shteti nga taksat të ndahen për një fond të veçantë”, theksoi Stërkaj.

Por kryeministri theksoi se bashkitë e kanë krijuar një fond të tillë dhe se fondi rezervë i emergjencave është për marrjen e këtyre dhe sipas tij qeveria është krejtësisht e qetë nga pikëpamja e kapacitetit financiar. “Ministria e Financave ka parashikuar një skenar më të keq se ky.
Ndërsa deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti kërkoi më shumë vëmendje në zonën e Kombinatit dhe në disa fshatra të Kasharit, pasi sipas saj, janë 230 apartamente të evidentuara dhe duhet të ketë prezencë të shtuar verifikimi. Kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako u shpreh se “Paniku është më i madh se sa dëmet. Janë 188 shtëpi të plasaritura që nuk cenojnë jetesën, dy shkolla “14 nëntori” dhe “Qemal Mici” janë dëmtime të jashtme që nuk cenojnë procesin shkollor, duke filluar që nesër nis mësimi. Pallatet e plasaritura në qytetet, një në Sukth, momentalisht kemi 9. Një rast të identifikuar kur një qytetar të për adaptuar një disko ka prekur kolonën poshtë, por nuk është e rëndë. Realisht nuk kemi flukse, janë dy familje nga qyteti i Shijakut që janë akomoduar në qendrat e pushimit në Durrës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.