Opozita i ka cilësuar si propagandë të qeverisë mënyrën se si po e trajton situatën pas lëkundjeve sizmike të ndodhura në dy qarqet kryesore të vendit në Tiranë dhe në Durrës. Ish-deputetja e PD-së, Dhurata Çupi reagoi ndaj dy mbledhjeve të zhvilluara nga kryeministri Edi Rama me strukturat partiake dhe në më ministrinë e Mbrojtjes duke i cilësuar si propagandë. “Edhe në ditë të vështira propaganda vazhdon. Të gjitha strukturat shtetërore në Tirane. Dëgjojnë shefin e madh, në vend qe te jene ne terren. Ai vazhdon insiston me Ertv që po punon shumë. Vetëm propagandè. Në terren asgjë. Qytetarët po përballojnë çdo gjë vetë. Jashtë apo brenda shtëpive deri në këto momente asnjë zyrtar nuk ka shpërndarë qoftë edhe një batanije. Gjendja e emergjencës nuk është shpallur. Nga buxheti i shtetit asnjë shifèr sa është në dispozicion të kësaj ngjarje. Asnjë e dhëne sa batanije dhe ushqime janë në dizpozicion. Prisni kur të miratojne edhe një vendim për ta dhënë edhe tërmetin me PPP. Zoti e ruajte vendin në këto momente të vështira!!”, shprehet Çupi.
Si Partia Demokratike ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar që qeveria të shpallë emergjencën kombëtare për përballimin e kësaj situate. “Lidhur me përballimin e situatës, sigurisht që përgjegjësia kryesore, e drejtpërdrejtë është e qeverisë shqiptare. Qeveria shqiptare sot ka konsumuar orë të tëra me kryeministrin shqiptar, mbi 4 orë në media, ndërkohë që shqiptarët të gjithë nuk kanë nevojë për të dëgjuar më mbledhje kilometrike, nuk kanë nevojë më për shoun kilometrik. Kanë nevojë për komunikim operativ të menjëhershëm, fakte konkrete dhe njerëz në terren.Nuk kanë nevojë shqiptarët që të kenë prefektët e tyre të mbledhur në mbledhje të pafundme të kryeministrit, por i kërkojnë të jenë atje në terren. Nuk i kërkojnë bashkitë të vijnë e të mblidhen së bashku dhe deputetët të bëjnë sikur bëjnë ndarjen e punës dhe kjo ndarje pune duhet të ishte mbaruar që mbrëmë në orën 11:00 apo 12:00 të natës apo më përpara dhe sot të gjithë duhet të ishin në terren”, deklaroi nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Sipas tij reagimi i parë i qeverisë në këtë situatë pazakontë duhet të ishte shpallja e emergjencës civile.
“Kur do të shpallet emergjenca civile? Çfarë situate më të rëndë presin shqiptarët sesa kaq? Të një tërmeti kaq të rëndë, të paparë! Së dyti, Kryeministri nuk ka nevojë të na lodhë me shoë, me biseda, me teori të sigurimit të banesave, sot që kemi një hall koke siç thonë shqiptarët. Po të thotë se cilat janë paratë në dispozicion të kësaj situate, sa milionë janë në dispozicion të kësaj situate? Si janë të ndara sipas çdo ministrie, pra çfarë instrumentesh financiarë ka shteti në një situatë të tillë për t’i përdorur e duke shpallur edhe gjendjen e emergjencës t’i përdorë në mënyrë të menjëhershme sepse koha nuk pret. Së treti, dhe shumë kryesore, qeveria flet për evidentimin e dëmeve. Janë shumë vonë!”, theksoi Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.