Opinion

Rama, edhe ministër i Jashtëm. Juristët pro dhe kundër

Bledar Hoti - Ushtrimi i detyrës së ministrit të Jashtëm nga ana e kryeministrit Edi Rama ka nxitur debatet mes konstitucionalistëve dhe juristëve nëse mbajtja e dy posteve është në përputhje me Kushtetutën ose jo. Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e cilëson si antikushtetuese që kryeministri të jetë edhe ministër i Jashtëm.

“Sipas Kushtetutës neneve 95 dhe 103, Kryeministri dhe ministri janë dy funksione/detyra kushtetuese më vete. Të dy këto funksione veprojnë në përbërje të Këshillit të Ministrave dhe njëkohësisht si titullarë të institucioneve. Neni 103 e ndalon specifikisht ministrin të kryejë funksione të tjera. Pra vërtet Kryeministri nuk ndalohet të jetë ministër, por ministri nuk mund të jetë njëkohësisht edhe Kryeministër”, shprehet Manjani.

Por ky qëndrim kontestohet nga ana e juristit të njohur, avokat Sokol Hazizaj, i cili thekson se ligji themeltar i shtetit nuk ia ndalon kryeministrit të ushtrojë një detyrë të tillë. Duke u mbështetur te po të njëjtat referenca ligjore, Hazizaj, si neni 95 dhe 103/1 të Kushtetutës. Gjithashtu ai përmend edhe dispozitat e tjera ligjore, të cilat i japin kompetencë ministrit të Jashtëm të zbatojë objektivat e përcaktuar nga kryeministri.
Sipas tij, ligji “Për shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë” përcakton në nenin 7 se “ministria e Punëve të Jashtme drejtohet nga Ministri, i cili, në ushtrimin e funksioneve, ndihmohet nga zëvendësministri/at i/e Jashtëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, si dhe në nenin 8 sanksionohet se “Ministri i Punëve të Jashtme drejton dhe përfaqëson shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushjen e funksioneve, Ministri siguron zbatimin e programit të Këshillit të Ministrave për politikën e jashtme dhe, në bazë të këtij programi, harton dhe përpunon objektivat politikë të Ministrisë që ai drejton”.

Sokol Hazizaj


“Këto janë referencat ligjore. Përpos tyre, ështe ndryshe fakti moral që kryeministri i bën të gjitha. Gjithsesi ligjërisht ka të drejtë ligjore dhe kushtetuese, por morale nuk e ka. Presidenti do ta dekretojë, por më parë duhet të shkarkojë Ditmir Bushatin nga posti i ministrit” vijon Hazizaj.

• Rama ministër i Jashtëm? Meta: Më duhet pak kohë për verifikim!

Ky debat është komentuar edhe nga ish-Presidenti Bujar Nishani. Nëpërmjet një statusi në Facebook, ish-kreu i shtetit ndan mendimin se mbajta e dy posteve është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Kushtetuta e Shqipërisë e ndalon që Ministri të ushtrojq dhe funksione të tjera shtetërore. Kryeministri nuk mund të jetë dhe Ministër. Neni 103, pika 2. “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as ……”. Kjo çështje u sqarua publikisht dhe institucionalisht në rastin e dekretimit të Lleshajt. Ai nuk u dekretua sa kohë ushtronte “de jure”, funksione në Forcat e Armatosura. Pasi u lirua nga ato funksione u bë dekretimi i tij si ministër. Edi Rama ka vetëm një mundësi të bëhet Ministër i Jashtëm. Të dorëhiqet më parë si Kryeministër. Presidenti mund të dekretojë Ministër vetëm një person i cili nuk ka “veprimtari” tjetër shtetërore. Këtë e thotë të zezë mbi të bardhë, Kushtetuta e Shqipërisë. Ndoshta kjo është rruga që ka gjetur vetë Edi Rama për t’u larguar ?”, shkruan Nishani në Facebook.

Postimi i ish-presidentit Bujar Nishani


Por analisti Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Statistikave e cilëson këtë debat më tepër si çështje politike se sa në dobi të zbatimit të Kushtetutës. “Pas Kushtetutës 1998 ka pasur disa zv/kryeministra që kanë qenë njeherësh edhe ministra dhe kjo është çështje organizimit të qeverisë, jo çështje kushtetuese. Të tille kanë qenë Skender Gjinushi, Ilir Meta, Makbule Çeço, Ermelinda Meksi, deri edhe Edmond Haxhinasto e Myqerem Tafaj. Kushtetuta është e qartë në këtë pikë. Çështja është politike dhe sesi kryeministri e qeveria vendosin të bëjnë strukturat e tyre”, shprehet Krasniqi për Gazetën “Si”.

Afrim Krasniqi


Më tej ai shprehet se “Thelbi i gurit të fundit të hedhur në lumë: nuk është Kushtetuta problemi dhe as burimi i ndonjë konflikti, - problemi janë mënyra sesi politikanët e përdorin dhe keqpërdorin Kushtetutën dhe pushtetin, sesi shpikin eksperimente dhe sesi e trajtojnë pa respekt politikën dhe vendimmarrjen.“Zgjidhja” e fundit është artificiale nga dy palët në konflikt, është e sforcuar dhe mund të jetë jo funksionale në aspektin afatgjatë apo seriozitetin e qeverisjes, - por është Kushtetuese”.
Por ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shprehet se “I njëjti debat vlen edhe për pozitën e Zëvendëskryeministrit. Në të shkuarën kemi pasur Zëvendëskryeministër dhe ministër. Sipas këtij leximi që i bëj Kushtetutës me rezulton që është e gabuar që në person të mbajë dy funksione brenda qeverisë”.
Ndër vite ka pasur zv/kryeministra që kanë ushtruar edhe detyrën e ministrave kjo si në kohën kur kanë qeverisur demokratët dhe socialistët.
Kështu Skënder Gjinushi mbante postin zv/kryeministrit dhe të Ministrit të Punës së Çështjeve Sociale në vitin 2001-2002; Makbule Çeço, zv/kryeministre dhe ministre e Punës; Ermelinda Meksi si zv/kryeministre edhe ministre e Integrimit në 2003; Edmond Haxhinasto si zv/kryeministër dhe ministër i Ekonomisë dhe Tregtisë apo dhe Myqerem Tafaj si zëvendëskryeministër dhe ministër i Arsimit gjatë qeverisjes Berisha.
Në historinë e kabineteve qeveritare rezultonte edhe vetë Presidenti aktual Ilir Meta më parë ka pasur detyrën edhe të zv/kryeministrit edhe të ministrit të Jashtëm , apo zv/kryeministër dhe ministër i Integrimit në vitet 1999 dhe në 2002.
Presidenti Meta akoma nuk është shprehur në lidhje propozimin e paraqitur dje nga kryeministri Edi Rama për ndryshimin në kabinetin qeveritar. Kreu i qeverisë kërkon shkarkimin e Ditmir Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm dhe këtë detyrë tha se do ta ushtrojë ai.
“Jua thashë edhe një herë që një kërkesë e tillë sapo është depozituar dhe do të kërkojë kohën e saj. Dhe përgjigjja do të jetë tepër e përgjegjshme, por edhe transparente. Së dyti, nuk mund të bëjmë një paralelizëm të rastit të kandidatit të mëparshëm me kandidatin e vetëpropozuar, për arsye se në rastin e dytë kemi të bëjmë me një figurë të njohur politike, ndërsa në rastin e parë kishim të bënim me një figurë tërësisht të panjohur deri më sot, të paktën për mua si President i Republikës, por kam përshtypjen edhe në tërësi për opinionin publik”, do të deklaronte Meta në intervistën e mbrëmshme në emisionin “Opinion”.
Siç duket Presidenti do të zbatojë afatin ligjor shtatë ditor për t’u shprehur për dekretin e paraqitur nga Rama që ai të jetë edhe kryeministër dhe ministër i Jashtëm.

Zv.kryeministra e dhe ministrat nder vite


Nenet e Kushtetutës
Neni 95

  1. Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat.
  2. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore.
    Neni 100
  3. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore.
  4. Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.

  5. Neni 103
  6. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
  7. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
  8. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë