Pas më shumë se tri dekadash në politikë, Benjamin Netanyahu përballet me një tjetër betejë për pushtetin. Zgjedhjet në Izrael kanë dobësuar bllokun e tij, por formimi i një qeverie të re mbetet i pasigurt.
Partia Likud e Netanyahut pritet të sigurojë rreth 26 mandate në parlamentin izraelit, Knesset, ndërsa blloku i tij i djathtë mbetet me rreth 53 vende, larg shumicës prej 61 mandatesh. Megjithatë, as opozita nuk e ka të lehtë të formojë një qeveri, për shkak të dallimeve ideologjike dhe mosmarrëveshjeve mes partive.
Partitë arabe, çelësi i pushtetit
Opozita mund të sigurojë shumicën vetëm me mbështetjen e partive arabe, të cilat pritet të fitojnë gjithsej 19 mandate. Por disa nga aleatët e opozitës kanë kundërshtuar një qeveri që varet nga votat e tyre.
Ndërkohë, Netanyahu pritet të përpiqet të pengojë bashkëpunimin mes partive hebraike dhe atyre arabe, duke synuar të ruajë pushtetin. Sipas burimeve të cituara nga CNN, opozita druhet gjithashtu se ai mund të shfrytëzojë një krizë sigurie për të bllokuar formimin e një qeverie të re.
Çfarë ndodh më pas?
Presidenti Isaac Herzog do të konsultohet me partitë dhe do të mandatojë kandidatin që vlerëson se ka më shumë gjasa të sigurojë shumicën parlamentare. Kandidati do të ketë 28 ditë, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë, për të formuar qeverinë.
Nëse përpjekjet dështojnë, mandati mund t’i kalojë një kandidati tjetër, ndërsa dështimi i të gjitha përpjekjeve mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
Netanyahu ka ende një avantazh: si kryeministër në detyrë, ai mund të qëndrojë në pushtet edhe për muaj të tërë, nëse negociatat dështojnë. Nga ana tjetër, opozita mund të shfrytëzojë shumicën parlamentare për të kufizuar ndikimin e tij dhe për të marrë poste kyçe.
Për momentin, fati politik i Netanyahut mbetet i hapur. Edhe nëse opozita arrin ta largojë nga pushteti, përçarjet e brendshme mund ta rikthejnë vendin në zgjedhje të reja- një skenar që do t’i jepte kryeministrit mundësinë të mbijetonte edhe një herë politikisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje