Politike

Rama-Basha, dialog me letra

Në ditët para marrëveshjes së 17 majit të dy viteve më parë i vetmi kanal komunikimi publik mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishin rrjetet sociale.

Melodia ishte e njëjtë: Rama e ftonte përmes postimeve në Facebook që të dilte nga çadra dhe të ulej për dialog dhe Basha, po përmes postimeve refuzonte ftesën pa u plotësuar më parë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, që kishte vendosur opozita.

Sot, dy vite më vonë duket se asgjë nuk ka ndryshuar, postimet në rrjetet sociale po i quajnë “letra publike”. Përmes dy letrave të tilla në më pak se 24 orë, Edi Rama ka kërkuar dialogun. Basha i ktheu përgjigje fillimisht nga një takim me mbështetësit e opozitës në Durrës. Basha e refuzoi ftesën dhe foli për një referendum popullor.

Të njëjtin fat pati edhe ftesa e dytë e publike e Ramës, por që i drejtohej ekskluzivisht Lulzim Bashës. Refuzimi këtë herë nuk u bë drejtpërdrejtë nga një takim me mbështetësit, por përmes rrjeteve sociale. Basha nuk i drejtohet rivalit të tij politik, por u drejtohet qytetarëve, pasi rendit me radhë, sipas tij, mungesën e drejtësisë, korrupsionin, lidhjet e qeverisë me krimin e të tjera.

“Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit”, shkruan ai ndër të tjera, duke bërë ftesë për pjesëmarrje në protestën e 25 majit.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/2416873118363855

Basha kujton se sistemi i drejtësisë është në kolaps, se vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatën e Lartë dhe fajtor për këtë bën drejtpërdrejtë Kryeministrin Edi Rama, që sipas opozitës po kap prokurorinë dhe gjykatat.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë anëtar prej 2 vitesh, duke lënë pa asnjë kufizim pushtetin e kryeministrit i cili tani qeveris me fermane personale. Pa Gjykatë Kushtetuese, Kryeministri u është lëshuar për të grabitur me “ligje” speciale pronat tuaja private dhe pronat tona publike nga qendra e Tiranës në të gjithë bregdetin. Dje, pasi shpalli hapur se shqiptarët janë më mirë pa gjykata, Edi Rama më dërgoi mua një letër për të më ftuar në “dialog”, pra, që unë dhe ai të ulemi për të biseduar, sepse, sipas tij, kështu e kërkon demokracia”, shkruan Basha.

Rama nga ana tjetër thotë se djepi bosh në Gjykatën Kushtetuese është pasojë e reformës në drejtësi, që sipas tij largoi shejtanin nga ky djep. Ai kujton mbështetjen e ndërkombëtarëve për këtë proces.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10156699374666523

Përplasjes Rama-Basha i parapriu një deklaratë e fortë e Presidentit Ilir Meta. Presidenti tha se e kishte të pamundur që të ulte në tryezë të dyja palët, por më shumë lajm prodhoi komenti i tij për reformën në drejtësi dhe rolin e ndërkombëtarëve në të.

Meta ndau një qëndrim në mos në të njëjtën linjë, të përafërt me opozitën, duke qortuar misionin ndërkombëtar EURALIUS si të ndikuar politikisht dhe duke i faturuar një pjesë të fajit se përse vendi sot është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Komenti i Metës mori reagimin e misionit të BE-së në Tiranë, që përmes një deklarate vlerësoi reformën në drejtësi dhe sidomos ndihmën e vyer dhe të pazëvendësueshme të EURALIUS në këtë reformë.

BE thotë se reforma në drejtësi është në rrugën e duhur dhe i kërkon Presidentit Ilir Meta që të mos vonojë përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas ligjit, pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të bëjë renditjen e kandidatëve, Presidenti ka të drejtë të zgjedhë tre anëtarë.

“Reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë. Sa i përket veçanërisht krijimit të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që është e rëndësishme që sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me prioritet. Ne jemi të bindur se një detyrë e tillë do të ndiqet plotësisht dhe në kohën e duhur”, thuhet në reagimin e BE-së.

Në reagim kërkohet nga politikanët që reforma në drejtësi dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve.

“Bashkimi Europian do ta vazhdojë mbështetjen e saj për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të”, thuhet në reagimin zyrës së delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Presidenca u kundërpërgjigj përmes zëdhënësit të saj, Tedi Blushi.

“Kam vetëm një qëndrim për të dy (Ramën dhe BE-në). Presidenti i Republikës, jo vetëm i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme deri tani, në mënyrë transparente e sistematike, të dokumentuar dhe informale, konstruktive e gjithëpërfshirëse, por edhe do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, për të evituar vonesat, kolapsin, zbatimin e njëanshëm e përçarës dhe kapjen e sistemit”, thuhet në deklaratë.

Se cila është përgjegjësia e ndërkombëtarëve për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, s’mund të thuhet, por mund të thuhet se përplasje e Metës me ta, dashje pa dashje hoqi vëmendjen nga përpjekjet për dialog mes Ramës e Bashës, duke i dhënë të tjera përmasa krizës politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë