Politike

Meta përplaset me BE: Do të bëj çdo përpjekje kundër kapjes së sistemit

Presidenca ka reaguar lidhur me qëndrimet e shprehura dje nga ambasadori i BE dhe kryeministri Rama lidhur me Reformën në Drejtësi. Deklarata e BE dhe e kryeministrit Rama erdhën fill pasi Meta u shpreh se Reforma në Drejtësi në mos ka dështuar, është e pasuksesshme, duke e lidhur me mungesën e Gjykatës Kushtetuese në vend.
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, është shprehur për mediat se Meta i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe do i bëjë të gjitha përpjekjet për të ndaluar sipas tij, kolapsin, zbatimin e njëanshëm dhe përçarjen e sistemit.
“Kam vetëm një qëndrim për të dy (Ramën dhe BE-në). Presidenti i Republikës, jo vetëm i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme deri tani, në mënyrë transparente e sistematike, të dokumentuar dhe informale, konstruktive e gjithëpërfshirëse, por edhe do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, për të evituar vonesat, kolapsin, zbatimin e njëanshëm e përçarës dhe kapjen e sistemit”, është shprehur Blushi.
Ai më tej vijon se Meta e ka detyrim ndaj qytetarëve të punojë në këtë frymë
“Presidenti nuk do të lodhet edhe në të ardhmen, si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, të punojë në këtë frymë”, shprehet Blushi.
Ndërkohë, zëdhënësi i Presidentit duke përdorur dhe ironinë thekson se “Meta nuk do ndalojë askënd të këndojë këngët “nga fitorja në fitore”.
Pas deklarimeve të forta të bëra dje presidenti Ilir Meta në lidhje me Reformën në Drejtësi, delegacioni i BE-së u shpreh se Reforma po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës si dhe profesionalizmi, përkushtimi dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar.
Po ashtu Delegacioni i BE në Tiranë tha se “Reforma e Drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve”.
Ndërkohë, kryeministri Rama në reagimin e tij iu referua procesit të vettingut, si shtylla kryesore e reformës në drejtësi, që sipas tij pastroi edhe Gjykatën Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë