Politike

Para protestës, Rama letër të katërt Bashës: Harroje dorëheqjen time


Disa orë përpara protestës kombëtare të opozitës përpara Kryeministrisë, kryeministri Edi Rama i është drejtuar me letrën e katërt publike në adresë të kryedemokratit Lulzim Basha, duke e ftuar në tryezën e dialogut.
Rama i rikujton kreu të PD-së se ai duhet ta harrojë dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, duke i kujtuar se një kërkesë e tillë ishte edhe dy vite më parë kur ngriti “Çadrën e Lirisë”, ndërsa rendit edhe arsyet se pse kjo lëvizje nuk do mund të ndodhë.
“Dhe në fakt, dorëheqja me shkrim nuk erdhi se s’kishte si të vinte, po erdhët Ju në rrugën e arsyes dhe çadra iku bashkë me Republikën e Re, se s’kishin si të mos iknin. Edhe sot, Ju duhet ta harroni dorëheqjen time për një arsye shumë të thjeshtë: Unë as jam zgjedhur nga Ju, as punoj për Ju e as mund të tradhtoj ata që më kanë zgjedhur dhe të gris kontratën detyruese me ta, shumicën e shqiptarëve, pse Ju nuk pranoni t’i nënshtroheni vullnetit të shumicës dhe i frikeni zgjedhjeve e drejtësisë si djalli temianit! Bashkë me dorëheqjen time, Ju i dashur Lulzim, duhet të harroni edhe se mund ta nënshtroni shumicën, duke imponuar me dalëmendjen e një pakice në tkurrje, anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit - të cilat nuk i kam caktuar unë po Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nuk i kam në dorë unë, po populli shqiptar”, shkruan Rama në letrën e tij.
Ndërsa më tej shprehet se është i gatshëm për dialog pa kushte në tryezë, duke akuzuar se vetë Basha ka frikë të hyjë në zgjedhje.
“Nëse Ju s’doni të hyni në zgjedhje se keni frikë nga gjykimi i popullit me votë apo se shihni në bezen e imagjinatës Suaj, një film ku votën e shqiptarëve pa dallim, e zëvendëson molotovi i ndjekësve Tuaj të verbuar a të paguar, kjo është llogaria Juaj e gabuar dhe natyrshëm, edhe e drejta Juaj për ta vetëasgjësuar grupimin Tuaj politik duke i besuar kësaj llogarie marroqe. Por Ju duhet ta harroni po ashtu, se mund ta ktheni përmbys logjikën e sistemit demokratik, duke ndjekur logjikën e forcës së dëshpëruar të të humburit, që gabimisht kujton se s’ka ç’humbet tjetër dhe kthehet në të mbyturin që të mbyt! Keni akoma shumë, sa shumë, për të humbur! Keni akoma kohë, shumë pak kohë, për të rifituar kthjelltësinë, qetësinë dhe orientimin e humbur, duke u kthyer në Tryezën e Dialogut e duke i kursyer Shqipërisë, po edhe vetes e grupimit Tuaj, kostot e një aventure sa qesharake, aq edhe të kushtueshme për këtë vend. Këto letra të miat po zgjaten përditë, sepse po mbarojnë! Dhe me durim po Ju përsëris, ftesën për Dialog. Pa kushte dhe pa frikë. Kushtet dhe frika, janë pengesat që do t’Ju nxjerrin nesër si dështak nga politika, nëse nuk i nxirrni sot fishek nga vetja”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë