Politike

Meta sulmon Reformën në Drejtësi: S’është sukses, solli krizë

Presidenti Ilir Meta e ka quajtur alarmante krizën politike që ka kapluar vendin dhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe ka lëshuar kritika të forta në drejtim të zbatimit të Reformës në Drejtësi.
“Kemi një krizë serioze në vend që nuk mund t’i shmangemi, jemi vend i NATO-s dhe kemi detyrim të garantojmë stabilitet e siguri të brendshme, por edhe si vend që do të çelë negociatat me BE. Pasi vendi pësoi 97-n për fat të keq, një film që e kanë parë shumë, u bë një kushtetutë e jashtëzakonshme me ndihmën e Venecias dhe kontributin e personaliteteve në vend.

Pikërisht se u nxorën mësime nga ‘97-ta dhe u bë për të parandaluar një 97-të, për të menaxhuar kriza që mund të dalin jashtë kontrollit dhe shtytje të demokracisë drejt anarkisë”, u shpreh Meta në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall Shqipëri, me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”.
Ai tha se edhe pse zyrtarisht vendi është Republikë Parlamentare, sot funksionon si një sistem i mbyllur partiak.
“Në 2008 mos harrojmë për dy ditë një kushtetutë e bërë me aq sakrificë, ia hoqëm kontrollbalancën e llogaridhënie e kaluam nga një sistem parlamentar në një sistem të mbyllur partiak, kjo është pse sot kemi këtë situatë, që Kuvendi nuk është thjesht jofunksional se dy partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme lanë mandatet, por ka qenë jofunksional edhe kur kanë qenë ata që të jemi të qartë edhe fare të hapur”, tha ndër të tjera presidenti Meta.

Meta ka treguar edhe pse nuk mund të ulë Ramën dhe Bashën në tryezë në këtë gjendje krize.
“Dëgjoj njerëz duke thënë se çfarë bën presidenti? Unë kam bërë atë që më takon. Presidenti nuk mund të ulë disa persona që thonë nuk ulem me këtë se është kryeministër, ndërsa tjetri thotë se 30 qershori do të jetë sukses”, tha Meta.

Presidenti i mëshoi fort faktit se nëse Reforma në Drejtësi do të kishte sukses, vendi nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese.

“Është folur për sukses të reformës në drejtësi. Unë i jam shmangur çështjes publikisht, për suksesin e reformës në drejtësi, bëhen 3 vite nga miratimi i saj. Dhe nuk them a është sukses a dështim, por nëse do ishte një sukses Shqipëria asnjë minutë nuk do ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Nuk jam i qetë pa e nxjerrë këtë merak me ju, dy herë janë hedhur shortet e KED", tha Meta.

Presidenti Meta ka qenë i ashpër edhe me Euralius, (misioni i asistencës së BE-së për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri). Meta tha se pas ngërçit që u krijua me shortin e KED u kërkoi të gjitha institucioneve që të diskutojnë dhe vendosin, por misioni Euralius kishte refuzuar, sipas kreut të shtetit me argumentin se ‘ishin mision teknik’. Sipas Metës kjo do të thotë se kishin marrë porosi politike.
“Kjo nuk është drejtësi europiane”, tha Meta kundër misionit dhe ndërkombëtarëve duke theksuar se nuk mund ta dhunojnë Kushtetutën.

Sipas tij Reforma do të kishte sukses kur në vend të ketë investime të huaja.

"Historitë e peshqve i keni dëgjuar dhe dëgjojini, reforma do të jetë e suksesshme kur në vend të ketë më shumë investime gjermane, britanike, amerikane, nga vendet më të zhvilluara bizneset e të cilave kanë si kriter kryesor sistemin e drejtësisë dhe të gjykatave”, përfundoi Meta.
Presidenti foli me tone të ashpra edhe ndaj tezave për bashkim të shqiptarëve në Ballkan dhe ritheksoi qartësisht se është kundër rishikimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës.
“Nuk ka komb në Ballkan që ka përfituar më shumë nga rënia e perdes së hekurt. Ne atë kohë ishim si Koreja e Veriut. Dëgjojmë pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët? Por pse të mos bashkohen të gjithë serbët, kroatët, boshnjakët dhe këto delirime gjoja patriotike më shumë sesa folklorizëm janë diabolizëm i gjallë. Nuk rivizatohen kufijtë aq kollaj. Ne e dimë sa marrëdhënie të mira janë mes Malit të Zi dhe Kosovës, por për një marrëveshje demarkacioni e dimë mirë se çfarë ndodhi. Një pakicë e vogël e bllokoi dhe bëhet fjalë për disa pyje që as qentë nuk jetojnë në dimër dhe jo ku jetojnë njerëz dhe ku ka varre, kisha dhe xhami e amanete. Dua të bëj të qartë, ne i kemi të gjitha mundësitë sikur e kemi treguar që të jemi faktor stabilizues”, u shpreh presidenti Meta.

Presidenti solli në vëmendje edhe ndryshimin e Shqipërisë përgjatë dekadave të fundit duke kujtuar vizitën e tij të fundit në aeroplanmbajtësen “Abraham Linkoln”, e cila vizitoi javë më parë portin e Durrësit.
“Kur vizitova aeroplanmbajtësen mu kujtua babai im ish-ushtarak, ikte natën me urgjencë ashtu si gjithë ushtarakët linte shpesh herë darkën në mes, sepse e njoftonin se Amerika kishte dërguar anije pranë kufijve shqiptarë. Dhe në më pak se 30 e ca vite në shohim se çfarë ndryshimi ka ndihur në vendin tonë. Nga një vend i izoluar jemi kthyer në një burim sigurie jo vetëm për vetën e tij por për mbarë rajonit”, u shpreh presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë