Propozim i SI

Vaksina duam, vaksina s’duam

Në dhjetorin e viti 2019 korona virusi i sapo zbuluar në Whuan as që nuk mendohej se do të mbërrinte në Shqipëri. Madje kur flisje me autoritetet shëndetësore shihej si diçka, në anën tjetër të botës për të cilën qytetarët e shtetit tonë të vogël zor se do prekeshin. Por 2 muaj më pas nuk mund të thonim të njëjtën gjë.
Autoritetet ishin të përgatitura dhe u vendos që në 3 Janar do të krijohej një Komitet Teknik Ekspertësh ku specialistët përkatës do të ishin që nga shefi i fluturimeve ajrore deri tek epidemiologët në ISHP, vendi i vetëm ku do të kryheshin testet për Covid-19.
Me datë 25 shkurt, Skënder Brataj, kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, njoftoi protokollet në rast se COVID-19 përhapet në Shqipëri, duke sqaruar se qytetarët që dyshojnë se kanë kontraktuar virusin duhet të telefonojnë numrin e caktuar të Urgjencës Kombëtare 127. Ai udhëzoi të gjithë shtetasit shqiptarë që vijnë nga jashtë, të telefonojnë në të njëjtin numër, në mënyrë që një grup mjekësor me kostume mbrojtëse të mund t'i shoqërojë ata në një spital të infeksioneve për testim. Në të njëjtën ditë, Departamenti i Shëndetit dhe Mbrojtjes Sociale u takua me Komitetin e Ekspertëve Teknikë dhe vendosi të rrisë buxhetin e tij në spital me 1 milion dollarë, për të rritur stokun e pajisjeve të mbrojtjes personale. Brataj njoftoi gjithashtu që qytetarët që vijnë nga zonat e prekura do të monitorohen për 14 ditë dhe do të trajtohen si raste të dyshuara me paracetamol dhe vitamina.

Rrugët e Tiranës bosh, pas shtetrrethimit në zbatim të masave për parandalimin e përhapjes se koronavirusit.LSA.Gazeta "Si" 2022


Me këtë protokoll parapërgatitor, mëngjesin e 9 marsit Shqipëria u zgjua me dy rastet e para me Covid-19, të importuara nga Italia.
Në të njëjtën ditë, qeveria ndaloi të gjitha fluturimet dhe tragetet që vinin nga zona veriore e Italisë deri më 3 prill. Pikërisht kjo ishte data për të cilën çdo shqiptar do të priste dy javë, ndërkohë që në dispozicion të qytetarëve u vendos Spitali Infektiv me kapacitete që askush nuk e mendonte se do të tejkalohej. Por e gjithë Qendra Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza” u vu në dispozicion të Covid-19 dhe sëmundjet e tjera do të trajtoheshin në Spitalin Universitar të Traumës. Rreth 771 mjekë dhe 1936 infermierë dhe pjesë të tjera të stafit shëndetësore u vendosën në vijën e parë të Covid-19. Ishte mesi i marsit të vitit 2020 kur kryefjala e çdo trajtimi ishte oksigjeni dhe respiratori pikërisht në datën 10 mars në vendin tonë u shënua vdekja e parë nga ky virus.
Më 13 mars, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri i të prekurve kishte shkuar në 33, pas 159 testeve të reja të cilat shtoheshin bashkë me panikun e qytetarëve. Në atë ditë, qeveria njoftoi mbylljen e qyteteve të mëdha, përfshirë edhe Tiranën; disa nga masat e marra ishin bllokimi i rrugëve, ndalimi i makinave private dhe mbyllja e të gjithë bizneseve (me përjashtim të farmacive dhe dyqaneve ushqimore).

Spitali Infektiv që u kthye në spital Covid i dedikuar për pacientët e infektuar.

Më 16 mars, u miratua një tjetër "legjislacion urgjence" i gjerë, duke specifikuar gjobat e ndryshme për shkelje të protokollit, që të ishin efektive menjëherë. Mbledhjet shoqërore, kulturore dhe politike, qoftë në hapësira të mbyllura apo në ambiente të hapura, u ndaluan dhe shkelësit do të merrnin një gjobë deri në 5 milion lekë (ose 4,000 euro). Spitalet private që refuzonin të ofrojnë kapacitete duheshin gjobitur deri në 5 milion lekë (4,000 euro). Çdo tregti me ushqim ose ilaç që nuk përputhej me rregulloret e përcaktuara të sigurisë së qeverisë për të luftuar infeksionet rrezikonte gjobë deri në 10 milion lekë (83000 euro). Pandemia na mësoi se si funksiononin “aktet normative” që iu vendos të gjithë qytetarëve të cilët do të kishin një periudhë kohore të kufizuar për të marrë ushqime.
Ndërkohë që rriteshin shifrat e infektimeve, mjekët dhe infermierët nga spitali inkurajonin qytetarët se kjo betejë mund të fitohej vetëm duke qëndruar në shtëpi. Vështirësia më e madhe e atyre ditëve siç e kanë pohuar edhe mjekët më herët, ishin mungesa e mjeteve mbrojtëse dhe kjo solli infektimin edhe të stafeve mjekësore.

Infermiere duke u kujdesur për pacientin në spitalin Covid 1.

Në atë kohë fjalia e mjekut infeksionist Pëllumb Pipero “as ne mjekët nuk e kuptojmë këtë virus” do të na pasqyrohej për dy vite më pas. Pas një periudhe vere me raste të qëndrueshme siç e ka shpjeguar dhe mjeku epidemiolog Ilir Alimehmetit, dimri 2020-2021 e gjeti Shqipërinë me një popullatë me një imunitet të ulët dhe për pasojë dy valët e pandemisë, ai i vjeshtës 2020, ku u ndryshua dhe protokolli i trajtimit dhe u vendos që në shërbim të pacientëve me Covid-19 të ishte Spitali “Shefqet Ndroqi” dhe spitali Covid 3 që do të ishte në ambientet e QSUT në godinën e “Sëmundjeve të Brendshme”
Më pas varianti Alfa që ishte në janar-shkurt-mars 2021, na shkaktoi një numër shumë të lartë të sëmurësh, shtrime në spital dhe rrjedhimisht një vdekshmëri të lartë me 21 deri 22 vdekje në ditë. Ndërkohë, në një studim të ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë ku pjesë janë Alban Ylli dhe Genc Burazeri rezultoi se “nivelet më të larta të vdekshmërisë së tepërt në vendet e Evropës Lindore(ku bën pjesë dhe Shqipëria) janë shoqëruar me rezultate më të ulëta të “zbatimit rregullator” të cilat ndikojnë si në ndërhyrjet jofarmaceutike të qeverisë ashtu edhe në programet e vaksinimit.

Të infektuar për secilën valë të Covid-19 në Shqipëri. Punuar nga Gazeta "Si".2022

Pas një viti kur kishim një virus mbi krye dhe ishim përpjekur ta anashkalonim me maska, dezifektantë, trajtime dhe stërmundime, në fillim janari të vitit 2021 në vendin tonë shënoheshin 1380 vdekje edhe pse raporte të ndryshme në botë kanë treguar se ka qenë disa herë më i lartë(rreth 15-16.000). E gjithë vëmendja ishte nga vaksina, të cilët të gjithë e prisnin me ngulm dhe në 10 janar të vitit 2021 Kryeministri i vendit Edi Rama, njoftoi se ishin siguruar 500.000 dozat e para të vaksinës Pfizer(e para që u krijua në të gjithë botën).Kështu vaksinimi u kategorizua që në fillim do vaksinoheshin stafet mjekësore dhe të moshuarit, shumë u ankuan. Më pas gjatë periudhës kohore shkurt-mars, Shqipëria mori një tjetër sasi vaksinash nga kompania AstraZeneca të cilët u përdorën për të vaksinuar mësuesit dhe të moshuarit. Procesi i vaksinimit u shtri më tej në popullatë në muajin maj kur në Shqipëri mbërriti një sasi prej 1 milion dozash vaksinash Coronavac e bashkë me të dhe një ndryshim protokollesh nga ku; me akt normativ u vendos që në Shqipëri do të merrej çdo vaksinë që ishte e miratuar në vendet prodhuese. Gjithashtu, do të vihej në zbatim një tjetër protokoll për raportin infektime-shtrime. Komiteti Teknik i Ekspertëve theksoi se ishte e nevojshme që rastet e Covid-19 do të trajtoheshin edhe në spitalet rajonale, të cilat do të pajiseshin me çdo mjet të mundshëm, gjë që ekspertët e shëndetit publik që nuk ishin pjesë e komitetit e kishin këshilluar që prej fillimit të pandemisë.

Vaksinat e para anti-Covid në Shqipëri.

Pavarësisht se procesi vaksinimit u shtri më tej në popullatë, stafet mjekësore u përballen përsëri me një tjetër “luftë” atë të mos vaksinimit dhe të keq informimit. Duke u kryqëzuar këto me variantet e reja që mbërritën në Shqipëri, në fillimi i shtatorit e deri në mes të tetorit 2021, në valën e tretë të shkaktuar nga varianti Delta, vendi arriti në 30.515 infektime dhe numri i fataliteteve u rrit ndjeshëm. Sipas ekspertëve të shëndetësisë në vend, shifrat e larta vinin pasi pjesa më e madhe e qytetarëve ishte e pa vaksinuar. Këtë të mërkure jemi dy vite pas nisjes së pandemisë në vendin tonë, por ende jemi me 56% të popullatës së përgjithshme të vaksinuar me dy doza. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer në total: 1,269,601 doza të para, 1,195,910 doza të dyta dhe 236,223 doza të treta. Mes përpjekjes së shqiptarëve për të anashkaluar virusin me imunitet apo me vaksina, përsëri u përballëm këtë janar të vitit 2022 me një tjetër valë infektimesh nga varianti Omicron, e katërta kjo, duke mësuar se nëse nuk kemi një imunitet të përgjithshëm variantet e reja do të gjejnë më shumë mundësi për t’u krijuar.
Nisur nga kjo, zëra të rëndësishëm të epidemiologjisë në Shqipëri si Eugena Tomini, Alban Ylli, Silva Bino, Dritan Ulqinaku dhe të tjerë, thanë për Gazetasi.al dhe na mësuan se, thelbi i shmangies së varianteve që ishin dhe që do të vinin, ishte vaksinimi.
Me sytë nga vendi jonë dhe veshët nga bota, Covid-19 ka tri dimra radhazi, edhe pse e rimësuam se shëndeti është një ndër gjërat më të shtrenjta që kemi, pak prej nesh janë vaksinuar edhe pse atëherë kur nuk e kishim vaksinën shpresat mbaheshin tek ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë