Vende dhe Udhetime

Qyteti i Meksikos në sytë e regjisorit të filmit Roma

Regjisori i filmit Roma, aty ku u rrit. Në film ai dëshironte të eksploronte plagët personale, plagët e familjes dhe plagët që ndan me vendin. “Prania e qytetit, në atë kuptim, është thelbësor.” Foto kredit: Adriana Zehbrauskas për New York Times

Ka një personazh minor, por thelbësor në filmin “Roma”, i cili shfaqet vetëm në një çast fluturak në film. Më së shumti dëgjohet, nuk shihet. E megjithatë, ai lë një shenjë të thellë emocionale në film. Ai është një shitës patatesh të ëmbla, një figurë jetëgjatë në komunitetin e mbipopulluar të shitësve të rrugës, në qytetin e Meksikos. Dhe gjithë ç’mund të dëgjojmë prej tij është thirrja tipike, disa herë në film;  një fërshëllimë avulli që fluturon mbi një piskamë dhe më pas zbutet në shkallë dhe vëllim, derisa venitet në një lloj vdekjeje vajtuese. Mund të jetë një prej tingujve më trishtuar që kam dëgjuar ndonjëherë, që jehon mall dhe brengë, mundësi të çuara dëm, dashuri të humbura. “Melankoli e mallkuar!”, thotë Alfonso Cuarón, skenarist dhe regjisor i filmit shumë të dashur nga kritika. “Ka gjithnjë një ndjenjë vetmie që shkon me atë fërshëllimë”. Pesëdhjeteshtatëvjeçari Cuarón dhe unë, jemi në një makinë fuoristradë, të ngecur në trafikun e qytetit të Meksikos, në mëngjes herët. Tani, banor i Londrës, ai është kthyer në kryeqytet në një vizitë të shkurtër për të promovuar filmin e tij – me shpresë për një Oscar, pas çmimeve Golden Globe – dhe ai planifikon një orë për të folur rreth “Roma” dhe të më tregojë lagjen ku u rrit, gjithashtu e quajtur Roma. Në film, shitësi i patateve të ëmbla ka shoqëri: mbledhësi i mbeturinave që i bie një zileje dore; mprehësi i thikave që i bie një harmonike; shitësi i mjaltit që bërtet me zë të lartë sikur të jetë duke thirrur një qen të humbur. Këto thirrma janë të gjitha pjesë e peizazhit të zhurmshëm për veshin në qytetin e Meksikos, po aq familjare për banorët e qytetit të sotëm sa ishin edhe në vitet ’70, ku sillen edhe ngjarjet e filmit “Roma”.

Cuaron në kryqëzimin kakofonik  mes bulevardeve  Insurgentes dhe  Baja California Foto kredi: Adriana Zehbrauskas për  New York Times

I bazuar në ngjarjet e jetës së Cuarón-it, filmi rrëfen marrëdhënien mes një guvernanteje shtëpie dhe punëdhënësit të saj, një familje meksikane e shtresës së mesme, e cila po shpërbëhet. Por filmi është gjithaq rreth një vendi – qytetit të Meksikos – në një moment të caktuar në historinë e tij moderne dhe ngre pyetje të rëndësishme rreth shtresave shoqërore, racës dhe aspiratave të një vendi në zhvillim. Pjesa më e madhe e filmit është xhiruar në ambiente të mbyllura, veçanërisht brenda një shtëpie, që është krijuar për t’i ngjarë shtëpisë së fëmijërisë së Cuarón-it, në Roma. Por edhe kur kamerat lëvizin brenda, tingujt e qytetit i ndjekin. Gjatë disa prej skenave më të qeta, uturima e largët e trafikut dhe boritë e makinave, të lehurat e qenve dhe kori i shitësve të rrugës e gjejnë rrugën për të hyrë, si për të na kujtuar se ky qytet- përbindësh përgjon pas dere. Një  personazh në të drejtën e vet, që kërkon respekt. Ia hedh këtë nocion Cuarón-it për të parë nëse jam në gjurmët e duhura. “Ky ishte qëllimi”, thotë ai. “Çdo qytet ka peizazhin e vet tingëllues.” Filmi, thotë ai, ishte po aq mbi kontekstin e gjerë social sa edhe rreth familjes, në qendër të historisë. “Pika e nisjes ishte të eksploroja plagët personale, plagët e familjes, por edhe plagët që kam ndarë bashkërisht me të gjithë vendin dhe ndoshta me njerëzimin”, thotë ai. “Prania e qytetit, në këtë kuptim, është thelbësore.”

Për shkak se shtëpia e tij e fëmijërisë në rrugën Tepeji kishte ndryshuar aq shumë, filmi shfrytëzon një fasadë aty pranë.

Shoferi merr kthesën për në Roma. Nga kabina e makinës, hungërimat e qytetit janë mpakur në një gërhimë të butë. “Është lagje e bukur”, thotë Cuarón, duke treguar një bllok ndërtesash me elementë të Art Nouveau dhe Art Deco. “Shihe këtë arkitekturë! Ka zona ku ka pemë, këtu në Meksiko!” Lagja është zhvilluar gjerësisht, në fillim të shekullit të 20-të, për elitën e qytetit. Vila të mëdha me fytyrë nga bulevardet e ravijëzuar me pemë, sheshet e gjelbëruar dhe parqet të krijuar për të ndërmendur hapësirat e gjelbra elegante, në kryeqytetet e Europës Perëndimore. Popullariteti i zonës mes të pasurve, nisi të zbehet diku nga mesi i shekullit të 20-të, ndërsa shumë banorë po shpërnguleshin  në zona më moderne larg qendrës së qytetit apo në periferitë e zhvilluara së fundi.

Ata u zëvendësuan nga një shtresë e mesme – profesionistë, burokratë të qeverisë, pronarë biznesesh, thotë Enrique Krauze, një historian dhe shkrimtar i njohur meksikan. Krimi dhe kompleksitete të tjera të jetës urbane, gjithashtu janë bërë më të dukshme. “Në 1970 –ën dhe 1971-shin, vitet që Cuarón rikrijon në filmin ‘Roma,’ lagjja ishte laborator i bashkëjetesës së vërtetë, jo të idealizuar, me shkollat e saj prestigjioze, kabaretë dhe bordellot e saj”, shkruante z.Krauze, në një ese të kohëve të fundit,  rreth domethënies sociale dhe kulturore të “Roma”.

Cuarón jetonte në një anë të qetë rruge në zonën e njohur si Roma Sur, apo Roma jugore. Kur ai ishte i ri, Roma Sur ishte më pak e dyndur dhe më e përshkueshme sesa gjysma veriore e lagjes, Roma Norte. Njerëzit do ta nënçmonin zonën e tij, duke e quajtur “Roña” – që do të thotë “gjiriz”. “I thashë atij se kisha jetuar në Roma Norte. “Ana e djathtë e rrugës”, tha ai me një lloj sarkazme”. Roma u godit fort nga një tërmet shkatërrimtar më 1985-ën, që përshpejtoi largimin e banorëve dhe shpërbërjen e lagjes. Gjatë dekadës së shkuar, megjithatë, Roma u ripopullua dhe u bë një vorbull e borgjezisë dhe spitullaqëve sërish, duke mbështetur një kafene shik në lulëzim, galeri arti, butikë, restorante dhe bare. Në këtë rilindje, vijat e dallimit mes Roma Norte dhe Roma Sur janë zbehur, megjithëse jo krejt. “Mendoj se Roma Sur është ende më e mprehtë”, thotë Cuarón, duke shtuar se ai vlerëson sesi Roma Sur ende mbështet biznese të vogla dhe punishte tregtarësh – disa prej të cilave,  i mban mend nga fëmijëria. Parkuam pranë Bulevardit Insurgentes, një rrugë kryesore që ndan Roma Sur nga lagjja Condesa. Dyert e makinës hapen ndaj një peizazhi kaotik tingujsh: shitës dhe trafik. Ecim deri në trotuar, mbushur me tregtarë që shesin këllëfë celularësh dhe stoli të lira, sheqerka dhe syze, manikyr dhe bojë këpucësh.

Duke biseduar me admirues dhe fqinj në Rrugën Tepeji. Foto kredit:  Adriana Zehbrauskas për  New York Times

Cuarón ndalet në kryqëzimin e Bulevardit Insurgentes dhe Baja California, e lirë për të gjithë kalimtarët dhe mjetet, transportin publik dhe shitësit. Një kopje e kryqëzimit – e bërë për të ngjarë me atë të fillim vitet ’70 – shfaqet në film, kur protagonistja, guvernantja e shtëpisë, Cleo, rend pas fëmijëve. Por kryqëzimi është më i qetë dhe më i rregullt në ekran, që është ashtu si e kujton Cuarón. Në rininë e tij, thotë ai, ishte vend që kumbonte aspiratë; ai pasqyron atë shpirt në zgjedhjen e tij të bizneseve për të përfshirë në film, si një agjenci udhëtimesh dhe një klinikë veterineri. “Ishte ndoshta më e kushtueshme ta çoje qenin atje,  sesa fëmijët në spital”, thotë Cuarón, me zërin gati në të bërtitur, mes turmës. “Kur vije këtu, ishte ëndrra e kozmopolitizmit dhe modernitetit, që Meksika kish nisur të përjetonte atë periudhë”. Tani, megjithatë është zhurmnajë urbane,  pa parime drejtuese. Kishte ushqimore dhe sallone për thonjtë, ndërtesa zyrash të panumërta dhe dyqane veshjesh. “Gurgule dhe mall”, thotë regjisori, ndërsa sheh përreth. Mendja e tij kthehet sërish nga e shkuara: “Kishte thuajse ekzaltim kur mbërrije në një vend të sofistikuar, modern, e merr me mend?!”

Kthehemi tek makina, edhe njëherë përmes turmës së dendur të kalimtarëve dhe shitësve në trotuarin e Insurgentes. Kalojmë reklamën për “Roma”, afishuar në një stacion autobusi, aty pranë. Filmi është pritur mjaft mirë në Meksiko nga kritikët, por edhe nga publiku. Në një stendë gazetash, Cuarón pikas një fotografi të Yalitza Aparicio-s, e cila interpreton Cleo-n, në kopertinën e një reviste meksikan. “Jam shumë i lumtur për këtë”, thotë ai, duke treguar nga fotoja. Imazhet e Aparicio-s në revistë kanë ngjallur debate rreth përfaqësimit të meksikanëve vendas  në kulturën popullore, reklamimet, rreth një racizmi më të gjerë, me rrënjë të thella dhe ndarjen e klasave në Meksikë. “Jam i lumtur që po diskutohet”,  thotë ai. Kur kthehemi në makinë, ai e drejton shoferin për nga rruga Tepeji, ku u rrit, pak blloqe më larg. Është një rrugë e ngushtë rezidenciale me shtëpi modeste, kryesisht dykatëshe.

Më 1985-ën, tërmeti përshpejtoi rënien e Romas, por lagjja ka përjetuar rilindje në dekadën e fundit.

Cuarón vajton llojet e ndryshimeve që pronarët e shtëpive në vitet ’60 dhe ’70, nisën të bënin, duke mbuluar pikërisht ato detaje që i jepnin sharm arkitekturës së lagjes. “Kur u ranë në dorë pak para, njerëzit nisën t’i modernizonin shtëpitë për shkak se donin t’i përkisnin, një epokë e re, kujton ai. “I sheh ato dritaret me alumin”, vijon ai, ndërsa tregon me dorë një shtëpi. “Supozohet të ishin moderne. Shihi ato dyer”, tregon ai nga një tjetër shtëpi – “dyer të tmerrshme. Apo duke vendosur gjithë ato tjegulla aty, duke mbuluar atë që ka qenë e bukur.” Cuarón dhe ekipi i tij i produksionit ishin të patëmetë në rikrijimin e gjërave siç ishin – dhe si i mbante mend ai. Ata shpresonin të xhironin në sa më shumë vendndodhje origjinale dhe ishin në gjendje ta bënin në disa raste – duke përfshirë rikrijimin e masakrës Corpus Christi, kur forcat e sigurisë sulmuan studentët gjatë marshimit më 1971-shin. Por në raste të tjera, vendndodhjet origjinale kishin ndryshuar rrënjësisht, ndonjëherë si rezultat i rindërtimit pas tërmetit të 1985-ës, ata u detyruan të krijonin vendndodhjet nga hiçi. Më 1985-ën, tërmeti përshpejtoi rënien e Romas, por lagjja ka përjetuar rilindje në dekadën e fundit.

Ky proces nisi me biseda të gjata mes Cuarón dhe dizajnerit të produksionit të filmit, Eugenio Caballero, që është rritur gjithashtu në Roma. Ata i shtuan këtyre bisedave edhe kërkim më të gjerë arkivor. Ndërtuan një kopje të dy blloqeve të Bulevardit Insurgentes dhe gjithashtu e përshtatën për një skenë, me qëllimin për të evokuar Bulevardin Baja California. Dhe më pas rindërtuan pjesë të një spitali. Por vëmendja e tyre më e madhe ndaj detajeve u fokusua për rindërtimin e shtëpisë e fëmijërisë së Cuarón-it. Shtëpia origjinale – Rruga Tepeji 21 – i është nënshtruar shumë ndryshimeve dhe ishte e papërdorshme për produksionin. Në vend të saj, ata përshtatën fasadën e një shtëpie në anën tjetër të rrugës për skenat jashtë dhe pamjet e brendshme, i morën nga një tjetër shtëpi, e planifikuar për shembje dhe e rimodeluar thellësisht për t’i ngjarë shtëpisë së familjes së Cuarón-it, me shumë vëmendje ndaj detajeve: Ata punësuan një artizan për të riprodhuar tjegullat origjinale, duke përdorur teknikat e fillimshekullit 20.

E pyeta Cuarón-in pse ishte fiksuar aq shumë në rikrijimin e çdo detaji, edhe të shtëpisë së tij, kur vetëm pak njerëz e kanë ditur dallimin. Ai përgjigjet zvargët: “Do ta dija unë”. Qyteti i Meksikos, thotë ai, është një vend në tension konstant mes asaj që është dhe asaj që ka qenë. “Për mua është vend i mbushur me të kaluar”, thotë ai me trishtim. Një pastruese fshin rrugët dhe trotuarin përballë shtëpisë, që ndodhet pranë shtëpisë së tij të fëmijërisë, ndërsa fijet e fshesës së saj gërvishtin betonin. “Ai është një tjetër tingull”, thotë i ngazëllyer Cuarón. “E kemi në film.”  Pastaj gruaja merr një kovë ujë dhe nis të shpëlajë trotuarin dhe fasadën e shtëpisë. “Ai tingull”, thërret ai, ndërsa sytë i ndizen. Filmi hapet me Cleo-n që pastron rrugicën përpara shtëpisë duke përdorur ujë dhe fshesë dhe,  Cuarón duket i kënaqur –ndoshta  edhe i bindur – nga ky kryqëzim i jetës që imiton artin, që imiton jetën. Me gjithë ç’ka ndryshuar, ka të paktën disa gjëra që kanë mbetur ashtu si ai i mbante mend. *Kirk Semple/ NewYork Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë