Ne rrjet

Qytetet ilegale ku skllevërit kibernetikë mashtrojnë online miliona njerëz nga mbarë bota

Nga Emanuele Gordana- "Ishte një i afërm i imi ai që më orientoi kur kërkoja punë disa vite më parë”- e nis ajo rrëfimin. Wei (është një emër fiktiv) është birmaneze (pakice nga Mianmar), më pak se 30 vjeçe dhe di mirë anglisht. Ajo ka punuar në sektorin e turizmit. Por llogaritet se pas grushtit të shtetit dhe pandemisë së Covid, në Mianmar kanë humbur 1.5 milion vende pune në sektorët ku punohet në bashkëpunim me vendet e huaja.

Wei e pranoi këtë aventurë: të shkojë në një qytet të cilit nuk ia di as emrin, por ku i premtohet se do të marrë një rrogë të mirë.

“Kur shkova atje më futën në një kompleks, ku më duhej të kaloja orë të tëra duke folur në telefon. Puna ishte e vështirë, por ajo që më rëndoi më shumë ishte se nuk na lejonin të dilnim jashtë.

Në kompleks kishte gjithçka: restorante, parukeri dhe dyqane. Por ishte e ndaluar të kishe kontakt me njerëzit jashtë. Unë rezistova për një fare kohe. Pastaj iu luta të afërmit tim që të më lejonte të kthehesha në shtëpi. Dhe më në fund më liruan”- rrëfen ajo.

Wei e tregon historinë e saj gjatë përgatitjes së një sallate me gjethe çaji, një specialitet i njohur dhe i shijshëm birmanez. Ajo është e vetëdijshme se pati shumë fat sepse arriti të shmangë bllokimin në gjendjen e skllavërisë që detyron mijëra njerëz çdo ditë, veçanërisht birmanezët dhe kinezët, që të punojnë në të ashtuquajturat “qytetet mashtruese”, me të cilat Mianmari është i mbushur përgjatë kufijve me Kinën dhe Tajlandën dhe nga ku ata përpiqen të kontaktojnë me kumarxhinjtë nga mbarë bota, të rinj kinezë, evropianë të moshuar, gra beqare amerikane, adoleshentë tajlandezë etj.

“Gjithçka nisi me një mesazh SMS ose mesazh në WhatsApp. Dhe një i tillë mbërriti edhe në celularin tim. Në foton e profilit shihej një vajzë aziatike: “Përshëndetje!”. Prefiksi i numrit ishte +95, ai i Mianmarit. Unë u largova nga Bangkoku në fillim të marsit për në Mae Sot, provinca Tak, në Tajlandën perëndimore, me idenë për të qëndruar pak kohë në Mianmar. Kisha qenë atje një vit më herët.

Është një qytet, që në varësi të burimeve varion nga 50-120 mijë banorë, numër që duhet t’i shtohen të paktën 100 mijë birmanezë, përfshirë refugjatë, emigrantë të paligjshëm dhe punëtorët sezonalë. Ata vijnë nga përtej kufirit, dhe kur kanë leverdi punojnë në dhjetëra fabrika tekstile të zonës apo si punëtorë në fshat.

Në këtë mënyrë, shpëtojnë nga konflikti midis juntës ushtarake dhe rezistencës, ose nëse ia dalin nga një qytet mashtrues. Por arratia nuk është e lehtë. Sepse ata që ju presin kanë në dorë pasaportën dhe telefonin tuaj. Nëse ankohesh do të të rrahin. Dhe atje tej ka luftë.

Qytetet mashtruese janë një fenomen relativisht i kohëve të fundit, për të cilin ka filluar të flitet vitet e fundit, sidomos në Shtetet e Bashkuara, vendi më i populluar, me më shumë para dhe ndoshta më i kërkuari nga mashtruesit, të cilët flasin anglisht dhe numërojnë shumë para në dollarë ose kriptomonedha.

Në Mae Sot shkova pas një bisede paraprake në Bangkok me Jason Tower, i cili punon në Institutin e Paqes në Shtetet e Bashkuara, një qendër kërkimore e Kongresit Amerikan që merret prej kohësh me këtë dukuri. Ishte Jason Tower, ai që më tha se në qytetin Shwe Kokko në Myanmar, jeton një popullatë skllevërish kibernetikë që “mund të numërojë rreth 3 mijë individë”, të punësuar në Instagram apo të mbetur peng i ndonjë agjencie punësimi në rrugën Sukhumvit në Bangkok.

Por nuk janë vetëm tajlandezët: edhe indianët, kenianët, filipinasit. Është një përzierje e çuditshme mes parave të Triadave, organizatave kriminale kineze, veprimtarive të pastrimit të parave dhe strategjive politike, të cilat në “qytetet mashtruese” përputhin në mënyrë të tërthortë interesin kombëtar me atë të mafies.

Për kinezët, ato janë struktura që mund t’i shërbejnë strategjive të ndikimit ekonomik të Republikës Popullore jashtë vendit. Për mafian është një biznes që përzien drogën, lojërat e fatit dhe prostitucionin me mashtrimet online. Unë kam qenë në Shwe Kokko në vitin 2023, dhe jam mahnitur nga një qytet vezullues përtej kufirit midis Tajlandës dhe Myanmarit.

Arrita të bëj disa foto nga posta e doganës tajlandeze, në moment kur askush nuk më kishte vënë re. Pastaj hipa në një traget të vogël që sillte ujë të pijshëm dhe tulla në Mianmar nga Tajlanda. Në anën tjetër të lumit kishte vetëm vinça, ndërtues dhe një kazino të madhe të rrethuar nga një kopsht i mirëmbajtur.

Megjithatë mashtruesit nuk dukeshin gjëkundi. Ata qëndrojnë të mbyllur në komplekset e tyre.

“Në këto komplekse, shumica e viktimave të trafikimit, shkruante së fundmi South China Morning Post, nuk e kanë idenë se janë në Mianmar derisa të jetë tepër vonë. Grey, një i ri filipinas, e kuptoi se nuk ishte në Tajlandë vetëm kur pa flamurin birmanez.

Ushtria tajlandeze mbyll njërin sy. 15 qytetet ndodhen në fakt në zonën përtej lumit Moei, ku gërmimet e mëdha paralajmërojnë ndërtime të reja. Dhjetëra e dhjetëra kantiere premtojnë një ekspansion të ndërtimeve. Aktualisht ka vetëm 3 qytete: Park KK në jug të Myawaddy; Parku Familjar në skajin jugor të qytetit; dhe pak më në veri ka një zonë tjetër në ndërtim e cila mund të jetë Porta 25.

Nga kufiri i Tajlandës, dhjetëra kulla telefonike drejtohen nga Mianmari, sepse është Tajlanda ajo që siguron energjinë elektrike dhe rrjetin, si dhe tulla dhe çimento. Në vitin 2020, qeveria e Aung San Suu Kyi-t tentoi një spastrim të këtyre aktiviteteve të paligjshme.

Por me grushtin ushtarak të vitit 2021, aktivitetet në qytetet mashtruese rifilluan në një masë edhe më të gjerë falë rrjetit dhe energjisë tajlandeze. Por nëse dëshiron, Bangkoku mund ta ndërpresë furnizimin. Vazhdoj të udhëtoj drejt Shwe Kokko, rreth 20 kilometra më në veri, dhe panorama është mbresëlënëse.

Buzë një vendi të shkatërruar nga lufta dhe një fshati të mjerueshëm, qëndron një qytet me rrokaqiejt dhe drita që të kujtojnë Hong Kongun dhe Singaporin. Në një vit, qyteti i ri ka pësuar shumë ndryshime. Mbrëmjeve një ekran gjigant projekton një akuarium të madh me peshq virtualë.

Ka qindra shtëpi, dhjetëra ndërtesa zyrash prej xhami, kazino me pamje nga lumi. Vendi është aq luksoz saqë një sipërmarrës i ri tajlandez ka hapur një bar në kufi me pamje nga qyteti mashtrues Shwe Kokko u themelua në vitin 2015 si një investim nga Yatai International Holdings Group të Hong Kongut, në partneritet me Chit Linn Myaing & Industry Co. Ltd, një kompani birmaneze. Popullsia që banon në këtë zonë të Mianmar është në luftë ndaj juntës ushtarake.

Deri pak javë më parë, kufiri kontrollohej nga një grup renegat i milicëve Karen, aleatë me puçistët. Ai është maja e ajsbergut e një fuqie punëtore që sipas një dokumenti të Kombeve të Bashkuara numëron rreth 120.000 skllevër vetëm në Mianmar. Në listë e dyta vjen Kamboxhia me të paktën 100 mijë.

Pastaj është Laosi. Është një ushtri e specializuar në vjedhjet dhe mashtrimet telematike, një biznes që në vitin 2021 u vlerësua nga OKB-ja se gjeneron 7.8 miliardë dollarë në kriptovaluta të vjedhura. Hulumtimi me titull “Si fluksi i kriptomonedhave e financon skllavërinë?” nga John M. Griffin dhe Kevin Mei nga Universiteti Austin në Teksas, i publikuar në shkurt, flet për “të paktën 75.3 miliardë dollarë në llogari të dyshimta”.

Griffin dhe Mei pretendojnë se marrëveshjet bëhen kryesisht në Myanmar dhe Kamboxhia, dhe shpjegojnë se mashtrimet bazohen në skllavërimin e mashtruesve. Por në qytetet mashtruese, ekziston edhe tregtia tradicionale: metamfetamina, specie të mbrojtura, prostitucion, lojëra fati tradicionale por edhe nëpërmjet internetit, dhe të ndaluara në të gjithë botën.

Kinezët dhe tajlandezët janë shumë të pranishëm. Mjafton që ata të kalojnë kufirin. Për të gjithë të tjerët online. Ajo që ndodh në Shwe Kokko dhe qytete të tjera mashtruese është një sekret tashmë i zbuluar. Madje në gusht të vitit të kaluar në Kinë u publikua një film mbi të, që arkëtoi 500 milionë dollarë në 2 muaj.

Ndërkohë në Myanmar dhe Kamboxhia, ku supozohet se janë vendosur qytete të tilla, u ndalua transmetimi i tij. Në shtetin imagjinar dhe pa emër të Azisë Juglindore, ku zhvillohet ngjarjet e filmit, vërehen shkrime në gjuhën Khmer. Dy muaj përpara se të publikohej filmi “No More Bets”, Tajlanda kishte ndërprerë energjinë elektrike në qytetet mashtruese.

Prej disa kohësh kinezët e kanë detyruar juntën e Mianmarit të kryejë disa arrestime në veri të vendit. Po ashtu Pekini urdhëroi lirimin e 1 mijë kinezëve nga zona e Park KK, dhe në fakt në kohën e vizitës sime dukej se aktivitetet ishin ndalur. Në fund të shkurtit, 900 kinezë u riatdhesuan gjithashtu në heshtje nga aeroporti Mae Sot.

Por një video amatore zbuloi historinë, e cila përfundoi në gazeta. Përgjatë kufirit, policia tajlandeze duket se ka një qëndrim më kërcënues. Në janar sipas Radio Free Asia, milicia BGF ndërpreu marrëdhëniet me juntën dhe u deklarua neutrale. Por është e përhapur ideja se ajo është rreshtuar në anën e lëvizjes së rezistencës Karen.

“Jo zyrtarisht, por në fshehtësi”, më shpjegon një pjesëtare e re e kësaj milicie që punon në Tajlandë, e bindur se po nga guerilët anti-puçistë po zhvillohet një betejë për pushtimin e kryeqytetit të Mianmarit. Në jug dhe në veri të kryeqytetit dëgjohen zhurmat e bombardimeve, por në Shwe Kokko gjithçka duket e qetë, ndërsa natën janë të pakta dritaret e ndriçuara.

Burimi: Il Post. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë