Taksa

“Qeveria të vendosë TVSH 6% për gjithë zinxhirin; nga fermeri te konsumatori”

Sabina Veizaj - Në një intervistë për Gazetën “Si”, ish-zëvendës ministrja e Financave Irena Beqiraj shpreh pikëpamjen e saj në lidhje me Skemën e TVSH-së për lëndën e parë bujqësore dhe prodhimin bujqësor që nga periudha përpara 2014-ës dhe deri më sot me skemën e re.

Në një analizë që ajo i bën taksimit të sektorit, gjykon se skema përpara vitit 2014-të përputhej me atë çfarë BE aplikon sot për fermerët.

Për Beqiraj, ajo i qëndron mendimit se një model i mundshëm dhe i duhur sipas saj, do të ishte ai që diferencon trajtimin fiskal të femave të vogla nga fermat e bashkuara apo të mëdha, i icili tenton të drejtojë grumbulluesit kryesisht drejt fermave të bashkuara. Në këtë mënyrë thotë Beqiraj, fermerët jo vetëm që nuk do të kenë tendencën të fragmentarizohen (siç i nxiste skema e 2014-ës), por përkundrazi të bashkohen.

Kurse zbatimi i normës së reduktuar 6% të TVSH vetëm në hallkën e furnizimit të produktit buqësor, rrit presionin dhe ngarkësën fiskale tek hallkat e tjera të kanalit të shpërndarjes dhe përpunimit të produkteve buqësore

Qeveria i ka të gjitha mundësitë të konsiderojë regjimin e TVSH-së 6%, mendon, ajo; jo vetëm për femerin, por për të gjithë kanalin e shpërndarjes dhe të përpunimit të produkteve bujqësore.

Si Zv/ ministre e asaj kohe a mund të na shpjegoni skemën që u aplikua nga Qeveria Rama 1 pas 2014-ës ?

Irena Beqiraj, ish/zv ministre e Financave

Buqësia ishte një sektor tërësisht informal, i fragmentizuar, madje nuk e teproj nëse them edhe i pamatshëm, në sensin që do të duheshin netë dimiri për të debatuar sa ishte pesha e saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Me qëllim kryesor formalizimin e saj, u propozua në 2014-ën që të gjithë fermerët e vegjël të cilët kishin xhiro vjetore nën 5 milion lekë, duhet të pajiseshin me Niptin e fermerit. Grumbulluesit kishin mundësi të përpilonin vet faturën e blerjes duke aplikuar mbi vlerën e mallit jo më normën 6%, por normën e plotë standarte të TVSH-së 20%. Pra nëse fermeri e shiste një kg domate 20 lekë, çmimi i cili do të duhet të arkëtonte sipas faturës së përpiluar nga grumbulluesi duhet të ishte 24 lek, pra plus 4 lekë TVSH.

Kur unë iu bashkova Ministrisë së Financave në 2015-ën dhe gjatë gjithë periudhës së zbatimit të saj, kjo incentivë ka qenë shumë e debatuar në rrethet e politikbërjes. Edhe pse u hartua për ti ardhur në ndihmë fermerit, me qëllim jo formalizimin por edhe subvencionimin e tij nëpërmjet grumbulluesit, rezultoi që nuk kishte asnjë mekanizëm që kontrollonte nëse në të vërtet shtesa prej 4 lek e TVSH-së shkonte tek fermeri.

Pra , grumbulluesi i kishte të gjitha mundësitë që në faturën që përpilonte vet të rriste jo vetëm vlerën e produktit, por edhe TVSH-së duke rezultuar përfituesi financiar i vetëm dhe i pakufizuar i skemës . Fermeri që duhet të ishte përfituesi i vërtetë i skemës, sërisht paguhej 20 lek për një kg domate. Duke qënë që grumbulluesit mund të përcaktonin pa asnjë kontroll e sipas dëshirës, vlerat e faturuara për produket e blera nga fermerët, sidomos kur pagesa e fermerit bëhej me para në dorë, grumbulluesit rrisnin fiktivisht jo vetëm TVSH-në e kreditueshme dhe më pas të rimbursueshme, por rritën fiktivisht edhe kostot duke ulur kështu edhe tatimfitimin që i paguanin shtetit.

Në vitin 2015-të pati një përpjekje nga MF që ti detyronte grumbulluesit që pagesat e femerëve ti kalonin nëpërmjet bankës. Ky u konsiderua në atë kohë i vetmi mekanizëm kontrolli mbi atë që autofaturohej nga grumbulluesi, dhe asaj që i paguhej realisht fermerit. Kjo nismë u kundështua fort nga aleati i dikurshëm në qeverisje LSI, ku rikujtoj që Z. Petrit Vasili i dërgoi një letër të hapur Ministrit të Financave.

Meqënese grumbulluesit u vendosën në këtë trajtim të pakufizur dhe preferencial, sigurisht u rrit interesi i tyre për produktet bujqësore vendase. Kështu që edhe pse fermeri nuk përfitonte financiarisht, kishte siguruar deri diku tregun për produktet e tij .

Por në këndvështirmin tim, problemi më i rëndëshishëm i kësaj skeme, ishte nxitja e copëzimit apo fragmentizimit të mëtejshëm të fermës. Kjo skemë i nxiti fermerët të ndasheshin dhe jo të bashkoheshin. Ka pasur raste kur brenda një familjeje janë evidentuar 4 apo edhe 5 nipte të ndryshme. Taksimi që duhet të incentivonte bashkimin, edhe ekonominë e shkallës si model zhvillimi, në të vërtet incentivoi ndarjen, dhe copëzimin e mëtejshëm.
Të gjitha fermat deklaroheshin se shin të vogla. Nuk paguanin por edhe nuk ishin subjekt i asnjë raportimi. Në këto kushte asnjë fermeri nuk i duhej dhe nuk i interesonte një faturë me TVSH për lëndën e parë buqësore. Si e tillë lënda e parë shitej në kushte informaliteti. Kjo skemë nxiti informalitetin në gjithë kanalin e shpërndarjes së lëndës së parë, nxiti kontarbandën, mungesën e kontrollit të cilësisë së lëndës së parë dhe kimikateve që përdoreshin.

Shkurtimisht nga kjo skemë përfituan vetëm grumbulluesit, të cilët në kushtet e mungesës së mekanizmave të kontrollit kanë pasur të gjitha mundësitë edhe të abuzojnë. Kjo skemë nxiti më tej fragmetizimin e fermave, dhe lënien në informalitet të plotë të të gjithë kanalit të shpërndarjes së lëndës së parë.

Duke bërë një qasje krahasuese me vendet e Europës; a i nënshtrohen TVSH-së fermat e vogla në Europë ?

Në Europë përdoret gjërësisht përjashtimi nga TVSH-ja i fermave të vogla. Përcaktimi se cilat ferma konsiderohen të vogla, bazohet në matës të ndryshëm siç mund të jetë niveli i xhiros vjetore ose sipërfaqja e tokës apo numri i krerëve të bagëtisë. Duke qenë se fermat e vogla janë të përjashtuara nga detyrimi për të lëshuar faturë tatimore me TVSH, e gjithë TVSH-ja që fermeri paguan në blerje të lëndës së parë nuk mund të kreditohet nga ana e fermerit të përjashtuar dhe si e tillë përballohet nga fermeri. Autofaturimi përdoret në Europë si një mekanizëm për të zbutur kostot e TVSH-së së lëndëve të para për fermerët e vegjël. Për këtë arsye vendet e BE-së lejojnë që grumbulluesi të aplikojnë një normë të përcaktuar, ndryshe e quajtur norma e kompensimit ose autofaturimit , e cila në çdo rast në vendet e BE-së është më e ulët se norma standarte e aplikuar e TVSH-së.

Shqipëria para 2014-ës, aplikonte pikërisht këtë model. Pra norma standarte e TVSH-së për produktet buqësore ishte 20% ndërkohë që lejohej autofaturimi nga ana e grumbulluesit i normës së kompensimit 6% për fermerët të cilët ishin paisur me kodin e fermerit të vogël . Fermerët e mëdhenj ishin subjekt i TVSH-së dhe si të tillë faturonin me normën standarte 20% dhe kuptohet kreditonin TVSH-në e paguar gjatë blerjes së lëndës së parë .
Skema pas 2014-ës në Shqipëri nuk përputhej me parimin e shpjeguar më lartë dhe të aplikuar në BE për normën e kompensimit apo autofaturimit.

Znj. Beqiraj, çfarë mendoni për heqjen e TVSH-së për lëndën e parë bujqësore?

Nga një studim i bërë në Maj 2017 në BE është arritur në konkluzionin që vendet e BE-së do të duhet të bëjnë 0 TVSH-në për lëndën e parë duke eleminuar kështu edhe nevojën për autofaturim nga ana e grumbulluesve. Thënë këtë, është për tu përshëndetur, heqja e TVSH-së së lëndës së parë, e cila çon automatikisht në formalizim e kanalit të shpërndarjes së lëndës së parë, por edhe kontrollin e saj. Së dyti, kjo masë zeron ngarkesën e TVSH-së së paguar për lendën për të gjitha fermat, pavarësisht madhësisë duke eleminuar tërësisht nevojën për autofaturim.

Znj. Beqiraj , a e mbështesni ju vendosjen e TVSH-së 6% për prodhimin buqësor?

Skema e taksimit për një sektor të caktuar duhet të mendohet 360 gradë, pasi taksimi funksionon me parimin e enëve komunikuese. Pra kur ulet presioni në një enë, ai rritet në enën tjetër. Qeveria sërisht e ka ofruar një politike hibride, deri diku të paqartë, që në mendimin tim do të detyrohet ta ndryshojë sërisht dhe druaj shumë shpejt. Zhvillimi buqësor kërkon konsolidim të tokës dhe të aktivitetit buqësor dhe jo copëtimin e tij. Politkëbërja duhet të gjëjë mekanizmat e nevojshëm që nxisin fermërët të bashkohen, por pa hequr trajtimin e drejtë në taksim edhe kur ato duan të mbeten të vegjël.

Qeveria ka ofruar një normë të reduktuar të TVSH -së 6% për gjithë produktet buqësore të prodhuara, qoftë nga fermat e vogla edhe të mëdha. Hibridizimi konsiston që paradoksalisht për fermat e vogla ofrohet si autofaturim nga grumbulluesi, ndërsa ferma e madhe do ta aplikojë po të njëjtën TVSH 6% në çdo faturë shitjeje të lëshuar nga ajo vet. Kjo rrit ngarkesën e TVSH-së tek përpunuesit dhe kanali i mëtejshëm i shpërndarjes së produktit buqësor.


"Unë nuk mendoj se ky problem zgjidhet me protesta. I kuptoj grumbulluesit, të cilët nga një trajtim i pakufizuar preferencial siç e shpejgova më sipër, gjendet sot në kahun tjetër; në rritje të ngarkesës fiskale. Por më shumë se të protestojnë; duhet të ulen të reflektojnë për zgjidhje gjithëpërfshirëse edhe jo zgjidhje vetëm në kahun e përfitimit të një grupi të caktuar. Ndërkohë, nuk e shoh skemën e praktikuar nga qeveria si penalizuese për fermerët" - Irena Beqiraj

Si i gjykoni reagimet dhe protestimin e grumbulluesëve, përpunuesëve, eksportuesëve dhe fermerëve këto kohë? Cili është reagimi juaj ndaj bojkotit që kategoritë e mësipërme do tu bëjnë produkteve vendase?

Ka disa procese në vendin tonë të cilave u ka rënë dobia shtesë , të tilla janë protestat dhe bojkotet. Kjo ndodh për shkak të përdorimit të tyre me vend e pa vend nga shumë grupime ekonomike, sociale apo politike. Protesat edhe bojkotet në vendit tonë mund ti përmbedh vetëm me këto fjalë “Do protestoj!” Shumë Mirë! E po pastaj? Unë nuk mendoj se ky problem zgjidhet me protesta. I kuptoj grumbulluesit, të cilët nga një trajtim i pakufizuar preferencial siç e shpejgova më sipër, gjendet sot në kahun tjetër; në rritje të ngarkesës fiskale. Por më shumë se të protestojnë; duhet të ulen të reflektojnë për zgjidhje gjithëpërfshirëse edhe jo zgjidhje vetëm në kahun e përfitimit të një grupi të caktuar. Ndërkohë, nuk e shoh skemën e praktikuar nga qeveria si penalizuese për fermerët.

Sipas jush si duhet modeluar kjo skemë?

Unë kam qenë dhe jam mbështetëse e diferencimit të fermave të mëdha nga ato të vogla. Ferma e vogël me xhiro vjetore nën 5 milionë, të jetë e përjashtuar nga TVSH-ja. Dhe në kushtet e mungesës së TVSH-së për lëndët e para, nuk është e nevojshme të ofrohet kompensim apo autofaturim. Fermat e mëdha duhet të jenë subjekt i TVSH-së 20% në përputhje me TVSH-në e aplikuar në hallkat e tjera të kanalit të shpërndarjes apo përpunimit të produktit buqësor. Në këto kushte, grumbulluesit që sot ankohen për uljen e normës së TVSH -së në blerje, do të kishin mundësinë të drejtoheshin lehtësisht tek fermat e bashkuara.

Për të lehtësuar ngarkësën e TVSH-së për fermat e bashkuara, një pjesë e TVSH-së së paguar nga këto të fundit, mund t’ju rikthehej si subvencion fermave të bashkuara. Në të gjitha rastet subvencionimi është më i mirë se aplikimi i normës së reduktuar së TVSH-së për dy arsye: e para , subvencionimi jepet në bazë të rezultateve, e dyta zbatimi i normave të reduktuara të TVSH-së në hallka të veçanta të kanalit të shpërndarjes së një produkti krijon; jo vetëm vështirësi në administrim, por mundësi për abuzim. Pse jo, qeveria mundet të konsiderojë si zgjidhje përfundimtare zbatimin e një TVSH -je të reduktuar 6% jo vetëm për fermerin por për gjithë kanalin e shpërndarjes dhe të përpunimit të produkteve bujqësore, duke harmonizuar kështu zbatimin e skemës së TVSH-së. Kjo masë do të ndikonte edhe në uljen e çmimeve të produketeve bujqësore, të cilat janë produktet bazë të konsumit të popullatës.

Pas 30 vjetësh duhet të ndërgjegjësohemi që incentivat në taksim janë mejte që duhen përdorur me shumë zgjuarsi, larg populizimit, pasi vetëm kështu mund të shërbejnë si mjete zhvilluese dhe jo të kthehen në mjete abuzimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë