Para

Qeveria nuk është në ngut për borxhe, Eurobond të ri në 2022

Shqipëria do të dalë në tregjet ndërkombëtare me një Eurobond të ri në vitin 2022.

Këtë e ka bërë me dije Ministrja për Financat dhe Ekonominë Anila Denaj.

“Planet tona nuk parashikojnë dalje me Eurobond në 2021, por në 2022.”- u shpreh Denaj.

Ajo sqaroi se në 2021 nuk është parë nevoja për një borxh të ri, pasi vendi nuk ndjehet më në kushtet e emergjencës siç ishte në bllokimin e aktivitetit të plotë ekonomik gjatë pranverës për shkak të krizës shëndetësore globale.

“Buxheti parashikon realizimin e shpenzimeve në terma të diskutuara. Viti 2021 do të jetë më i mirë se viti që shkoi, nuk është në gjendjen e emergjencës. Ne nuk parashikojmë mbylljen e ekonomisë. Jemi në kushte të mjaftueshme të likuiditetit sipas parashikimeve, prandaj situata aktuale nuk na drejton të dalim këtë vit në tregjet ndërkombëtare. Nuk mund të bëjmë parashikime 100% të vitit ekonomik sepse të papriturat nuk i ndalojmë dot, por me parashikimet e skenarit bazë, nuk na lind nevoja për një tjetër borxh”- tha ministrja.

Eurobondi i fundit i Shqipërisë mori miratimin nga tregjet e kapitaleve në qershor 2020 në kërkim të financimit të ekonomisë post- covid.

650 milionë euro ishte vlera që vendi ynë kërkoi në tregjet ndërkombëtare në formën e eurobondit, 250 milionë euro për të financuar Eurobondin e marrë në vitin 2015, që ishte në vlerën e 450 milionë euro me normë interesi 5.75% dhe që i mbaroi afati i shlyerjes në 12 nëntor 2020, ndërsa pjesa tjetër për tërmetin që goditi Shqipërinë vitin e kaluar dhe shpenzimet.

Në vitin 2010 Shqipëria shënoi daljen e saj të parë në tregjet e kapitalit për të marrë një Eurobond me vlerë 300 milionë euro, arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe një afat maturimi 5-vjeçar.

Dalja e dytë e Shqipërisë ishte më 5 nëntor 2015 për 450 milionë euro. Kuponi fiks i siguruar në këtë dalje ishte 5.75% me 5 vjet maturim. Dalja e dytë është përkthyer në një interes më të ulët. Dhe, dalja në 2018 mban interesin më të ulët historik të arritur nga Shqipëria në tregjet e kapitalit.  Nga kjo dalje u emetuan 500 milionë euro me një kupon fiks prej 3.55% dhe afat maturimi 7-vjeçar.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë