Para

Nga 1 korriku, pensionet indeksohen me 2.7%

Nga Gazeta ‘Si’- Rreth 900 mijë pensionistë do të përfitojnë një rritje prej 2.7% të pensioneve, duke nisur nga data 1 korrik.

Vendimi i miratuar nga qeveria parashikon indeksimin e pensioneve të pleqërisë, pensioneve të veçanta, si edhe përfitimeve të barrëlindjes, me qëllim kompensimin e rritjes së kostos së jetesës si pasojë e inflacionit.

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar urban i pleqërisë, që në fund të vitit 2025 ishte 20.123 lekë, pas indeksimit prej 2.7% do të rritet me 543 lekë, duke arritur në 20.666 lekë në muaj.

Ndërkohë, pensioni mesatar rural i pleqërisë do të rritet nga 11.878 lekë në 12.107 lekë.

Rritje do të kenë edhe kategoritë e tjera të pensioneve. Pensionet e invaliditetit në zonat urbane do të shtohen me 537 lekë, ndërsa ato rurale me 279 lekë. Pensionet familjare urbane do të rriten me 256 lekë, ndërsa ato rurale me 46 lekë.

Ky është indeksimi i parë që prej vitit 2022 që zbatohet në muajin korrik. Në vitet e fundit, indeksimi është kryer në muajin tetor, duke bërë që pensionistët të prisnin disa muaj më tepër për përfitimin e rritjes.

Qeveria argumenton se masa synon të amortizojë efektet e inflacionit dhe rritjes së çmimeve, të ndikuara edhe nga zhvillimet ndërkombëtare dhe shtrenjtimi i karburanteve e produkteve të konsumit gjatë këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë