Gazeta Si – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat kërkoi masa sigurimi “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim për t’u paraqitur” në policinë gjyqësore, për 11 persona, nën hetim për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.
Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr.47, rezultoi se në gjashtë subjektet tregtare të hetuara, nga administratorët dhe punonjësit e tyre, është ushtruar aktivitet këmbimi valutor pa lejen e organeve kompetente.
Pas hetimeve gjashtë mujore, gjatë të cilave u përdor një kamera e fshehtë për të provuar veprimtarinë që ushtrohej pa licencë, prokuroria lëshoi 11 masa sigurie për personat e hetuar.
Nga kontrollet e ushtruara në funksion të këtij procedimi, u gjetën dhe sekuestruan: 88 milionë lekë; 118 mijë euro; 7390 dollarë; dhe 665 paund.
Hetimet u shtrinë në pesë bashki në të gjithë qarkun dhe arritën të provojnë aktivitetin e paligjshëm të shtetasve S.T., H.S., M.M., S.H., S.C., A.H., A.S., O.V. Z.M., E.T. dhe K.P.
Këta shtetas kishin biznese të regjistruara me fushë veprimtarie “Agjent për kryerjen e veprimtarisë financiare për transfertat e parave në emër dhe për llogari të një subjekti financiar, jo bankë. Më konkretisht, shërbimet Unionnet dhe Uestern Union, me vendodhje në Berat e Kuçovë rezultuan se nuk ishin në listën e zyrave të këmbimit valutor të licencuara duke funksionuar pa licencë të lëshuar nga Banka e Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje