Ngjarje

Qeveria merr në mbrojtje Borchardt, opozita e sulmon

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj e cilësoi akt kriminal dhe të orkestruar nga drejtuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim protestën e një grupi mbështetësish të opozitës në shtëpinë e Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt.

“Veprimi është kryer në urdhra të qarta politike të krerëve të protestës me qëllim frikësimin e Ambasadorit Borchardt dhe familjes së tij, si hakmarrje primitive e atyre që pasi kanë humbur kontrollin e vetes duan të nxjerrin nga kontrolli rendin kushtetues të Shqipërisë!”, shkruan Cakaj në një reagim përmes rrjeteve sociale.

Cakaj ndan një qëndrim krejtësisht të kundërt nga opozitar për vlerësimin e punës së ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri.

“Vazhdimisht ka kryer punën e tij me profesionalizëm të plotë. Faji i tij i vetëm është thirrja fisnike për frenim nga dhuna dhe distancim nga veprimtaria e dhunshme. Sulmi ndaj tij është sulm ndaj themeleve të kulturës demokratike, imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe përpjekje e drejtpërdrejtë për të cenuar besueshmërinë e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së në 2020”, vijon ai.

Tjetër qëndrim ndan Oerd Bylykbashi. Si ish-bashkëkryetar në Komisionin për Reformës Zgjedhore dhe në çështje të tjera ligjore ku përfaqësonte Partinë Demokratike, Bylykbashi ka bashkëpunuar me zyrën e OSBE-së. Ai nuk përmend emrin e Borchardt, por risjell në kujtesë qëndrimet e dy paraardhësve të tij përballë protestave në Shqipëri.

“Në 2004, në një nga protestat "Nano Ik"‎, policia provokoi protestuesit duke qëlluar në ajër me armë. Protestuesit e irrituar më pas sulmuan portën e Kryeministrisë. Pati nga këto deklaratat standarde që dënuan protestuesit, por një deklaratë bëri diferencë. Ambasadori finlandez i OSBE në Tiranë Osmo Liponnen dënoi provokimet e policisë ndaj protestueve. Më herët, në 2002, ambasadori gjerman i OSBE në Tiranë, Geert Ahrens punoi që reforma zgjedhore të bëhej konsensuale me opozitën dhe punoi për marrëveshjen e madhe politike të 5 prill 2002 Nano-Berisha, që çoi në presidentin konsensual dhe reformën zgjedhore konsensuale. Ai e kuptoi që edhe pse PS kishte votat për të miratuar e vetme Kodin Zgjedhor, ato vota i kishte të vjedhura në zgjedhjet e 2001 dhe nuk mund ta miratonte Kodin me mazhorancë të vjedhur.‎ 15 vite pas deklaratës së Lipponen dhe 17 vite pas përpjekjeve për konsensus të Ahrens, protestuesit dhunohen dhe helmohen barbarisht nga policia pse kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme.‎ Këta dy ambasadorë do të mbahen mend për gjurmën që lanë duke kryer misionin që u ishte besuar”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë