Lajme

SHBA: Dhuna, jodemokratike. Reagon ambasada Britanike dhe OSBE

Pas akteve të dhunës gjatë protestës së sotme të opozitës para Kryeministrisë dhe Parlamentit vjen edhe reagimi i ambasadës amerikane.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ambasada ka dënuar dhunën gjatë protestës së sotme. Ajo bën apel për qetësi dhe për ndaljen e dhunës, pasi e cilëson si jodemokratike.
“Ambasada e SHBA dënon dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme. Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ambasada amerikane doli me një deklaratë edhe një ditë para protestës, duke bërë thirrje që protesta të mos përshkallëzojë në akte dhune.

Për dhunën e ushtruar në protestën e kësaj të shtune, ka reaguar edhe OSBE, duke dënuar konfrontimet fizike dhe duke ua adresuar përgjegjësinë për dhunën e ushtruar organizatorëve të protestës. OSBE shprehet se do të vijojë të nxisë dialogun mes palëve politike.
“Organizatorët e protestës së mbrëmjes të sotme duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre. Mendimet tona shkojnë me familjet e të plagosurve. OSBE-ja do të vijojë të nxisë opozitarizmin efikas dhe dialogun në Shqipëri. Por ne i dënojmë plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunën si një rrugë të shkurtër politike; ata do të dështojnë”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
Po ashtu edhe ambasadori britanik në Shqipëri, Duncan Norman, ka bërë thirrje për qetësi dhe protesta paqësore.
“Ne i nxisim të gjithë që të tregojnë respekt për sundimin e ligjit gjatë protestës së kësaj mbrëmjeje. Kjo është koha për qetësinë, përmbajtjen dhe demonstrate paqësore”, thuhet në reagimin e Norman.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë