Politike

Qeveria: Dëshmorë të vrarët e 21 janarit dhe në luftën e Kosovës

Qeveria ka depozituar në Parlament nismën për ndryshimin e ligjit “Për Statusin e Dëshmorit”, duke e zgjeruar rrethin e përfituesve, jo vetëm për ata që kanë luftuar në kohën e pushtimit nazifashist, por edhe pas viteve ’90.

Në këtë draft të depozituar në Kuvend, qeveria propozon që të përfshihen dhe shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990.

Mbi bazën e këtij përcaktimi, i hapet rruga për shpalljen  “Dëshmorë i Atdheut” dhe katër të vrarëve në protestën e organizuar nga opozita  më 21 janarit 2011 përpara Kryeministrisë, Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.

Që prej kësaj ngjarjeje, Partia Socialiste kishte premtuar nëpërmjet kryesocialistit Edi Rama bërjen e drejtësisë, por kanë kaluar tetë vite, ende për 4 viktimat e 21 janarit nuk ka drejtësi dhe se çdo vit kryeministri Rama në selinë e Qeverisë organizon ceremoninë përkujtimore, duke i thënë familjarëve që të mos i humbin shpresat te drejtësia për ndëshkimin e autorëve. Katër protestuesit ishin të paarmatosur dhe u qëlluan nga Garda.

Socialistët asaj kohë në opozitë akuzuan për këtë ngjarje të rëndë si përgjegjës direkt kryeministrin Sali Berisha. Po kjo protestë u cilësua nga kryeministri Berisha si një tentativë për puç shteti, madje duke akuzuar dhe presidentin Bamir Topi, njeri i zgjedhur nga radhët e demokratëve, si dhe Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama.

Edi Rama se bashku me familjaret e 4 viktimave te vrare me 21 janar

Në pamundësinë e dhënies së drejtësisë, Qeveria i ka akorduar vitin e kaluar 970 mijë euro shtesë familjeve të katër viktimave. Ky ishte dëmshpërblimi i dytë duke e çuar shifrën në një total mbi 2 milionë euro. Qeveria argumentoi se detyrimi për dëmshpërblim rrjedh nga vendimet e gjykatës së Tiranës. Gjykata ka vlerësuar se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia dhe ka dënuar ish-komandantin e gardës, Nndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vjet.

Dëshmor edhe ata që luftuan për çlirimin e Kosovës

Me nismën e qeverisë parashikohet se me këtë ligj të ri, pasi të aprovohet nga Parlamenti,  të përfitojnë edhe shtetasit shqiptarë që kanë rënë duke luftuar për pavarësinë e Kosovës, si dhe ata të rënë për të drejtat kombëtare në konfliktet e tjera etnike të zhvilluara në Ballkan, gjë që duket se përfshin edhe konfliktin në fillim të Mijëvjeçarit të ri në Maqedoni. Ky projektligj sipas relacionit të qeverisë nuk ndryshon mënyrën e trajtimit financiar të dëshmorëve, të cilët do të trajtohen sipas ligjit aktual.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ai ekzistues shfuqizohet, por shpalljet “Dëshmor” nuk janë objekt rishikimi nga ligji i ri. Statusin e dëshmorit do ta përfitojnë edhe ushtarakët që janë vrarë në misionet ushtarake me NATO. Ndërhyrja në këtë ligj nga ana qeverisë vjen pas 18 vitesh. Në relacionin e qeverisë është përcaktuar se do të zgjerohet dhe rrethi i përfituesve, duke shtuar prindërit, bashkëjetuesit apo bashkëjetuesen, njerkun/njerkën, thjeshtri thjeshtrën, si dhe nipat e mbesat e dëshmorëve të atdheut, kjo jo për trajtim financiar, por për efekt nderimi.

Në nenin 6 është përcaktuar dhe se kush përjashtohet nga dhënia e Statusit “Dëshmor i Atdheut”. “Statusin “Dëshmor i Atdheut” nuk e përfitojnë personat, të cilët janë dënuar me vendime gjykate të formës së prerë për: 1. krime kundër njerëzimit; 2. bashkëpunim me pushtuesit e vendit; 3. veprimtari terroriste dhe agjenturore kundër interesave të Shqipërisë; 4. vrasje me dashje, pas datës 9 maj 1945”

Sipas draftit, pranë Ministrisë së Mbrojtjes krijohet Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i Atdheut”, i cili është autoriteti që jep ose njeh statusin “Dëshmor i Atdheut” sipas propozimit të bërë nga këshilli i qarkut, këshilli bashkiak, prefekti ose ministri përkatës, për subjektet nën fushën e tyre të përgjegjësisë së tij.

Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” është organ kolegjial dhe i përhershëm, i cili përbëhet nga 7 anëtarë. Komisioni kryesohet nga ministri i Mbrojtjes dhe në përbërje ka 4 anëtarë në rang zëvendësministrash dhe 2 anëtarë nga shoqëria civile.

Tabela përfituesit

Neni 5

Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”

a) personat, të cilët kanë humbur jetën për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare apo në përpjekje për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe para datës 28 nëntor 1912;

b) shtetasit shqiptarë e të huaj, të cilët kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për arsye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre, nga data 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939;

c) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën në mbrojtje të vlerave kombëtare e patriotike të kombit shqiptar para datës 7 prill 1939;

ç) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë marrë pjesë me armë në dorë ose në formë të organizuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945;

d) shtetasit shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945;

dh) shtetasit shqiptarë, të cilët janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe kampet nazifashiste të përqendrimit deri më 9 maj 1945, si dhe shtetasit shqiptarë, të cilët brenda 2 viteve, nga dita e daljes nga burgjet apo kampet nazifashiste të përqendrimit, kanë vdekur si pasojë e plagëve apo sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende;

e) shtetasit shqiptarë, pjesëtarë të formacioneve ushtarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët kanë rënë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë jashtë kufijve shtetërorë deri më 9 maj 1945;

ë) shtetasit shqiptarë, pjesëmarrës në formacione të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët kanë humbur jetën brenda datës 9 maj 1947 për shkak të sëmundjeve dhe plagëve të marra ose fatkeqësive të ndryshme, duke qenë në krye të detyrës luftarake;

f) shtetasit shqiptarë që kanë rënë duke luftuar në Spanjë (1936-1939) ose në vende të tjera, të inkuadruar në formacionet e koalicionit antifashist, deri më 9 maj 1945, ose që kanë vdekur brenda 2 vjetëve nga plagët apo sëmundjet e marra në këto luftëra;

g) shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë;

gj) shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve të ushtrive aleate në Luftën e Dytë Botërore, në ndihmë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare, të cilët kanë humbur jetën brenda territorit të Shqipërisë;

h) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë rënë duke luftuar për pavarësinë e Kosovës, si dhe shtetasit shqiptarë të rënë për të drejtat kombëtare në konfliktet e tjera etnike të zhvilluara në Ballkan;

i) shtetasit shqiptarë që bien në mbrojtje të integritetit territorial të  Republikës së Shqipërisë, mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi ose në luftën kundër bandave të armatosura dhe krimit ndaj jetës së individit;

j) shtetasit shqiptarë, të cilët vriten nga elementë kriminalë për shkak të detyrës shtetërore që kanë kryer, në luftë kundër krimit dhe përpjekjeve për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike;

k) shtetasit shqiptarë që bien në krye të detyrës, për mbrojtjen e paqes dhe të lirisë së kombit shqiptar, ose ata që bien në krye të detyrës me misione në mbrojtje të paqes e të sigurisë së popujve të tjerë;

l) shtetasit shqiptarë që humbin jetën në krye të detyrës, për mbrojtjen e pasurisë publike ose nga rreziqet e fatkeqësitë natyrore;

ll) shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990;

m) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën ose që e humbin jetën në përpjekje për të ndihmuar popullsinë në raste fatkeqësish natyrore, në përpjekje për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin dhe mbrojtjen e jetës së individit nga krimi;

n) shtetasit shqiptarë që vriten nga forcat apo elementët antishqiptarë në mbrojtje të flamurit, simboleve kombëtare dhe manifestimit të ndjenjave kombëtare;

nj) shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve në ndihmë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë apo Policisë së Shtetit Shqiptar, të cilët humbin jetën në krye të detyrës, në ndihmë të popullsisë apo në përpjekje kundër terrorizmit ose krimit ndaj jetës së individit;

o) shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve ushtarake të NATO-s, në ndihmë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që humbin jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë;

p) ekuipazhet, të cilët bien në krye të detyrës shtetërore gjatë fluturimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë