Histori

Pse xhoket shqiptare janë të zeza? Zi shekullore për vdekjen e Skënderbeut

Nga ekspozita "Një etnografi për kohën e Skënderbeut" , IAKSA, dhejtor 2018.

Pas vdekjes, i gjithë populli u mblodh në Fushë Krujë dhe pasi kuvenduan vendosën të visheshin me të zeza, për zi të kryeprijësit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. “E qysh m’atë kohë njer në këtë sitë soët na kanë metë xhoket e zeza për burrat ene stravecet e zeza për gjratë. Veçse stravecet Matja i hoç e i ka majtë vetëm Merdita. Na thekët e zeza i kemi në xhoket për zi të Skanderbegjut”, kështu do t’i rrëfente, etnografit Dhosi Liperi, një banor i Urxallës, në Macukëll të Matit, me emrin Ali Zejneli, në shtator të vitit 1934. Studiuesi, i cili u nda nga jeta në fund të viteve ’60, kish nisur të mblidhte legjendat për heroin kombëtar, qysh në fillim të viteve ’20, për t’i përfshirë më pas në librin “Mitologjia Skënderiane”, e ndaluar prej regjimit komunist e që e pa dritën e botimit, shumë vite më pas.

Me qëllim që të ishte sa më pranë vendit të kërkimit, Liperi do t’i kërkonte Ministrisë së Arsimit, ta transferonin si arsimtar  në Burrel, atje ku ai mendonte se flinin mitet dhe legjendat për heroin kombëtar.  Takon dhe bisedon me vendas në Mat, Dibër, Lurë dhe Mirditë e deri më 1934-ën, mbledh rrëfenjat dhe gojëdhënat, të ruajtura dhe trashëguara ndër breza tek banorët e atyre zonave, mbi Skënderbeun dhe dorëshkrimet e tij i dorëzon në  Institutin e  Folklorit dhe atë të Gjuhësisë. Në fund të 2018-ës, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit do të çelte ekspozitën “Një etnografi për kohën e Skënderbeut”, në kuadër të kremtimeve të  Vitit të Skënderbeut. Një ekspozitë e organizuar nga etnografia e njohur Afërdita Onuzi, së bashku me Ermela Broci, Vilma Nallbanin dhe Migena Dukagjinin, ku u soll një tablo e kulturës shqiptare në periudhën e Mesjetës, përmes veshjesh, stolish, pajisje të mjedisit shtëpiak apo edhe armë të kohës së Skënderbeut, etj.

Veshjet tradicionale të ruajtura në arkivin e etnografisë dhe të folklorit, me mbi 12 mijë objekte tekstilesh, janë mbledhur kryesisht në shekullin e 20-të, disa në të 19-tin e më rrallë, ndonjë veshje daton prej shekullit të 18-të. Por sipas analizës së etnografes Afërdita Onuzi dhe më herët të Andromaqi Gjergjit, një pjesë e këtyre veshjeve lidheshin me memorien rreth  periudhës së Skënderbeut, edhe pse veshje që vijnë mirëfilli prej asaj periudhe kur jetoi strategu shqiptar, i cili u nda nga jeta më 17 janar të vitit 1468, nuk ka. Rendi simbolik i veshjeve, nuk shndërrohej me shpejtësinë e modernitetit. Një malësor në të nëntëdhjetat e tij, me emrin Mark Llesh Pepa, do t’i thoshte etnografit Dhosi Liperi se  “Gjrat’e të pesë bajraqeve të Merditës kanë vu rubat e zeza në krej, shamejat”. Fshatarë të tjerë, do t’i thoshin se thekët e zinj të xhokeve, u vareshin mbi krye e supe, u kujtonin “detyrën e shenjtë që kemi t’i dalim zot Shqipnis si na ka porositun Ai kur vdiq”.

Përkrenarja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me simbolin e dhisë. Memoriali në Lezhë

Në historiografi ka debate rreth memories së Skënderbeut, do të thoshte antropologu Nebi Bardhoshi, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit. “Diskutohet dhe ngrihen pyetje nëse është invesntim i Rilindjes, ardhur prej arbëreshëve të Italisë dhe më vonë përmes rilindësve shqiptare u shpërnda si memorie në shoqëri”. A mos ishim para një kushti ku ishte harruar fare emri i tij apo jemi në një situatë, ku njerëzit e kanë ruajtur kujtimin për Skënderbeun dhe më pas e kanë marrë në dorë studiuesit? Një bisedë e shtruar rreth temës me etnografen Aftërdita Onuzi, specialiste e Kulturës Materiale, do të merrte pohimin se kujtimi i mbajtjes zi për Skënderbeun nuk zbret më poshtë se në Gramsh, ku përkon edhe kujtimi i Kanunit të Skënderbeut. Si studiues i së Drejtës Kanunore, Bardhoshi thotë se i njeh mirë hartat e memorieve të krijuesve të kanuneve, si ai i Skënderbeut, të Lekë Dukagjinit, Mustë Ballgjinit në Shqipëri të Mesme e në Shqipëri të Jugut kanuni i Idriz Shulit, Papazhulit.

Memoriali i Varrit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Lezhë

“Përkon kujtimi i zisë me themeluesin e një kanuni dhe, po të ishte një invesntim i Rilindjes Shqiptare do të duhej të kishte më shumë memorie për zinë në Korçë, ku ka qenë edhe intensiteti më i lartë i intelektualëve për krijimin e kombit shqiptar. Por rilindasit nuk e kanë shpikur këtë kulturë zie mbi Skënderbeun”. Harta etnografike në këtë rast, përkon me kujtesën lokale. Do të ketë ndodhur diçka traumatike tek ata njerëz , mendon antropologu, që e kanë ruajtur apo krijuar këtë mit. “Imagjinoni një malësor a malësore duke ecur rrugës, e pyesin dhe thotë “Mbajmë zi për Skënderbeun”, thotë Bardhoshi, duke shtuar se ka shumë legjenda, të lidhura me ato territore ku edhe përkon memoria e mbajtjes zi për Skënderbeun.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë, më 17 janar të 1468-ës, në moshën 63- vjeçare. Pasi kishte thirrur fisnikët në kuvend, një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën, që u zhvillua pranë lumit Kir. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në atë kohë u sëmur. Disa historianë shkruan se vdiq nga shkaqe natyrore, të tjerë thanë nga ethet, kishte dhe nga ata që hodhën  tezën e një helmimi të mundshëm. Pasi lajmi  për vdekjen  Skënderbeut  mbërriti në Venedik, në 12 shkurt të vitit 1468, ambasadori milanez i shkroi një letër urgjente dukës së Milanos, Galeazzo Maria Sforza, duke e njoftuar Skënderbeu u nda nga kjo jetë. “Kish ethe dhe, meqë vendin po e përshkonin turqit, deshi t’i hipte kalit, e vdiq brenda tre ditëve.”

Legjendat, thotë Nebi Bardhoshi, e sjellin Skënderbeun me një bijë, e cila është më e zonja se i biri dhe ai e vajton faktin se nuk ka një djalë, si vajzën. “Funksioni  i kësaj legjende mund të ketë qenë për të treguar  nuk la trashëgimtar të fortë djalë.” Legjendën e gjen në Dibër dhe në Mat, thotë ai. Në kohët kur Skënderbeu qe gjallë, mblidhte princërit arbërorë dhe luftonte ushtritë osmane, veshja e vjetër - i rrëfente  fshatari nga Cëdheni, me emrin Zyb Halili, etnografit Dhosi Liperi - qe e përbërë prej “xhoke të bardhë, ksul të bardhë si hu me majë e çedikë leshi të bardhë e opena lopet”. Pas pesë shekujve, në fillim të shekullit të 20-të, kur i pyesje malësorët, edhe ata katolikë, edhe ata myslimanë thoshin se i kishin nxirë veshjet, për zinë e Skënderbeut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë