Analize

Pse u “falën” Rama dhe Zaev në Turqi para vendimit të BE për negociatat?

Nga Xhuliana Toci - Dy ditë pasi kryeministri shqiptar Edi Rama la Ankaranë, ai që u ul në kolltukun përballë presidentit Erdogan ishte kryeministri Zoran Zaev, vendi i të cilit ashtu si Shqipëria, po pret me ankth verdiktin e BE-së për negociatat. Ashtu si edhe vizita e kreut të qeverisë shqiptare, edhe ajo e Zaevit u komentua për motivet dhe kohën e zgjedhur, si dhe faktin se edhe kreu i vendit fqinj, vendosi të niset drejtTurqisë nga hiçi, pa paparalajmëruar dhe duke organizuar një takim të momentit të fundit.

Nisja nxitimthi e dy liderëve në Turqi përpara vendimit për negociatave me Bashkimin Europian, u përshkrua zyrtarisht si një vizitë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, por ekspertët janë të bindur se vizita në Turqi nuk ishte asgjë tjetër, veçse një shantazh ndaj BE-së.

Duke u dërguar një mesazh skeptikëve ndaj anëtarësimit të Shkupit dhe Tiranës, Zaev dhe Rama po përpiqen të tregojnë sipas ekspertëve se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë edhe alternativa të tjera. Dhe është pikërisht shtrirja e ndikimit të Turqisë në rajon, argumenti kryesor që mund të ndryshojë qasjen e mbyllur të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit.

“Në gjuhën diplomatike, kjo mund të interpretohet edhe si një shtantazh apo presion ndaj BE-së, se Shkupi dhe Tirana mund të kërkojmë alternativa tjera”, thotë analisti nga Maqedonia e Veriut, Eroll Rizaov. “Raportet e Turqisë me vendet e Ballkanit Perëndimor janë në një fazë të avancuar dhe thelbi i këtyre vizitave në Turqi është përgatitje e terrenit për vendimin e negociatave”.

Rizaov beson se vizita e Ramës dhe Zaevit në Ankara është në mënyrë për të vënë kushte ndaj Europës se, "nëse nuk na pranoni, ne mund të gjejmë alternativa."

“Maqedonia e Veriut duhet të mbajë njërin sy nga Lindja dhe tjetrin ka Perëndimi sepse nuk jemi në pozitë si shtet, që tu tregojmë dhëmbët forcave të mëdha rajonale dhe botërore. Ne duhet të kultivojmë raporte të ,ira me SHBA-të me BE-në dhe me Turqinë , të mos ngacmojmë ariun e madh”, thotë Rizaov.

Kryeministri Zaev ishte i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe deklaroi pas takimeve me delegacionin turk se Shkupi synon të hapë më shumë dyer për investitorët turq.

Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër se njoftoi se përveç projekteve ekonomike, ka diskutuar me përfaqësuesit turq mbi reformën e Autonomisë Spitalore, binjakëzimin e Agjencisë së Barnave dhe perspektivën e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit. Në fushën e arsimit, Rama njoftoi se u diskutua për çeljen në Shqipëri të filialit të Universitetit Teknik të Stambollit dhe planin për fakultetin e ardhshëm të mjekësisë e infermierisë pranë Spitalit Rajonal Memorial. Problematikat e strehimit social në vendin tonë dhe restaurimet në Berat e Gjirokastër, bashkë me hotelerinë me 5 yje në bregdet ishin po ashtu pjesë e diskutimeve.

Megjithatë, media shtetërore turke “Anadolu Agency” ka bërë me dije se presidenti Erdogan e ka pritur Ramën në Presidencë dhe se takimi i tyre u zhvillua me dyer të mbyllura, pa ndarë asnjë detaj për mediat. 

 Sinjalet që kanë ardhur kohët e fundit nga Brukseli zyrtar nuk janë pozitive, dhe kryeministri Zaev ka deklaruar haptazi se negociatat mund të shtyhen për në shtator ose dhjetor, pasi Bullgaria duket e vendosur për të mos hequr veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

Në këto kushte, asi i fundit nën mëngë i dy vendeve për të vënë nën presion BE-në duket të jetë ai i ndikimit turk, një “lojë”  e pranueshme për të dyja palët, pasi Turqia nga ana e saj vazhdon të forcojë lidhjet ekonomike dhe kulturore si me Shqipërinë ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut.

Bashkimi Europian është e vetëdijshëm objektiva e Erdoganit është të çimentojë fuqinë e tyre në këto vende, duke sfiduar drejtpërsëdrejti interesat dhe vlerat strategjike perëndimore në oborrin e BE-së. Minsitrat e jashtëm të vendeve të Vishegradit kanë paralajmëruar disa herë tanimë se vonimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Verit, vetëm përparon interesat strategjike të rivalëve në Ballkani Perëndimor, si Kina, Rusia dhe Turqia.

“Turqia ka synuar Ballkanin për vitet e fundit, në një përpjekje për t’i bashkuar këto vende në sferat e saj  të ndikimit. Ajo po përparon në agjendën e sak politike duke investuar në projekte të mëdha kombëtare për të pasur ndikim më të madh ekonomik dhe politik në tregun financiar dhe duke përdorur politikanë të rëndësishëm të cilët i ka joshur në një mënyrë ose në tjetrën”, thotë analisti britanik Alon Ben-Mair. “BE duhet ta ketë të qartë që vonesat në integrimin e Shqipërisë do të realizojë planet e Turqisë, duke e cuar vendin më pranë Ankarasë, qoftë edhe mjet presioni ndaj BE-së. Si do që të jetë, në të gjitha mënyrat, ai që përfiton është Erdogan, i cili ka mësuar të shfrytëzojë të gjitha rrethanat politike në favor të tij”, thekson analisti.

"Për Erdoganin, ky mision, nuk është thjeshtë një detyrimi i parealizuar. Ai investon shumë në infrastrukturë, institucione religjioze dhe përdor ndërmarrjet si leva (nga të cilat shënon po ashtu përfitime të mëdha monetare) të planit të tij, për të shtuar e përforcuar ndikimin e tij në vendet ballkanike, të cilat i shërbejnë dizajnit të tij neo-osmanik. Nëpërmjet injeksioneve financiare Erdogan mban nën hipnozë Shqipërinë, deri sa mashtrimet dhe manipulimet e tij të rezistohen edhe më masivisht nga shoqëritë ballkanike. Nëse Shqipëria zyrtare vërtet dhe seriozisht e ka synim BE-në ajo nuk duhet të lejojë që Erdogan ta fusë vendin e tyre nën diktatin që shihet. Liderët shqiptarë gabojnë nëse besojnë se BE do të pranojë brenda vetes ndonjë anëtar të ri, i cili është thellë i martuar me Erodganin”, shton më tej ai.

Megjithatë, për momentin, përdorimi i afrimitetit me Turqinë, për presion ndaj BE-së, duker se është një strategji nga e cila po fitojnë në këto momente të dyja palët. Vizitat e fundit e kreut shqiptar në Ankara duket të ketë sjellë edhe reagimet e para të nga BE-ja.

Ministri i Jashtëm Grek Nikos Dendias ishte i pari që komentoi duke deklaruar se shpresonte që hapja  negociatave dhe përparimi në rrugën e anëtarësimit në BE, do ta sillte Shqipërinë edhe më pranë Greqisë dhe BE-së. Ironia është në fakt se vitin e kaluar, ku u mor vendimi për negociatat, Greqia ishte vendi i fundit që dha dritën jeshile për Shqipërinë, duke kërkuar që të vendosej si kusht respektimi i të drejtave të minoritetit.

 “Unë do t'ju kërkoja të mos i shihni marrëdhëniet greko-shqiptare në kontekstin që shqiptarët janë miq me turqit dhe automatikisht nuk janë miq të Greqisë. Është shumë më e komplikuar se kaq. Dhe nëse mund të them, Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj, "tha ai gjatë një konferencë.“Fakti që të bëhet anëtare e familjes europiane, që do të thotë bashkë-nënshkrim i të gjitha vendimeve europiane, tregon se ku do të jetë Shqipëria 50, 100, 150 vjet nga tani. “Pra, po, Shqipëria ka marrëdhënie të ngushta me Turqinë. Po, Edi Rama ka marrëdhënie personale me Presidentin Erdoğan. Ne e dimë këtë. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka një terren të madh për përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare”, u shpreh ministri, duke komentuar vizitën e kryeministrit Rama në Ankara.

Kjo qasje e kryeministrit Rama, e “kopjuar” së fundmi edhe nga Zaev, mund të mos i sigurojë Shqipërinë një biletë për në BE, por pa dyshim, afrimiteti me Turqinë, do të bëjë që vendet anëtare të ulen dhe të mendohen gjatë kur të marrin pas dy javësh vendimin për nisjen ose jo të bisedimeve të anëtarësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë