Analize

Pse negociatat nuk u hapën as gjatë presidencës gjermane të BE

Shqipëria duket se ka humbur edhe një tjetër vit në procesin e integrimit në Bashkimit Europian. Nga Brukseli, kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi mbrëmjen e së hënës se konferenca e parë ndërqeveritare me vendin tonë nuk do të mbahej para 2021-it, pasi Shqipëria nuk ka plotësuar ende të gjitha kushtet e vendosura nga Bundestangu.

Kur mori në mars dritën jeshile për hapjen e negociatave nga Këshilli Europian, vendit tonë iu vunë bëjë “një mal” me “detyra shtëpie”. KE vendosi një liste të gjatë kushtesh që duhet të plotësojë vendi ynë, por edhe pse qeveria o zotua për plotësimin e tyre, vendet më  të mëdha të BE-së janë të mendimit se  vendi ynë nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë.

Disa prej tyre kanë kërkuar në mbledhjen e përfaqësuesve të BE-së, që "Shqipërisë duhet t’i dërgohet një “mesazh më i fuqishëm”, të bindur se Tirana do të fillojë me bisedime këtë vit”, thonë diplomatët.

Drafti i përbashkët arrinte në përfundimin se Shqipëria ka dështuar me pesë nga gjashtë parakushtet për hapjen e negociatave. Zbatimi i reformës zgjedhore mbetet kryefjale e parakushteve për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit. Këshilli i BE-së po ashtu, nënvizon se dialogu politik në vend duhet të forcohet më tej, veçanërisht mbi reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj. Duhet të sigurohet gjithashtu financimi transparent i partive politike.

Në raport thuhet se duhen bërë përpjekje që gjykata e lartë të përmbushë plotësisht rolin e saj. Vërejtje ka dhe për Gjykatën Kushtetuese ku thekson se nevojiten hapa të mëtejshme për të vazhduar me emërimet e tjera.

Vendet e BE-së të cilat konsiderohen si mbështetëse të zgjerimit, megjithatë vlerësojnë se konkluzionet e fundit duhet të jenë më specifike madje edhe nëse nuk përfshihet asnjë datë.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ra dakord në konkluzionet se Shqipëria nuk është akoma gati të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me BE, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vendosura që nga marsi i vitit 2020. Ambasadorët vlerësuan punën e Shqipërisë mbi reformat, por theksuan se ajo duhet të tregonte më shumë përparim në përmbushjen e kushteve. Ministrat ranë dakort se konferenca e pare ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut do të mbahet sapo të jetë miratuar kuadri negociues, dhe për Shqipërinë, pasi të jenë plotësuar kushtet e Bundestangut.

Edhe pse kishte premtuar të kundërtën, presidenca gjermane nuk ka qenë aspak aktive këto gjashtë muaj për të shtyrë më tej dosjen e zgjerimit. Marrja e Presidencës së Këshillit Europian nga Gjermania më 1 korrik u pa me optimizëm nga zyrtarë të shumicës qeverisëse për integrimin e Shqipërisë në BE. Në javën e dytë të nëntorit, ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, kërkoi nga vendet anëtare të BE-së të miratonin çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk dha një datë për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Merkel duket se tashmë është dorëzuar duke mos u përpjekur që konferencat e para të anëtarësimit të mbahen brenda kësaj presidence, por siç duket kjo gjë do t’i kalojë presidencës pasardhëse portugeze.

Madje kancelarja gjermane ndau Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut për herë të parë duke thënë se shpreson që të hapë konferencën ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut që këtë vit.

“Në rastin e Shqipërisë çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”, tha kancelarja në një takim virtual me komisionet e parlamenteve të vendeve anëtarë të BE-së.

Lidhur me Maqedoninë e Veriut, diplomatët thonë se data për konferencën e parë do të caktohet sapo vendi të zgjidhë çështjet e tij me Bullgarinë.

Zhvillimet e fundit duket se vijnë si një goditje ndaj qeverisë, e cila ka dalë këto kohë me skenarin se negociatat po bllokohen për shkak të Maqedonisë. Deputeti i PS-së, që mban edhe detyrën e Sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi, gjatë një interviste më 20 nëntor, deklaroi se veto e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, penalizoi Shqipërinë për negociatat me Bashkimin Europian.

Por “pengimi” i Shqipërisë, siç edhe u konfirmua nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian erdhi nga faktorë të saj të brendshëm dhe jo nga Maqedonia e Veriut.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk mund të plotësojë kuorumin për gjykimin e çështjeve sa i takon themelit të tyre, sepse janë vetëm 4 anëtarë në detyrë.

Reforma Zgjedhore gjithashtu mund të kthehet në një problem, pasi maxhoranca e rivotoi në Kuvend Kodin Zgjedhor të ndryshuar, edhe pse Presidenti Ilir Meta kërkoi të pritej opinion i Komisionit të Venecias. Të njëjtën këshillë përsëriti edhe BE për qeverinë.

Holanda po ashtu ka ende rezerva për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ky vend kërkon që Shqipëria të sigurojë më parë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të zbatojë ligjin për median, para se të flitet për çeljen e negociatave. Me Maqedoninë e Veriut holandezët nuk kanë problem. Kryeministri Edi Rama në një bisedë me gazetarët para dy javësh, e mohoi se ka ende kushte të hapura. Sipas tij qëndrimi refuzues i Holandës lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Nga ana tjetër, eurodeputeti David Lega, Reporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe përfaqësues i PPE, përmes një mesazhi në “Twitter” njoftoi se së bashku me dy eurodeputetë të tjerë, fill pas përfundimit të mbledhjes së ministrave për Çështjet europiane, më 18 nëntor kërkuan  përgjigje nga përfaqësuesit e Lartë të BE, Josep Borrel se përse Komisioni Europian në raportin e tij nuk e ka përmendur “blerjen e votës” në Shqipëri si një çështje me rëndësi, jo vetëm për PPE por edhe BE.

Sot i kërkuam Josep Borrel përse Komisioni Europian nuk ka përmendur shitblerjen e votës në raportin e 2020. Nisja e hetimeve ndaj të akuzuarve për blerjen e votave është një kusht thelbësor për BE dhe jo vetëm për PPE. Si reporter për monitorimin e Shqipërisë, gjithmonë do të fokusohem tek sundimi i ligjit dhe demokracia. Shitblerja e votës është një problem serioz për demokracinë dhe nuk mund të pranohet në një vend kandidat për në BE”, shkroi eurodeputeti teksa publikoi edhe dokumentin zyrtar drejtuar Borrel.

Cilat janë kushtet e BE-së?

Para konferencës së parë të negociatave, Këshilli i kërkon nga Shqipëria që të plotësohen tre kushte: Reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE, ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë pas marrjes së opinionit nga Komisioni i Venecias dhe rezultatet e para në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga organet e reja të drejtësisë.

Më tej KE vendosi një liste të gjatë kushtesh duke theksuar se Shqipëria duhet të miratojë reformën elektorale në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të sigurojë një financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën e rëndësishme ndërkombëtare, që përfshin opinionet e Komisionit të Venecias dhe të përfundojë krijimin e strukturave të specializuara kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit”,thekson drafti. Kuadri i negociatave duhet të miratohet nga Këshilli dhe duket të pasqyrojë faktin që Shqipëria i ka zbatuar me sukses pesë prioritete, të tilla si: nisjen e procedurave penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar gjatë procesit të Vettingut për sjellje kriminale, nisjen e procedurave ndaj personave të akuzuar për blerje të votës, një goditje të dukshme të krimit të organizuar e korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë nisjen e procedurave dhe plotësimin e procedimeve të para ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikanëve, progres të dukshëm në reformën e administratës publike, zbatimin e reformës së ligjit elektoral, si dhe vendimin përfundimtar rreth ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, po ashtu sikurse edhe përparim të mëtejshëm në zbatimin e mbetur të legjislacionit të vitit 2017 lidhur me kuadrin ligjor në mbrojtje të pakicave kombëtare, miratimin e ligjit për censusin e popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe përparim në procesin e regjistrimit të pronave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë