Politike

Bullgaria bllokon edhe miratimin e kuadrit negociues me Shqipërinë

Përveç bllokadës për negociatat midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka bllokuar sot edhe miratimin e kornizës së negociatave me Shqipërinë.

Ambasadorët e vendeve anëtare janë mbledhur sot në Bruksel për të diskutuar për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por Bullgaria ka kërkuar që kornizës t’i shtohet edhe një paragraf në lidhje me historinë maqedonase.

Por kërkesa e Bullgarisë që t’i japë fund të gjitha kërkesave të bazuara në keqinterpretimin e historisë nga ana e Maqedonisë së Veriut, është hedhur poshtë nga vendet e tjera anëtare, duke e lënë pezull miratimin e kornizës së negociatave.

Sipas diplomatëve në Bruksel, ambasadorët miratuan tanimë një vendim që zgjerimi dhe për kornizën negociuese për Shqipërinë të hiqet nga diskutimi. Dje dhe sot ka pasur përpjekje midis vendeve anëtare për ta harmonizuar tekstin e kuadrit negociues, por Sofja nuk ka lëshuar pe. Takimi i ambasadorëve është duke vijuar dhe duhet të zgjasë deri vonë sonte, por negociatat me Tiranën dhe Shkupin nuk pritet të kthehet në tryezë.

Edhe pse Bashkimi Europian nuk pritet të mbajë konferencën e parë ndër-qeveritare me Shqipërinë këtë vit, pritshmëritë janë të paktën që të miratohej kuadri negociues deri në fund të vitit.

Edhe me një kornizë të miratuar negociatash, Tirana, për shkak të kushteve shtesë të vendosura nga Bundestangu, do të duhet të presë së pari dritën jeshile nga Komisioni Europian përpara se t’i jepet datë për negociata.

Shtetet anëtare kanë kohë deri më 8 dhjetor, kur do të mblidhet Këshilli i Ministrave për të miratuar kuadrin negociues, përndryshe zgjerimi dhe hapja e kapitujve do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.

“Të gjitha opsionet janë në tryezë për momentin, heqja e nga tavolina e kornizës së negociatave me Shqipërinë, heqja e asaj me Maqedoninë e Veriut ose miratimi i të dyjave, apo edhe që negociatat të vazhdojnë edhe në nivel joformal”, thonë diplomatët Brukseli.


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura


Më Shumë