Arsim

Pse 20 % e fëmijëve shqiptarë përjetojnë bullizëm në shkolla

Sipas një raporti të fundit të publikuar UNESCO, në Shqipëri prevalenca e nxënësve që kanë raportuar dhunën, në forma të ndryshme është 20 për qind. Shifrat rezultuan se ishin më të larta se vitet e kaluara dhe grupmosha me e prekur ishin 11-vjeçarët. Rreth 23.8 % fëmijë të kësaj moshe kanë përjetuar bullizmin në shkollë në një nga format e tij.
Ndërsa te nxënësit 13 vjeçarë 20 % e tyre kanë raportuar dhunën dhe nxënësit 15 vjeç të dhunuarit përcaktoheshin me 16%.
Tashmë dihet se bullizmi kategorizohet në tre forma, atë fizike, psikologjike dhe seksuale. Sipas raportit dhuna seksuale është forma e dytë më e përhapur në shumë prej rajoneve të vendit tonë. Gjatë këtij viti rreth 11.2% e fëmijëve kanë raportuar se janë bërë objekt talljeje në aspektin seksual.

Psikologia Arjana Muçaj

Psikologja Arjana Muçaj tha për Gazetën “Si” se bullizmi është i lidhur kryesisht me individët që nuk kanë mbështetje, fëmijët e neglizhuar, apo ata që e kanë të vështirë për të pasur mbështetje prindërore dhe shoqërore.
“Bullizmi nëpër shkolla ka ekzistuar gjithmonë, nuk është fenomen i kohëve të fundit. Zakonisht bullizmi ndodh te individët që janë të dobët dhe nuk kanë marrëdhënie solide shoqërore, kryesisht të mbyllur në vetvete dhe të tërhequr nga shoqëria. Kemi edhe raste kur bullizohen për efekt të grupimeve në të cilat ndodhen, bëhet fjalë për grupimet sociale. Shpesh herë adoleshentët kanë grupet tyre sociale dhe për efekt të mbijetesës së grupit, njëri grup bullizon grupin tjetër,” thotë Muça.

Gjithashtu, ajo shprehet se një ndër format më të përhapura të bullizmit nëpër shkolla shqiptare është edhe mënyra e veshjes së fëmijëve. Dhe mënyra më e mirë për ta minimizuar këtë fenomen është, uniforma e shkollës. Kështu mund t’i tregosh fëmijëve që janë në të njëjtin nivel me njëri-tjetrin.
“Në shkollat shqiptare fëmijët janë ndarë, në fëmijë që i përkasin një shtrese të lartë shoqërore dhe fëmijë që i përkasin një shtrese të ulët shoqërore dhe kjo ndodh pikërisht për efekt të paraqitjes së tyre. Këto janë fenomene që dashur pa dashur nuk i krijojnë fëmijët. Sepse gjithmonë thuhet që janë adoleshentët ata që i krijojnë me njëri tjetrin, por nuk është e vërtetë, këto janë pjesë të edukimit prindëror dhe shoqëror,” shton ajo

Duke u bazuar në gjetjet, në raport jepen gjithashtu, edhe rekomandime të ndryshme për t’i dhënë fundit bullizmit në për shkolla. Një ndër më të rëndësishmet cilësohej legjislacioni për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke vijuar me trajnimin e mësuesve për të parandaluar këtë fenomen.
Bullizmi në shkolla nuk është i pranishëm në vendin tonë, por edhe në mbarë botën. Sipas raportit në të gjitha vendet e rajonit 32% e studentëve janë dhunuar në forma të ndryshme nga moshatarët.
Vendet që vuanim më shumë nga ky fenomen u përcaktuan Afrika nën-Sahariane (48.2%), Afrika e Veriut (42.7%) dhe Lindja e Mesme (41.1%).
Ndërsa Europa u cilësua ndër rajonet me përqindjen më të ulët të prevalencës së nxënësve që kanë përjetuar dhunë në shkolla (25%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë