Politike

Këshilli Politik drejt dështimit, dy orë e gjysmë mbledhje pa asnjë vendim

Dy orë e gjysmë, Këshilli Politik nuk prodhoi asgjë në drejtim të gjetjes së një produkti të përbashkët. Pas mbledhjes, Gjiknuri mbajti të njëjtin qëndrim si edhe më parë se PD-ja duhet të vijë me një produkt konkret që ka lidhje me reflektimet e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe jo me letra, duke iu referuar kërkesës që opozita i ka dërguar OSBE/ODIHR.

Qëndrimi i deritashëm i opozitës, sipas Gjiknurit, është tentativë për të minuar jo vetëm proçesin, por edhe bllokuar zbatimin e amendimeve kushtetuese përmes Kodit Zgjedhor.

“Hajdeni me propozime konkrete, aty ku ka një draft. Ky Këshill është krijuar për tu konsultuar me opozitën jashtë parlamentare. U themi sillni propozimet. Ato duhet të vijnë me shkrim jo përmes studiove televizive. U dhamë kohë. Por tentativa për këto që përsëriten njëherë në shqip njëherë në anglisht bëhen për të minuar procesin dhe për të bllokuar zbatimin e amendimeve kushtetuese.

Ne nuk do ta lejojmë këtë. Kemi një emergjencë kohore. Do t’i mirëpresim deri në ditën e fundit. Jemi të gatshëm të punojmë 24 orë me propozimet konkrete”, tha Gjiknuri.

Ai tha gjithashtu se propozimi i PS-së për listat e hapura është më i miri i përdorur dhe se varianti tjetër i Hajdarit po për hapjen e listave do të diskutohet në Kuvend përmes grupit të punës të ngritur nga Komisioni i Ligjeve.

Edhe opozita nga ana e saj mban të njëjtin qëndrim. Sipas Oerd Bylykbashit, PS refuzoi që t’i drejtohet për opinion OSBE-ODIHR, për të marrë opinion mbi çështjet që palët ndahen me njëra-tjetrën.

Bylykbashi tha se Damian Gjiiknuri bojkotoi mbledhjen e Këshillit Politik, edhe pse opozita sipas tij kishte gjithë vullnetin për të diskutuar.

Bylykbashi nënvizoi se opozita kërkon ruajtjen e koalicioneve siç janë sot, ndërkohë që “PS kërkon të ndryshojë rregullat e lojës në një kohë kur procesi zgjedhor ka filluar”.

.

Më herët, PD-ja njoftoi se kishte paraqitur në mbledhjen e Këshillit Politik një kërkesë konkrete për të marrë asistencën e OSBE\ ODIHR për disa çështje themelore për të cilat palët nuk bien dakord.

“5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita, kërkojnë përgjigje për:

1.  A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve?

2.  A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR.

3.  A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?

4.  A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve?

5.  Në kushtet e mosdakordësisë, cila është një zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje demokratike?” janë pyetjet që shtron opozita.

.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë