Politike

900 forca blindojnë Kryeministrinë. PD: Policia, thirrje kriminale

Policia e Shtetit doli sot me një deklaratë të fortë ku i bëri thirrje qytetarëve që të shmangin zonën përpara Kryeministrisë ku do të zhvillohej protesta e ditës së nesërme të thirrur nga opozita përpara kryeministrisë, pasi sipas të dhënave që disponon njerëz me rekorde kriminale do të marrin pjesë në këtë protestë.
“Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike. Në interes të mbarëvajtjes së protestës dhe të sigurisë së pjesëmarrësve në të, dhe të qytetarëve të tjerë, Policia e Shtetit ripërsërit thirrjen drejtuar organizatorëve, që të distancohen nga zërat që inkurajojnë dhunë, si dhe nga personat me rekorde të rënda kriminale. Për qytetarët që nuk janë pjesë e protestës bëhet thirrje që të shmangin sa të jetë e mundur mjediset, ku ajo do të zhvillohet”, thuhet në deklaratën e sotme të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu policia ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve do të ushtrojë kontrolle në disa akse kryesore rrugore dhe në mjedise të tjera me rëndësi, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe të vetë protestës.

Foto Arkiv/ Policë para Kryeministrisë gjatë protestës së opozitës gjatë vitit të kaluar


Prej dy ditësh është zhvilluar një përplasje e madhe ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Partisë Demokratike jo vetëm rrezikun e ushtrimit të dhunës, por edhe për vendin se ku do të zhvillohet protesta. PD ka paraqitur kërkesë zyrtare që protesta e 16 shkurtit të mos zhvillohet si zakonisht para sheshit të bulevardit përpara Kryeministrisë, por që protestuesit të lejoheshin në lulishten përpara Piramidës në krah të selisë së qeverisë dhe në anën tjetër të rrugës, duke synuar rrethimin e godinës.
Këto kërkesa të PD-së, Policia e Shtetit i ka cilësuar pamundura për t’u realizuar, pasi synohet bllokimi i rrugës apo mjedise të caktuara siç është ai i rrugës “Ismail Qemali”, që lidh pjesën nga hotel Rogneri drejt RTSH-së, pasi bllokohen edhe ambasadat e shteteve të tjera siç është ajo italiane apo më tej ajo amerikane.


PD, kundër: Protesta e pacaktuar
Partia Demokratike ka refuzuar propozimin e Policisë së Shtetit që protesta të zhvillohet përpara sheshit të Kryeministrisë. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një reagim ndaj deklaratës më të fundit të Policisë, ritheksoi se atë nuk mund ta vendosin organet e policisë.
“Se ku do të protestojë populli këtë e vendos populli dhe jo Policia. Politike e kryeministrit të dalë boje në sytë e shqiptarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Edi Rama dhe Policia Politike e dinë se numërimi mbrapsht ka filluar dhe se asgjë nuk mund ta ndalë dot popullin! Të bashkuar ne do të jemi të gjithë në shesh për ta çliruar vendin nga e keqja! Ndryshimi është në dorën e shqiptarëve të bashkuar dhe, që nga nesër, të gjithë bashkë, nuk do të lejojnë më një bandë të vendosë për ta, por do ta marrin fatin në duart e tyre!”, deklaroi Bardhi.
Zyrtari i lartë i PD-së iu përgjigj edhe akuzave se në këtë protestë do të marrin pjesë edhe persona me rekorde kriminale, ku policia ka bërë thirrje që të distancohen.

Sekretari i Përgjjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në konferencën e sotme për shtyp


“Jam sot këtu, në emër të Partisë Demokratike, për të lajmëruar Policinë Politike të frikacakut Edi Rama se ka vetëm një person të lidhur me krimin, që është i interesuar dhe i përgatitur për të ushtruar dhunë. Ai quhet Edi Rama. Thirrjet e policisë që ne të distancohemi nga ata që inkurajojnë dhunë apo nga personat me rekorde të rënda kriminale janë sa qesharake, aq edhe kriminale. Partia Demokratike nuk ka nxitur kurrë dhunë dhe as nuk ka pasur në radhët e saj njerëz të krimit! Persona me rekorde të rënda kriminale nuk janë mes nesh, nuk janë mes protestuesve, por janë në qeveri dhe me qeverinë”, theksoi Bardhi.
Më tej ai shtoi se të shtunën, kryeministri Edi Rama së bashku me ish-ministrin Damian Gjiknuri do të jenë në Vlorë, duke zhvilluar sipas tij, një antimiting, ku administrata është detyruar forcërisht të marrë pjesë.


900 forca policie para Kryeministrisë
Ndërsa mësohet se janë 1300 forca policore që do të angazhohen të shtunën për protestën. Nga to 900 policë do të jenë pranë Kryeministrisë. Ndërsa një vëmendje të veçantë do tii kushtohet ruajtjes së institucioneve. Punonjës të FNSH-së dhe të RENEA-s pritet të angazhohet ditën e shtunë.
Masa ka marrë edhe policia rrugore. Autobusët që do të vijë me protestues nuk do të lejohen të futen në qytet. Ata që vijnë nga ana veriore do stacionohen pranë stadiumit “Asllan Rusi”, ndërsa nga ana jugore tek Fakulteti Ekonomik.
Do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve tek bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe rrugët ndërlidhëse të tij. Kufizim të pjesshëm mund të ketë edhe rruga që lidh selinë e PD me kryeministrinë. Ndërsa janë parashikuar edhe vendosja e disa makinave zjarrfikëse dhe autoambulanca. Këto si masa paraprake për të shmangur ndonjë incident që mund të dalë në protestën e nesërme. Ndërsa numri i policëve të parashikuar për protestën e 16 shkurtit është pothuajse i njëjtë me ato që janë parashikuar edhe në protesta e shkuara të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë