Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar pas publikimit të Raportit 2026 të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke kërkuar zbatimin pa vonesë të rekomandimeve për sistemin e drejtësisë.
Në një deklaratë të përbashkët, ato vlerësojnë progresin e bërë në funksionimin e gjyqësorit dhe forcimin e pavarësisë përmes përfundimit të procesit të vetingut, por ngrenë shqetësime për problematikat që vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Ato theksojnë se kanë vijuar përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, edhe në nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Një tjetër shqetësim lidhet me konfliktin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat, i cili solli bllokimin e buxheteve të gjyqësorit dhe mospagimin e pagave të muajit gusht. Situata është cilësuar në raport si e paprecedentë.
Organizatat ngrenë gjithashtu shqetësimin për mungesën e masave të mjaftueshme të sigurisë për magjistratët, duke kujtuar vrasjen e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, në tetor 2025. Sipas raportit, tetë magjistratë janë aktualisht nën mbrojtje, gjashtë prokurorë dhe dy gjyqtarë.
Në përfundim, tre organizatat i kërkojnë institucioneve përgjegjëse të ndalin ndërhyrjet dhe sulmet ndaj magjistratëve, të hartojnë reformën e pagave në konsultim me gjyqësorin, të garantojnë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të sigurojnë burimet njerëzore e teknike të nevojshme për sistemin e drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje