Ngjarje

Propozimi i Qeverisë, u hapet rruga ndërtimeve në parkun Pishë Poro-Nartë

Aeroporti i Vlorës mund të mos jetë i vetmi ndërtim brenda zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Qeveria propozon si reduktimin e sipërfaqes ashtu edhe uljen e nivelit të mbrojtjes në këtë park brenda të cilit ndodhet edhe grykëderdhja e Vjosës.

Propozimi është hedhur për konsultim nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit. Në pikën 1 të projektvendimit kërkohet ndryshimi i statusit nga “Rezervat natyror i menaxhuar” në “peizazh të mbrojtur” të nivelit të IV., që do t’u hapte rrugë ndërtimeve në këtë park.

Pika e dytë redukton sipërfaqen nga rreth 21 mijë hektarë në rreth 16 mijë hektarë, duke propozuar edhe hartën e re, që në bazë të vendimit të dhjetorit të vitit të kaluar të Këshillit Kombëtar të Territorit e ndan të gjithë hapësirën e mbrojtur në nivele të caktuara.

Nënzona e parë është ajo qendrore me një sipërfaqe 6900 hektarë (e shënuar në hartë me ZQ). Kjo nënzonë përfshin habitatet kryesore pyjore, shkurresh dhe përcaktohet si zonë me vlera të larta e të rralla për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin dhe në të, sipas projektvendimit zbatohet shkalla e më lartë e mbrojtjes, që siguron një territor të pashqetësuar. Në këtë nënzonë lejohen vetëm kërkimi shkencor dhe zhvillimi i veprimtarive ekoturistike të lira që nuk tjetërsojnë gjendjen e natyrës.

Harta si ishte, si u ndryshua pas lejes për aerportin e Vlorës, që do të ndërtohet në Akërni

Nënzona e dytë është ajo e përdorimit tradicional dhe e zhvillit të qëndrueshëm. Kjo është nënzona me sipërfaqen më të madhe me rreth 8800 hektarë. (e shënuar në hartë ZPTQ). Kjo nënzonë përfshin tokat pyjore, bujqësore e kullotat dhe territore ujore ku mundësohet vazhdimi i veprimtarive tradicionale si punime për shëndetësimin e pyjeve, aktivitete bujqësore, kullotja, grumbullimi dhe kultivimi i bimëve mjekësore e aromatike, me përdorim të balancuar të tyre dhe nuk lejohen ndërtimet e veprimtaritë ekonomike që shkaktojnë ndryshimin e gjendjes natyrore të ekosistemit natyror.

Në këtë nënzonë zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, që siguron një territor me ndikim të ulët dhe kontroll të veprimtarive ekonomike, sociale, agrobiznesit, argëtuese, sportive e ekoturistike. Por, lejohen ndërtimet me vendime të Këshilli Kombëtar i Territorit. Pikërisht në këtë nënzonë do të ndërtohet edhe Aeroporti i Vlorës.

Nënzona e tretë është ajo më e vogla dhe e vendosur në pjesën bregdetare të parkut. Kjo nënzonë quhet nënzona e Rekreacionit dhe ka një sipërfaqe prej 440 hektarësh (e shënuar në hartë me ZR). Në këtë zonë përfshihen pjesët e habitateve pyjore dhe ujore. Në të zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes, që do të thotë se lejohen ndërtimet urbanistike me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Si propozohet të ndryshojë zona e mbrojtur Pishë Poro-Nartë

Përveç aeroportit dhe duke përjashtuar zonë qendrore të peizazhit të mbrojtur, ndryshimet në fjalë u hapin rrugë edhe ndërtimeve të tjera në këtë park, që deri më tani ndalohen nga statusi i “rezervatit të menaxhuar natyror”.

Këto ndryshime pasojnë ndërhyrjen e Këshillit Kombëtar të Territorit me vendimin e miratuar më 28 dhjetor 2020, ku u hoq nga zona e mbrojtur sipërfaqja e Aeroportit të Vlorës, bashkë me disa ndryshime të tjera pothuajse në të gjitha zonat e mbrojtura të vendit. Sipas aktivistëve të mbrojtjes së mjedisit ky vendim i KKT-së ka hequr rreth 15 mijë hektarë territore nga zonat e mbrojtura duke u hapur rrugë ndërtimeve dhe urbanizimit të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë