Para

Projektbuxheti: S’ka shpërblim për pensionistët!

Ministria e Financave në buxhetin për 2019 nuk ka parashikuar shpërblimin e Vitit të Ri për pensionistët.

Këtë e ka bërë me dije zv/Ministri Elton Haxhi gjatë prezantimit të buxhetit faktit të 2018-ës në Komisionin Kuvendor për Ekonominë dhe Financat.

Teksa bënte të ditur këtë fakt, zv/Ministri Haxhi ndërpritet nga kreu i komisionit Arben Ahmetaj i cili thotë se “pensionistëve nuk duhet t'u mungojë shpërblimi i Vitit të Ri siç ka ndodhur për katër vite me radhë. Nëse nuk e keni parashikuar, Komisioni i Ekonomisë do ta kërkojë me ngulm.”

Buxheti faktik i vitit 2018 u diskutua sot në Komisionin për Ekonomi dhe Financat me Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ai do ti kalojë për votim seancës parlamentare të ardhshme. Të dhënat e publikuara në p/ligjin për buxhetin faktik tregojnë se pjesën kryesore të fondit rezervë e kanë marrë kompensimi pronave nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut.

Po ashtu janë vendimet për shpronësimin e pronave nga Bashkia Tiranë ndërsa më pas renditen çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar që ka pasur qeveria shqiptare me kompani të huaj.

Rreth 348.7 milionë lekë, e përkthyer ndryshe 23 përqind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet nëntë vendimeve, si shtesë fondi në planin e buxhetit të vitit 2018 për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut, për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar, për një shtesë fondesh, nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit, miratuar për vitin 2018, dhe rishpërndarje te fondit te pagave per DPT, ku janë shtuar fonde për investime, për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen në gjykatat italiane”, për subvencionimin e Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, për autorizimin e Ministrisë së Brendshme dhe MFE për lidhjen e kontratës me kompaninë Ernst&Young.

Referuar projektligjit, rreth 324.9 milionë lekë ose 22% e fondit rezervë i janë akorduar Bashkisë Tiranë, nëpërmjet dy vendimeve për shpronësime ndërkohë që 179.5 milionë lekë ose rreth 12 përqind e fondit rezervë të përdorur gjatë vitit 2018, i është dhënë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nëpërmjet tre vendimeve. Në dy prej tyre janë akorduar fonde për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin e mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar dhe me një VKM janë akorduar fonde për Autoritetin e Mediave Audiovizive.
Rreth 170.4 milionë lekë i janë akorduar institucioneve të tjera qeveritare dhe konkretisht: 75 milion lekë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për zhvillimin e aktiviteteve në kuadër të vitit të Skëndërbeut, dhe 95 milionë lekë i janë akorduar AKSHI-t.

Ministria e Drejtësisë ka marrë shtesë fondesh nga rezervat 120 milion lekë ose 8 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Drejtësisë, për investime, për rikonstruksionin dhe përshtatjen e ambjenteve ku do të ushtrojnë aktivitetin kolegji i posaçëm i apelimit dhe komisionerët publikë, institucione të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH”

Rreth 118.7 milionë lekë ose 8 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet tre vendimeve. Me një vendim është akorduar fondi prej 35 milion lekë per mbulimin e shpenzimeve për punonjësit me kontratë. Me një vendim tjeter është akorduar 80.9 milionë lekë për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar. 2.8 milionë lekë është akorduar për pagesën e kuotave të organizatave ndërkombëtare.

Në fund të vitit 2018 gjendja e fondit rezervë të buxhetit të shtetit, e papërdorur, rezulton të jetë vetëm 2.33 milionë lekë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar gjatë audititi një sërë shkeljesh, veçanërisht në Prokurimet Publike, ku sipas përfaqësues Lindita Milo tenderët e miratuar kanë tejklaluar fondin limit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë