Politike

Raporti i BE për Shqipërinë: Reforma zgjedhore kërkon dialog gjithëpërfshirës, korrupsioni shqetësim serioz

Komisioni Evropian bën një panoramë të zymtë për zgjedhjet lokale të 14 Majit në Shqipëri. Në raportin për vitin 2023, Komisioni Evropian thotë se zgjedhjet u zhvilluan në klimë të qetë, por duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga OSBE-ODIHR identifikon një sërë parregullsish.

“Ka shqetësime për keqpërdorimin e burimeve publike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë vendor, pretendime për presion mbi votuesit dhe punonjësit e sektorit publik dhe pretendime për blerje votash. Të gjitha këto duhet të hetohen siç duhet”.

Në progres raport qortohet edhe puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore që është kthyer në mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës.

“Pavarësisht krijimit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, nuk u arrit asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”.

Komisioni Evropian tregon pakënaqësi edhe për punën e Kuvendit, duke përmendur edhe problemet e brendshme të PD.

“Aktiviteti parlamentar vazhdoi të ndikohej nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare”.

KE kërkon më shumë punë nga Shqipëria për përafrimin e ligjeve me Bashkimin Evropian, por edhe më shumë goditje kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Pavarësisht disa përparimeve, lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri, mbetet një shqetësim serioz”. Ky është vlerësimi i raportit për Shqipërinë. Sipas dokumentit, vendi “ka njëfarë niveli përgatitjeje” në luftën kundër këtij fenomeni, i cili shihet “i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit”, ndërkohë që “masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorë të cenueshëm të cilët “kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të përkushtuara”.

Raporti vë në dukje hetimet e Prokurorisë së Posaçme në disa raste të nivelit të lartë, por megjithatë Komisioni europian thekson se “rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë”.

Të njëjtat vlerësime, për “njëfarë niveli përgatitje”, janë dhe për luftën kundër krimit të organizuar, ku kërkohen “më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë edhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit”. Shqipëria ka miratuar ligjin për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industrial. Për këtë, asaj i kërkohet që “të sigurojë se ekzistojnë mekanizma për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e kanabisit në përdorim të paqëllimshëm”. Sipas raportit “progresi që është arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë”. Nga ana tjetër vlerësohet se “lufta kundër krimit kibernetik, pastrimi i parave dhe parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha në të cilat nevojiten rezultate shtesë. Të dhënat mbi rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë mbeten të pamjaftueshme dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej”.

Me një nivel më të mirë përgatitjeje, i vlerësuar si “mesatar”, konsiderohet funksionimi i gjyqësorit. “Zbatimi i reformës në drejtësi vijoi, duke rezultuar në një përparim të mirë në përgjithësi. Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e Apelit dhe të Shkallës së parë. Shqipëria duhet të sigurojë që procedurat penale të nisin sistematikisht kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve zbuloi element penalë”, vë në dukje raporti.

Duke përmendur edhe dënimet për dosjen e inceneratorëve, Komisioni Evropian kërkon më shumë vendime të kësaj natyre. Po ashtu si prioritet vlerësohet edhe Vettingu në drejtësi.

Këto çështje janë pjesë e grupkapitullit të parë me të cilin Shqipëria do të duhet të përballet në momentin e uljes në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, sikundër dhe ato që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike dhe administrate publike, apo dhe kriteret ekonomike, prokurimi public, statistikat dhe kontrolli financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë