Libra

Profecia e re e Houellebecq

Houellebecq ka lëvduar Donald Trump –in për proteksionizmin e tij, duke e quajtur “një nga presidentët më të mirë amerikanë” dhe ka mburrur brexiter-sat si “trima”. Foto: Agencia EFE/Rex

Ai adhurohet si eksportuesi më i madh letrar i Francës, një provokator-poet kontrovers, që mban një pasqyrë përballë të vërtetave të zymta të Francës bashkëkohore. Kur romani i shumëpritur i Michel Houellebecq, titulluar “Serotonina”, doli në libraritë franceze, mëngjesin e së premtes së 4 janarit, me një shtyp prej 320 mijë kopjesh, përkthime në shumë vende dhe me autorin që për herë të parë qëndroi i heshtur duke refuzuar çdo intervistë apo promovim mediatik, u shpall ngjarje kombëtare. Dalja e romanit u shoqërua me Legjionin e Nderit, nderimi më i lartë kombëtar i Francës, që iu akordua 62-vjeçarit të ashtuquajtur si enfant terrible, për shërbimet e tij ndaj letërsisë frënge, nga presidenti Emmanuel Macron. “Serotonina”, rrëfenja e një inxhinieri agrikulture, që vuan nga dashuria e që shkruan raporte tregtie për Ministrinë franceze të Bujqësisë dhe urren Bashkimin Europian, është lëvduar nga media franceze si e ashpër dhe vizionare.

I shkruar përpara se lëvizja anti-qeveritare e jelekëve të verdhë të niste protestat dhe trazirat nëpër Francë, libri portretizon fermerët e pashpresë në Normandi, që inskenojnë një bllokadë të armatosur rrugësh dhe përplasen me policinë

Romani hidhet kundër politikanëve që, “nuk luftojnë për interesat e popullit të tyre, por janë gati të vdesin për të mbrojtur tregtinë e lirë.” I shkruar përpara se lëvizja anti-qeveritare e jelekëve të verdhë të niste protestat dhe trazirat nëpër Francë, libri portretizon fermerët e pashpresë në Normandi, që inskenojnë një bllokadë të armatosur rrugësh, mes përplasjeve me policinë. Houellebecq dhe narratorët e tij të pashpresë, meshkuj në moshë të mesme, shihen si parashikues të frikshëm të humorit kombëtar. Romani i tij i parafundit “Nënshtrimi”, që parashikonte një Francë të nënshtruar ndaj ligjit të sheriatit, pasi kishte zgjedhur një president mysliman më 2022-shin, u botua më 7 janar të 2015-ës dhe u shfaq në revistën satirike “Charlie Hebdo”, pak përpara se terroristët të mësynin në zyrat e redaksisë dhe të vrisnin 12 njerëz. “Platforma”, romani i tij i mëhershëm kontrovers rreth turizmit seksual dhe terrorizmit, doli një vit përpara bombardimeve të Balit, më 2002-shin.

Serotonina “konfirmon statusin e Houellebecq-ut si një vizionar dhe ai i fiton pikët e tij si romancier i madh i njerëzve”, shkruan gazeta e krahut të djathtë, Le Figaro. Romani ndjek ngjarjet e një anti-heroi tipik houellebecqian: i vetmuar, i pakënaqur dhe renditës i talenteve seksuale dhe trupave të grave me të cilat ka fjetur, kthehet në periferitë e Normandisë, për të kujtuar dashurinë e humbur. Narratori, një këshilltar agrikulture, dikur ka punuar për konglomeratin agrokimik “Monsanto”, përpara një detyre të pasuksesshme për të gjetur mënyra të reja të promovimit të djathit normandez. Ai gjen pak gëzime të reja në jetën moderne urbane, përveç larmisë së humusit në supermarkatat e qendrës së qytetit.

Nëse dikur ai mishëronte burrin anonim, nihilist në periferitë e zymta prej betoni të Francës, është bërë tanimë një figurë aq e pasur sa e shfaqi pakënaqësinë në zgjedhjet e fundit presidenciale: “Jam pjesë e elitës së globalizuar tashmë.”

Në një artikull të kohëve të fundit për “Harpers”, Houellebecq lëvdonte Trump-in për politikat e tij proteksioniste, duke e quajtur atë “një nga presidentët më të mirë amerikanë që kam parë ndonjëherë”, dhe lëvdonte gjithaq Brexit: “Britanikët m’i ngrenë nervat, por guximi i tyre nuk mund të mohohet.”Serotonina, e cila me gjasë do të vijë shpejt e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, kritikon ashpër tregtinë e lirë. Houellebecq ka thënë se ai nuk voton në zgjedhje, vetëm në referendume. Siç ka ndodhur shpesh në rastin e Houellebecq, pasazhet që dolën para botimit të librit shkaktuan fyerje, me një deputet të partisë së Macronit “La République En Marche” që ankohej se narratori e kish quajtur qytetin perëndimor të Niortit “vendi më i shëmtuar në Francë” dhe sugjeronte se romancieri duhet “të dalë nga flluska e tij parisiene” dhe të eksplorojë qytetin. Në fakt, ngërthimi në flluskën parisiene si një shkrimtar superyll është diçka, të cilën Houellebecq e vuan. Nëse dikur ai mishëronte burrin anonim, nihilist në periferitë e zymta prej betoni të Francës, është bërë tanimë një figurë aq e pasur sa e shfaqi pakënaqësinë në zgjedhjet e fundit presidenciale: “Jam pjesë e elitës së globalizuar tashmë.”

Fama ndërkombëtare e Houellebecq-ut i erdhi nga romanet e tij nihiliste, me portretizimin e burrave të zënë kurth në ekzistenca pa dashuri, që admirojnë seksin rastësor. Romani i tij i shtatë, në të cilin narratori sheh pas në hollësi të dashurat e vjetra në termat sesi ato merreshin me penisin e tij, i ka bërë edhe disa prej admiruesve të tij më të mëdhenj, si kritikja Nelly Kaprièlian nga revista “Les Inrocks”, të lëshohen: “E ka humbur lëvizjen Me Too, është e dukshme.” Kaprièlian ka thënë për radion franceze se pikëpamja e tij, e vjetruar, mbi gratë ishte e vetmja rezervë, që ajo kishte rreth romanit të tij të fundit. Referencat e një rasti zoofilie dhe përshkrimi i zbulimit të pamjeve të abuzimit me fëmijë në kompjuterin e një të dyshuari në roman, gjithashtu ka ndezur disa kritika. Elisabeth Philippe shkruante në L’Obs: “E gjithë kjo estetikë e “mashkullit të bardhë, të moshuar” është e dalë mode, përveç shitjes në një ditë të caktuar dhe, duket qartë se nuk sjell më asgjë të mirë. Ç’kuptim ka të përpiqesh të shpëtosh të mposhturin mashkull të bardhë? , pyet narratori. Këtu në fakt, qëndron e gjitha.”

Romani i tij i parafundit “Nënshtrimi”, që parashikonte një Francë të nënshtruar ndaj ligjit të sheriatit, pasi kishte zgjedhur një president mysliman më 2022-shin, u botua më 7 janar të 2015-ës dhe u shfaq në revistën satirike “Charlie Hebdo”, pak përpara se terroristët të mësynin në zyrat e redaksisë dhe të vrisnin 12 njerëz.

Megjithëse Houellebecq ka refuzuar të flasë në media – kohëve të fundit ia ka lënë në dorë mikeshës së tij Carla Bruni,këngëtarja dhe supermodelja e martuar me ish-presidentin Nicolas Sarkozy, për të zbuluar në Instagram martesën e tij të fundit – ai nuk ka hequr dorë nga kinemaja. Houellebecq është shfaqur shpesh pas dhe para kamerave dhe thuhet se ka qenë duke xhiruar me aktorin Gérard Depardieu, ku të dy burrat luajnë dy personazhe në një spa buzëdetit. Ndërkohë, revista “Charlie Hebdo”, e cila më 2015-ën kishte Houellebecq-un në ballinën e saj si një Nostradam i drobitur që përgatitej për të kremtuar Ramazanin, ka botuar një paragraf të shkurtër duke lajmëruar daljen e romanit më të ri të Houellebecq-ut. “Nuk do të themi asgjë të keqe rreth tij: herën e fundit që e bëmë, nuk pati sukses për ne.” *Angelique Chrisafis/The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë