Para

Sa paguajmë për të qenë në NATO?

Nga Sabina Veizaj -Anëtarësimi në Nato, që prej vitit 2010 deri më tani u ka kushtuar xhepave të shqiptarëve 3745 dollarë për frymë.

Që nga anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, 2 prill 2009, i cili finalizoi ato përpjekje dhe atë aspiratë mbarëshqiptare për anëtarësim në NATO, buxheti i dedikuar organizmit ndërkombëtar nuk e ka arritur ndonjëherë shifrën e përcaktuar sipas marrëveshjes së nënshkruar prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas të dhënave zyrtare të bazuara në raportet e përvitshme të NATO-s, viti kur Shqipëria ka paguar sasinë më të madhe të parave në arkën e organizatës ushtarake është viti 2010. Në këtë vit buxheti i dedikuar NATO-s ka qenë 1,56 % e PBB-së e në vitet pasardhëse, buxheti i Shqipërisë për NATON ka ardhur në rënie.

Por si është Shqipëria në raport me vendet e tjera në termat e derdhjes së kuotës për NATO-n?

Viti 2017 shënon vitin ku buxheti i Shqipërisë për organizmin ushtarak NATO është më i ulti; 1,1 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose 145 mln dollarë.

E shprehur në terma të PBB-së shifra e derdhur e Shqipërisë është e barabartë me të fqinjit Itali. Vendi fqinj që është edhe një prej themeluesëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut më 1949-ën, ka paguar për NATO-n 23,369 mln dollar vitin e kaluar.

Ne lëmë mbrapa në pagimin e kuotës Spanjën, Belgjikën, Slloveninë dhe Letoninë të cilat kanë derdhur në arkën e NATO-s më pak se 1 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

SHBA-të kryesojnë listën me 3,6 % të PBB-së ose 685, 957 mln dollar për 2017-ën.

Shqetësimi se vendet anëtare të NATO-s nuk derdhin kuotën e nënshkruar në marrëveshje ka krijuar kaos gjatë mbledhjes së samitit dje (të enjten) në Bruksel.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar aleatët europianë se Amerika do të largohet nga NATO-ja nëse vendet anëtare nuk rritin shpenzimet ushtarake.

Trump kërkoi gjithashtu që aleatët të tregojnë mënyrën se si parashikojnë të rrisin shpenzimet dhe paralajmëroi se SHBA-ja do të “shikonte rrugën e saj” nëse nuk plotësoheshin këto kushte.

Gjatë konferencës për shtyp Presidenti i SHBA-ve tha që besonte se ai kishte autoritetin të tërhiqej nga NATO pa aprovimin e Kongresit Amerikan dhe theksoi se kishte siguruar një marrëveshje për ndarjen e shpenzimeve me aleatët europianë, një kërkesë e hedhur poshtë nga Presidenti francez Macron, i cili tha se udhëheqësit nuk e ndryshuan deklaratën e përbashkët, për t’iu përshtatur kushteve të Trump.

E vërtetë ose jo një marrëveshje e mundshme e ndryshuar në bazë të kërkesave të Trump, shqetësimi i tij është i qënësishëm, pasi SHBA-të janë të vetmet që e tejkalojnë kuotën e nënshkruar dhe janë vetëm 4 shtete që e plotësojnë atë.

Në 2017-ën Presidenti Trump akuzonte Gjermaninë për zotërimin e NATO-s dhe se ishin SHBA-tëato që investonin shuma të mëdha për të.

Ky pretendim u hodh poshtë menjëherë nga Ministri gjerman i Mbrojtjes, si dhe ish-ambasadori i SHBA-ve në NATO, Ivo Daalder.

 Anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior shpenzojnë para për mbrojtjen e tyre. Paratë që dërgojnë në NATO llogariten drejtpërdrejt për më pak se 1% të shpenzimeve të përgjithshme të mbrojtjes nga anëtarët e aleancës.

Si funksionon/ Buxhetet kombëtare

NATO është e bazuar në principet e mbrojtjes kolektive: një sulm kundër njërit ose më shumë anëtarëve, konsiderohet si një sulm kundrejt të gjithëve.

Për të bërë idenë që të funksionojë, është e rëndësishme për të gjithë anëtarët që forcat e tyre të armatosura të jenë në gjendje të mirë. Në këtë mënyrë, NATO ka vendosur një target zyrtar për shumën që duhet shpenzuar prej vendeve anëtare. Ajo është sa 2% e PBB-së.

Targeti prej 2% përshkruhet si një “guidë.” Nuk është vendosur ndonjë penalitet i mundshëm nëse nuk arrihet.

Varet nga çdo vend anëtar për të vendosur se sa do të shpenzojë dhe si ti shpenzojë paratë.

Shpenzimi është rritur

Vetëm pesë prej 28 vendeve të NATO-s SHBA-të, Greqia, Polonia, Estonia dhe Britania e madhe e arrijnë targetin prej 2%.

Pjesa tjetër mbetet prapa. Gjermania ka shpenzuar 1.2% të PBB-së në mbrojtje në 2017-ën, Franca 1.8%. Belgjika, Spanja dhe Luksemburgu shpenzojnë të gjitha më pak se 1%.

NATO ka kohë që po kërkon shpenzime më të mëdha. Në një takim të nivelit të lartë në 2014, të gjithë anëtarët shoenzimet e të cilëve ishin në rënie, premtuan të lëvizin drejt objektivit zyrtar brenda një dekade.

Ky premtim u duk se u mbajt: Aleanca në tërësi ka rritur shpenzimet e mbrojtjes për herë të parë në dy dekada në 2015-ën.

Dhe në 2016-ën, 22 prej 28 vendeve të NATO-s rritën buxhetin e tyre për mbrojtjen.

Nëse SHBA-ja do të përjashtohej nga ekuacioni, grupi rezulton me shpenzimet e veta të rritura me 3.8% në vitin 2016. Duke përfshirë SHBA-në, shpenzimet e përgjithshme u rritën me 2.9%.

Problemi i 2% -it

Pra pse jo shumë vende shpenzojnë 2% të PBB-së? Shumë ekspertë mendojnë se targeti është problematik.

NATO ka paralajmëruar kundër një nxitimi për të shpenzuar për hir të shpenzimeve, duke theksuar se vendimet e buxhetit duhet të bazohen në planifikimin strategjik. Për shembull, ajo dëshiron që vendet të shpenzojnë 20% të buxheteve të tyre të mbrojtjes në pajisje.

Ka gjithashtu presion për më shumë koordinim në shpenzime mes vendeve Europiane.

Disa vende anëtare thjesht nuk kanë ushtri të mëdha mjaftueshëm që të jenë në gjendje të thithin shpejt fondet  e mëdha në rritje – kjo është arsyeja pse premtimi i samitit 2014 po vonohet duke u ndjekur nga premtimi i radhës për të bërë më shumë deri në 2024.

Islanda, anëtare e NATO-s e cila nuk ka ushtrinë e saj, shpenzon 0.1% të PBB-së së vendit në mbrojtje, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Dhe targeti i 2% nuk mbulon vetëm shpenzimet për mbrojtjen për të përmbushur angazhimet e NATO-s. Paratë mund të përdoren për të financuar aktivitete të tjera si misionet europiane të paqes në Republikën e Afrikës Qëndrore dhe Mali, po ashtu edhe misionet kombëtare që nuk janë pjesë e operacioneve të NATO-s, për shembull lufta kundër ISIS.

Burimet: Raportet e NATO-s, statista,CNN,  


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë