Mendim

Prespa që ndan grekët dhe shkatërron partitë e tyre

Nga Aleksandër Marku – Edhe njëherë sheshi “Sintagma” para parlamentit grek në Athinë ishte dëshmitar i një historie të përsëritur dhjetëra herë në vitet e fundit. Por ndërsa vitet e kaluara parullat dhe thirrjet e grekëve ishin thjesht ekonomike, kësaj here protestuesit, të mbledhur kundër marrëveshjes së Prespës që pritet të aprovojë parlamenti këtë fund javë, janë shpërndarë nën ajrin mbytës të bombave me gaz lotsjellës, kur një grup ekstremistësh të djathtë kanë dashur të kalojnë barrierën policore për t’u futur në ndërtesën parlamentare.

Por më shumë se përleshja e tyre me forcat e policisë, konfrontimi më i madh ka filluar para tubimit, ka vazhduar përgjatë tij dhe padyshim edhe më pas. Ka gati një vit që reagimet janë përshkallëzuar, prej janarit të kaluar, kur Athina dhe Shkupi filluan të ndërmjetësojnë seriozisht për të zgjidhur çështjen e emrit që mban peng dy vendet prej 27 vitesh.

Dy tre mitingje të mëdha në Selanik dhe dy të tjera në Athinë janë vetëm një pjesë e këtij kundërshtimi që pasoi nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës nga dy qeveritë dhe filloi rruga e vështirë e aprovimit parlamentar në fillim në Shkup dhe tashmë e ka radhën Athina.
Ashtu si në protestat e tjera edhe kësaj here përkrahësit dhe kundërshtarët e kësaj çështjeje nuk i kanë kursyer përsëri fjalët e “ëmbla” në rrjetet sociale.

Një palë flasin për obskurantizmin që vazhdon të udhëheqë shoqërinë greke, për organizata fetare që të paguara siç thonë, nga qendra të huaja, përpiqen të rrëzojnë qeverinë duke përdorur çdo metodë, për ekstremistët e djathtë që u shkëlqejnë sytë nga gëzimi kur gjejnë këtë terren që favorizon fuqizimin e tyre, për një fushatë keqinformuese me qindra “fake news” që kanë qëllim të shkatërrojnë një prej marrëveshjeve që BE e quan më historike dhe paqësoren në rajon.

Pala tjetër flet për politikanë tradhtarë, për të majtë që duan të shkatërrojnë kombin, kishën, besimin, ortodoksinë, që u shesin interesat e vendit shkupjanëve, që u bëjnë qejfin qeverive perëndimore.

Dhe në mes një popull që sapo ka dalë nga kriza, që nuk di kë të besojë, që i dhemb në të vërtetë të quhen “maqedonas” fqinjët e tij veriorë dhe të quhet gjuha e tyre “maqedonishte”. Pavarësisht se shumë historianë publikojnë dokumente që tregojnë se aspak qeveria e sotme nuk po shet emrin e Maqedonisë, pasi siç thonë, prej viteve ‘50 politikanë të shquar, midis tyre vetë Konstandinos Karamanlis, e kanë quajtur vendin fqinj, thjesht “Republika e Maqedonisë”.

Në këtë vorbull akuzash janë përfshirë edhe partitë greke. “Demokracia e Re” akuzohet nga partia qeveritare Syriza se po zhndërrohet në një parti të ekstremit të djathtë, se po shfrytëzon këtë çështje për interesa të ngushta partiake për të ardhur në pushtet, ndërkohë që për hir të së vërtetës, linja kombëtare e shprehur nga konservatorët në vite, ka qenë pro një emri me përcaktim gjeografik siç është “Maqedonia e Veriut”.

Ndërkohë vetëm disa ditë para votimit të marrëveshjes nga ligjvënësit grekë, gati tre parti parlamentare duket se po shkrihen ose po përçahen. Në fillim “Grekët e Pavarur” të ish ministrit të Mbrojtjes Panos Kammenos, që tashmë ka përjashtuar disa prej deputetëve të tij.

Më pas partia “Potami” (Lumi) ku tre ligjvënës të saj pohojnë se do ta votojnë, ndërsa dy të tjerët kundërshtojnë dhe janë gati për të braktisur këtë forcë politike. Dhe së fundmi edhe koalicioni “KINAL” i socialistëve të PASOK-ut me të Majtën Demokratike duket më i përçarë se kurrë. Përveç të tjerash edhe ish kryeministri Georgios Papandreu, pjesë e këtij grupimi, shprehet se do votojë Prespën.

Edhe pas mitingut të djeshëm akuzat ndërpartiake nuk patën të sosur. Syriza fliste për ekstremistë të djathtë që dhunuan policinë. Demokracia e Re për dhunën policore ndaj protestuesve. Në rrjetet sociale u panë krahas fotografive të deputetëve konservatorë edhe ato të atyre të Agimit të Artë, madje edhe të liderit të tyre që përshëndet në mënyrë naziste në mes të turmës.

Motra e Kostandinos Kacifas

Nuk kaloi pa komente edhe flamuri i vorioepiriotëve me fotografinë e Konstandinos Katsifas dhe fjalimi i motrës së tij para protestuesve, kur e cilësoi vëllain e saj hero të çështjeve kombëtare siç është emri i Maqedonisë, ndërsa quajti tradhëtarë të gjithë ata që përkrahin marrëveshjen e Prespës.

Mbi të gjitha fotografitë me gazetarët e gjakosur nga sulmet e ekstremistëve të djathtë ishin edhe njëherë një kambanë alarmi se çfarë sjell kultivimi i nacionalizmit, loja politike e partive me populizmin dhe mosdenoncimi i fenomeneve të dhunës nga grupet neonaziste që tashmë po veprojnë hapur dhe pa frikë në Greqi, por edhe disa vende të tjera europiane.


Një gjë është e vërtetë, Prespa ka përçarë grekët më shumë se kurrë. Marrëveshja po përdoret si asnjë tjetër politikisht nga të gjitha forcat politike. Qeveritë perëndimore, NATO dhe BE e quajnë atë një marrëveshje historike që do sjellë paqe në rajon dhe kanë propozuar Tsiprasin dhe Zaevin për Nobelin e Paqes. Por në Greqi tani për tani vetëm paqe nuk ka.

Nga ana e saj Athina zyrtare shprehet se kjo ishte marrëveshja më e mirë që mund të bëhej me fqinjët. Argument për të janë dokumentet historike sipas të cilave qeveritë greke kanë njohur gjuhën maqedonase prej viteve ‘70, si gjuhë e folur në shtetin fqinj. Ndërsa më shumë se 140 shtete e quajnë ende dhe tani këtë shtet “Republika e Maqedonisë”.

Kryeministrat Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev

Pas ndryshimeve kushtetuese në parlamentin e Shkupit, qeveria Tsipras thekson se në marrëveshje tashmë sqarohet se vërtet gjuha do quhet “maqedonase”, por aty shkruhet se ajo i përket grupit të gjuhëve sllave. Ndërsa edhe me fjalën nationality/ macedonian – nënkuptohet nënshtetësia dhe jo kombësia – vë në dukje Athina – duke treguar ndryshimin që kërkuan dhe që u pranua edhe nga partitë shqiptare në IRJM para votimit.

Në këtë klimë, kjo javë do të sjellë gjithë tensionin brenda parlamentit, aty ku besohet sipas parashikimeve, se do të përsëritet e njëjta skenë-triller si në Shkup para dy javësh, kur marrëveshja kaloi me vështirësi.

 

Më Shumë