Njerez

Politika (anti)sociale e strehimit

Nga Gazeta Si - Rritja e fortë e qirave të shtëpive ishte një shtysë më tepër për K.Ç. dhe R.Ç., një çift i ri rreth të 30-ave dhe me një fëmijë të mitur, që të aplikonin për të përfituar nga programi i strehimit social në Bashkinë e Tiranës për herë të parë, ndonëse kanë disa vite që jetojnë në kryeqytet.

Të dy të punësuar me pagë rreth nivelit mesatar, plotësuan dokumentacionin e kërkuar nga zyrtarët e bashkisë dhe kryqëzuan gishtat.

“Qiratë janë bërë të papërballueshme. Pothuajse janë dyfishuar në dy vite. Provuam njëherë aplikuam mos përfitonim kredi të butë nga programi i strehimit social”, thotë K.Ç për Gazetën Si.

LEXO EDHE:
- Kush dhe si përfiton nga subvencioni i kredisë për banesat sociale
- Strehimi social - Kush mbështetet me qira dhe si llogaritet përfitimi
- Strehimi social jepet me koncesion, vendimi: Bashkitë mund të japin troje publike për kompanitë private

Çifti thotë se kaloi fazën e parë të përzgjedhjes, pra atë të plotësimit korrekt të dokumentacionit.

“Dorëzuam certifikatat e lindjes, gjendjes familjare, vërtetim banimi në Tiranë, vërtetim të pagave bashkë me vërtetimin për pagesën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Të gjitha sipas listës së dokumenteve të kërkuara”, sqaron R.Ç., e cila është marrë më shumë me të gjithë procesin e aplikimit.

Pasi kaluan fazën e parë atyre iu rritë shpresat se mund të kishin një banesë të tyre. Sot jetojnë në një shtëpi 1+1 në një nga zonat periferike të Tiranës, ku qiratë janë rritur më shumë për shkak të kërkesës së lartë.

“Kur kemi hyrë te kjo shtëpi, nga 2015-2016, qiraja ka qenë 140 mijë lek (të vjetra). Ka ardhur duke u rritur gradualisht dhe sot pronari na ka njoftuar se do ta rrisë sërish. Sot paguajmë 260 mijë lek (të vjetra) po kështu si po shkojnë çmimet kemi frikë se do rritet prap, se këtu s’po flasin më as me lek, po vetëm me euro”, shton K.Ç.

Çifti thotë se janë prej 6 vitesh të punësuar dhe me të ardhura plotësisht të deklaruara. Burri punon si menaxher në një lokal në zonën e Komunës së Parisit, gruaja ndihmësfinanciare në një kompani shitjesh materialesh ndërtimi.

Të ardhurat totale të tyre shkojnë në rreth 1.1 mln lek (të vjetra).

“Me këto çmime që janë sot, ça mund të bësh me 1 mln lek?! Është kopshti i gocës për të paguar, dritat, uji, qiraja, shpenzimet e tjera, për të mos folur që edhe domatja është shndërruar në ushqim luksi për ne”, shprehet K.Ç.

Ata shpresonin që me sigurimin e një banese me kredi të butë jo vetëm që do t’u siguronte një çati të tyren mbi kokë, por edhe do t’u lehtësonte shpenzimet nga xhepi.

“Ata që kanë marrë shtëpitë nga ky program strehimi na thonë se paguajnë në muaj nga 120 deri në 180 mijë lek (të vjetra) këst kredie. Kësti varet nga madhësia e shtëpisë dhe zona, por gjithsesi prap shumë më lirë se qiraja që paguajmë sot është”, deklaron bashkëshorti.

Por, planet e bëra prej tyre dështuan. Nga institucionet morën përgjigje negative. Aplikimi iu refuzua për faktin se K.Ç., rezultonte debitor të tatimet, debi që thotë se e ka krijuar para se të martohej.

“Kam pasur një lokal që e mbylla kur nisi ajo vala e madhe e fiskalizimit në 2016-2017. Bëra llogaritë dhe nuk ma leverdiste që ta mbaja, se në atë kohë kërkonin me zor dy punonjës të siguruar, pavarësisht se mund t’i kishe familjarë”, tregon K.Ç.

Thotë se detyrimi i krijuar në atë kohë ishte rreth 800 mijë lek të vjetra. Sot…

“Kam frikë të shkoj të pyes, se kush e di sa milionë do ketë shkuar”, tregon K.Ç.

Ai e cilëson absurd arsyetimin e dhënë nga institucionet që i refuzuan strehimin social. “Unë po të kisha ato lek mbase nuk do të aplikojë te programi i strehimit social”, thotë ai.

Kriza e çmimeve, refuzimi nga programi i strehimit social dhe sidomos rritja e qirasë ka bërë që çifti të mendojë seriozisht dy rrugë si zgjidhje dhe që të dyja ato i largojnë nga Tirana.

“Ose do të kthehemi në rrethet nga kemi ardhur e t’u bëhemi barrë prindërve, por që edhe atje jetesa e vështirë është bërë, ose do bëjmë gati valixhet të marrim gocën dhe ta provojmë jashtë Shqipërisë. A s’është arsye e mjaftueshme për të përfituar azilin fakti që këtu s’po mbyllim dot muajin dhe s’kemi ku e përplasim kokën kur s’e mbyllim dot?!”, thonë ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë