Politike

Strehimi social jepet me koncesion, vendimi: Bashkitë mund të japin troje publike për kompanitë private

Qeveria u hap rrugën bashkive që t’u ofrojnë kompanive ndërtuese prona publike, në këmbim që këto të fundit të ndërtojnë godina me qëllim strehimin social.

Vendimi është marrë në një mbledhje të së enjtes të Qeverisë dhe ai ngarkon bashkitë që të identifikojnë pronat që kanë në zotërim në territorin e tyre me qëllim strehimin social, pavarësisht nëse kanë apo jo plan të përgjithshëm vendor të miratuar.

Sipas vendimit, bashkitë duhet të kenë parasysh në identifikimin e këtyre pronave planin e përgjithshëm vendor, nëse kanë dhe atë të detajuar vendor të zhvillimit urban, nevojat dhe kërkesat për banesa në treg dhe nevojat për banesa sociale, koston totale për metër/katror të ndërtimit në zonën e përzgjedhur dhe vlerësimin e ekspertëve të licencuar për vlerën e truallit që do t’i ofrohet privatit për ndërtim.

Vendimi u jep të drejtë bashkive që të shkëmbejnë truallin me sipërfaqe ndërtimi, në rastet kur godinat ndërtohen me financim të subjektit privat, ndërkohë që njihet edhe forma e bashkëfinancimit, pra edhe me para private, edhe me para të bashkive, por vetëm në rastet kur trualli i takon privatit.

Për një pronë, Bashkitë duhet të hapin procedura konkurrese, pra të hedhin në ankand për të siguruar, sipas VKM-së vlerën më të lartë të shkëmbimit mes truallit dhe sipërfaqes ndërtimore që do të përfitohet.

Thirrja për konkurrim botohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, në faqet e internetit të bashkive. Për vlerësimin e ofertave ngrihet një komision nga bashkia. 30 pikë jepen për zgjidhjen teknike, ku ku vlerësohen zgjidhjet e qëndrueshme dhe efiçente për ndërtimin dhe shfrytëzimin e objektit; shkalla e performancës energjetike të godinës; përdorimi i materialeve dhe teknologjive qarkulluese/ricikluese;

70 pikë jepen për përqindjen më të lartë të shkëmbimit të vlerës së truallit publik në pronësi të bashkisë me sipërfaqen e ndërtimit të përfituar. Nga momenti i shpalljes së procedurës, kompanitë private kanë 30 ditë kohë kalendarike që të aplikojnë.

Procedura tjetër e parashikuar në këtë VKM është ajo e përzgjedhjes me thirrje për shprehje interesi për bashkëfinancim. Kjo përcedura mund të zbatohet kur njësia e vetëqeverisjes vendore ka në dispozicion fonde investimi për banesa sociale, por nuk disponon truall në pronësi të saj për ndërtim dhe synon integrimin e familjeve në nevojë nëpërmjet përzierjes sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë