Treg

Kush dhe si përfiton nga subvencioni i kredisë për banesat sociale

Jo të gjithë që përfitojnë banesë me kosto të ulët nga shteti do tiu mundësohet subvecioni për kredinë e butë e marrë për shtëpinë.

Qeveria ka vendsour disa kritere të caktuara dhe plotësimin e dokumenteve përkatëse për të përfituar nga masa e subvecionit të interesave të kredisë. Në vendimin e miratuar dje gjatë mbledhjes së qeverisë, ajo ka miratuar edhe procedurën e dhënies së subvecionit për familjet që përfitojnë banesë m,e kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti.

Sipas vendimit të Qeverisë, masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, “Për strehimin social”, është e barabartë me diferencën që rezulton ndërmjet interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë me interesin në varësi të aftësisë përballuese të familjes, me kusht që interesi dhe principali që paguan familja të mos jenë më të mëdha së aftësia e familjes për t’i përballuar.

Në rastet kur këstet mujore me interes të subvencionuar rezultojnë më të larta se aftësia e familjes për t’i përballuar ato, familja kalon për trajtim në një program tjetër të përballueshëm për të.

Llogaritja e masës së subvencionit të interesave të kredisë bëhet në momentin e lidhjes së kontratës për marrjen e kredisë, ndërmjet individit/familjes përfituese dhe institucionit financiar, sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet institucionit financiar dhe ministrisë përgjegjëse për strehimin ose njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Kurse familjet qiramarrëse që banojnë në banesa, pronë e subjekteve të shpronësuara, përfitojnë subvencion 100% të interesit të kredisë. Këto familje paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0%.

Procedura e dhënies së subvencionimit për interesat e kredisë për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët me kredi nis me përzgjedhjen e institucionit financiar që do të kreditojë familjet, e cila bëhet përmes një konkursi, oferte publike.

Pas përzgjedhjes së ofertës fituese, ndërmjet institucionit financiar dhe institucionit që financon programin nënshkruhet një marrëveshje.

Kur subvencionimi i interesave të kredisë kryhet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, marrëveshja me institucionin financiar nënshkruhet nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore konkrete, pas një vendimmarrjeje nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Masa e subvencionit të interesave të kredisë miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore;
Kur subvencionimi i interesave të kredisë do të kryhet nga buxheti i shtetit, marrëveshja lidhet ndërmjet ministrit përgjegjës për strehimin, ministrit përgjegjës për financat dhe institucionit financiar.

Marrëveshja parashikon, ndër të tjera, kushtet e kreditimit, ku përfshihen: i. interesi i kredisë, i cili nuk mund të jetë më i lartë nga ai me të cilin banka ka konkurruar; mënyra e llogaritjes së interesit të kredisë; afati maksimal i shlyerjes së kredisë; raporti i shumës së kredisë me vlerën e banesës; kostot administrative; formulën e llogaritjes së nivelit minimal të të ardhurave të familjeve.

Vendimi i qeverisë detyron INSTAT-i (Instituti i Statistikave) të publikojë të dhëna mbi të ardhurat mesatare.
Kur programi financohet nga buxheti i shtetit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda kuotave të përcaktuara paraprakisht nga ministria përgjegjëse për strehimin (numrit të familjeve që përfitojnë), miratojnë listën e familjeve sipas sistemit të pikëzimit të miratuar prej tyre dhe që plotësojnë kushtet:Kanë të ardhura mujore jo më të larta se të ardhurat mesatare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse dhe nuk përballojnë dot pagesat e kredisë për blerjen e një banese me vlerë jo më të madhe se mesatarja e vlerave të tregut në atë njësi dhe me sipërfaqe jo më të madhe se normat e strehimit.
Nuk disponojnë banesë në pronësi ose disponojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, apo janë zhvendosur nga banesat.

Kur programi financohet nga buxheti i njësisë së vetëqeverisjes vendore, zbatohen të njëjtat kritere për miratimin e listës së familjeve, sipas kuotave (numri i familjeve përfituese) që përcaktohen nga vetë ato.

Për verifikimin e kushteve të mësipërme, strukturat përgjegjëse për strehimin, në bashkëpunim me administratorët shoqërorë, krahas verifikimit të dokumentacionit përkatës mund të kryejnë në vendbanimin e familjes verifikime që lidhen me gjendjen e banesës dhe me sipërfaqen e saj.

Pas kësaj, struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore shpall listat e aplikuesve nëpërmjet njoftimit në faqen e saj të internetit si dhe njoftimit publik në vende të dukshme. Çdo individ/familje, që pretendon se nuk figuron në lista, ka të drejtën të paraqitet për verifikim.

Individi/familja që aplikon për subvencionimin e interesave të kredisë duhet të paraqesë në strukturën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore dokumentacionin që lidhet me plotësimin e kushteve të përgjithshme. Lista e familjeve që plotësojnë kushtet e subvencionimit të interesave të kredisë miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Miratimi nuk e bën familjen automatikisht përfituese. Institucioni ndjek të gjitha procedurat e veta për përfitimin e kredisë dhe verifikon aftësinë përballuese të individit/familjes, mbështetur në të ardhurat që kanë, me qëllim që përfituesi të zgjedhë në treg për blerje me kredi një banesë që i përshtatet kushteve specifike të tij. Institucioni financiar bën vlerësimin për banesën e zgjedhur dhe aftësinë për ta përballuar shlyerjen e kësteve të kredisë nga përfituesi, mbështetur në programin e subvencionimit të interesave të kredisë.

Dokumentacioni

Vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit;

Vërtetimin nga bankat për gjendjen e llogarive dhe të depozitave të familjes/individit;
Dokumentin e lëshuar nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore për dhënien e statusit të individit/familjes që përfiton për subvencionimin e kredisë;

Çertifikatën e gjendjes familjare;

Adresën e banesës dhe emrin e pronarit të banesës.

Individët/familjet që nuk përfshihen në listen e përfituesëve, kanë të drejtën e ankimit administrativ pranë kryetarit të njësisë së vetëqeversjes vendore për t’u njohur me shkaqet e mospërfshirjes së tyre në listën e përfituesve. Kundër këtij vendimi, individët/familjet kanë të drejtën e ankimit në gjykatën administrative.

Institucioni financiar njofton individët/familjet përfituese për t’u paraqitur për lidhjen e kontratave. Kontrata e kredisë lidhet ndërmjet institucionit financiar dhe gjithë pjesëtarëve madhorë të familjes.

Individët/familjet përfituese duhet të kujdesen për gjetjen e një banese për blerje me kredi dhe kanë një afat 6-mujor nga data e marrjes së njoftimit për lidhjen e kontratës me institucionin financiar. Në rast se pas kalimit të këtij afati individi/familja ende nuk ka gjetur banesë, paraqitet pranë institucionit financiar dhe institucionit që monitoron subvencionim e kredisë për të kërkuar shtyrje të afatit.

Individët/familjet përfituese të kredisë me interes 0%, që janë qiramarrës në banesa pronë e subjekteve të shpronësuara, duhet të paraqesin një deklaratë pranë nëpunësit të institucionit publik, të ngarkuar nga qeveria që ai dhe familja e tij pranojnë të lirojnë banesën e pronarit brenda 30 ditëve, nga data e lëvrimit të kredisë, përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në marrëveshjen me pronarin/pronarët. Institucioni financiar nuk lidh kontratën me përfituesin në mungesë të deklaratës së mësipërme.

Për çdo individ/familje, institucioni financiar llogarit shumën e subvencionimit të interesave të kredisë për gjithë jetëgjatësinë e kontratës, e cila i njoftohet institucionit publik, që financon programin. Kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100% e vlerës së banesës së blerë, sipas çmimit të referencës. Diferenca, që rezulton ndërmjet vlerës së banesës dhe shumës që krediton institucioni financiar, paguhet nga familja në mënyrë të menjëhershme, ose me këste, me interes të pasubvencionuar.

Për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore, kufiri maksimal i kreditimit, që mbulohet sipas strukturës së familjes, llogaritet bazuar në çmimet mesatare të shitblerjes së banesave në treg; sipërfaqes së apartamentit që përfiton familja dhe shumës maksimale që mund të kreditojë institucioni financiar.

E drejta e shlyerjes së kredisë nuk mund t’i kalojë një personi tjetër. Në rast se familja, për shkaqe ekonomike, nuk mund të vazhdojë më shlyerjen e kredisë, njofton menjëherë institucionin financiar dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore përkatëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë