Ne rrjet

Polemika në Arezzo të Italisë: Në qesen ku shitet buka ka një poezi të Musolinit

Një “M” që nënkupton Benito Mussolinin dhe një poezi po nga ai po shpërndahet së bashku me qesen e bukës në dy furra buke në Arezzo, Itali, një veprim që ka hapur shumë polemika në vend.

Ishte një studiues i cili e vuri re i pari këtë fakt, pasi shkoi në një nga furrat për të blerë bukë.

Furrat janë të dyja në të njëjtin emër “Panart”.

“Duajeni bukën, zemrën e shtëpisë, aromën e tryezës, gëzimin e vatrës. Nderoni bukën, lavdinë e fushave, festën e jetës. Respektoni djersën e krenarisë, poemë e sakrificës. Mos e çoni dëm bukën, pasurinë e atdheut, shpërblimin më të shenjtë për mundin njerëzor”.

Ky është teksti, i printuar gjithashtu së bashku me një 'M'.

Kjo është e ashtuquajtura 'Lutja e Bukës', shkruar nga vetë Mussolini dhe që u shfaq për herë të parë në 'Popolo d'Italia' të 25 marsit 1928, shkrim që në një farë mënyre përshtatet me betejën e famshme të grurit, e drejtuar nga regjimi fashist midis viteve 1925 dhe fillimit të viteve 1930.

Beteja e grurit ishte një fushatë e nisur gjatë regjimit fashist me synimin për të ndjekur vetë-mjaftueshmërinë e prodhimit të grurit në Itali.

Studiuesi njohu menjëherë stilin dhe gjithashtu edhe nënshkrimin e Mussolinit, siç raportohet në Corriere della Sera që shkruan se në dy furrat e bukës, njëra e vendosur në lagjen Pescaiola dhe tjetra në via della Chimera, ato qese janë përdorur prej disa kohësh.

Ekziston edhe një dyqan i tretë me të njëjtën markë, Panart, në fshatin Ceciliano, pak jashtë Arezzo-s dhe dikur i përkisnin të njëjtit pronar, por sot i përkasin dy menaxherëve të ndryshëm, njëri prej të cilëve shpjegon se qeset i ka marrë me shumicë nga një kompani dhe nuk ka ndërmend ti heqë.

“Qeset i kam me shumicë dhe kam me mijëra. Në fund të fundit, vlerësimi i produkteve vendase mbetet një nga misionet më të mëdha që ne kemi. Nuk më intereson pjesa tjetër”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë