"Shifrat e raportuara zyrtare të rritjes së inflacionit nuk shprehin plotësisht realitetin e tregut shqiptar në pikëpamjen e çmimeve. Për shembull, dihet tashmë se çmimi i karburanteve në Shqipëri është njëri nga më të lartët në botë. Në fakt, ai është mesatarisht tre herë më i lartë sesa në Sh.B.A. Si pasojë, karburantet hanë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të qytetarit shqiptar sesa në vende të tjera të zhvilluara dhe në zhvillim. E megjithatë, transporti zë vetëm 6.3% të buxhetit të familjes mesatare, ndërkohë që kjo shifër është rreth 9% në Sh.B.A."- Hysa
Sabina Veizaj - Plakja e popullsisë tashmë është një fenomen shqetësues global, veçanërisht në Shqipëri, ku ekonomia është ende e pakonsoliduar dhe e paqëndrueshme.
Plakja e popullsisë me ritme të shpejta ndikon si tek forcat e punës, skema e pensionit që përherë ka patur sjellje defiçitare ndaj buxhetit të shtetit e gjithashtu në konsum.
Por prej kohësh ka lindur një debat në arenën ndërkombëtare në komunitetin e ekspertëve të fushës së makroeknomisë, që plakja e popullsisë ndikon në inflacion, pavarësisht se nuk është zbuluar një lidhje e mirëfilltë teorike mes dy treguesëve.
Në literaturën botërore prej do kohësh është shfaqur një qasje se inflacioni i ulët mund të influencohet gjithashtu, mes variablëve të tjerë, nga demografia.
Ka disa kërkime që vlerësojnë se një rritje e popullsisë së moshuar, lidhet me një normë më të ulët inflacioni.
Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria po plaket me ritme shumë të shpejta. Dhe parashikimet e këtij organizmi tregojnë që, grupmosha 65 vjeç e lart do të rritet me gati 20 % deri në 2050-ën, kurse grupmosha 0-19 vjeç do të ulet me më shumë se 10%.
Për shkak të ndikimit të krizës globale, në tremujorin e fundit të vitit 2011-ës, vendi përjetoi një rrezik deflacionist që u shfaq gati vazhdimisht deri në vitin 2016-ën ku në shkurt të atij viti inflacioni arriti në 0,2 %.
Objektivi i Bankës së Shqipërisë është mbajtja e inflacionit (rritja e përgjithshme e çmimeve) të çmimeve të konsumit në nivelin 3%.
Rritja përtej 3% për konsumatorët do të thotë që me të njëjtën sasi parash mund të blesh më pak të mira dhe shërbime se në të njëjtën periudhë të mëparshme referuese.
Kurse rënia nën objektiv, veçanërisht kur inflacioni është afër zeros, është shenjë e rrezikut të rënies së çmimeve. Kjo situatë përkthehet në rënie të konsumit e si rezultat rënie të prodhimit dhe investimit, prandaj kemi rënie të rritjes ekonomike.
Në këto kushte në 2011 qeveria mori masa për rritjen e borxhit publik me ligj në masën 60% nga 40% që ishte më parë (pasi i duhej të merrte borxh më tej për investim të ekonomisë) dhe Banka e Shqipërisë nisi të ulte normën bazë të interesit duke vazhduar mandej ta ulte mbi 11 herë deri në 1%, sa ç’është aktualisht, pasi stimuli monetar nuk po jepte efekt.
Në janar 2019-të inflacioni shënoi 1,9 %, 1,1 pikë përqindje larg objektivit, për arritjen e të cilit, Guvernatori i Bankës së Shqiëprisë Gent Sejko ka deklaruar në daljet e tij publike se Këshilli i Mbikqyrjes do të rrisë normën bazë të interesit të lekut pas tremujorit të dytë të vitit, pasi ekonomia shqiptare do të nisë të rrisë ritmet e rritjes.
Duke ndryshuar normën bazë, banka ndikon të gjitha normat e interesit në treg, në mënyrë që të krijojë kushte për të garantuar sasinë e kërkesës dhe ofertës së ekonomisë për mallra dhe shërbime të balancuar në një nivel që prodhon çmime që ndryshojnë afër objektivit të inflacionit të bankës prej 3%.
Në këtë kontekst, ndryshimet demografike kanë pasoja të rëndësishme mbi strukturën moshore dhe shëndeti i fuqisë punëtore ndikon në performancën e tregut të punës. Mandej, pozita e fuqisë punëtore përcakton potencialin për kursime dhe investime.
Dhe ndonëse një lidhje teorike e dokumentuar ndërmjet plakjes së popullsisë dhe inflacionit nuk ekziston, thotë eksperti i Moody’s Ilir Hysa, ka disa kanale të mundshme për një lidhje të tillë. Rritja e jetëgjatësisë presupozohet të ulë shkallën natyrale të normës së interesit. Kjo ndodh sepse individët në moshë pune kursejnë më shumë sesa të moshuarit dhe të rinjtë jashtë tregut të punës. Të moshuarit zakonisht tërheqin nga kursimet e viteve të punësimit për të mbështetur konsumin. Për këto arsye, preferencat ndaj shkallës së inflacionit variojnë në varësi të pozicionit në të cilin individët gjenden në ciklin e tyre jetësor. Për shembull, të rinjtë preferojnë inflacion më të lartë sepse ata janë zakonisht më në borxh sesa grupmoshat a tjera të shoqërisë dhe inflacioni ul vlerën e borxhit të tyre. Në kontrast, individët e moshuar jashtë tregut të punës përdorin më shumë prej të ardhurave të tyre dhe preferojnë inflacion më të ulët.
Një studim të plotë që hulumton lidhjen ndërmjet demografisë dhe inflacionit është kryer në vitin 2018 nga Mikael Juselius i Bankës Qëndrore të Finlandës (Bank of Finland) dhe i Elod Takats të Bankës për Marrëveshje Ndërkombëtare (Bank for International Settlements) të titulluar “Lidhja e qëndrueshme ndërmjet demografisë dhe inflacionit” (“The enduring link between demography and inflation”). Studimi bazohet në një analizë të 22 vendeve mes viteve 1870 dhe 2016, periudhë e cila përfshin cikle të veçanta demografike dhe në të cilën ndiqet evoluimi i 17 grupmoshave. Duke kontrolluar parametra të ndyshëm ekonomikë potencialë dhe realë, autorët studiuan varësinë e ndryshimeve në çmime nga ndryshimet në përbërjen demografike dhe arritën në konkluzionin se rritja e përqindjes së popullsisë jopjesëmarrëse në tregun e punës, e rrit shkallën e inflacionit, ndërsa rritja e përqindjes së asaj pjese të popullsisë e cila merr pjesë në tregun e punës e ul inflacionin.
Studimi hipotetizon përcaktimin e çmimeve në tregje me konkurencë të lirë, pasi monopolet janë të paligjshme në ekonomi kapitaliste me qeverisje normale.
Prandaj, gjykon eksperti Hysa, një studim i ngjashëm nuk do të prodhonte rezultate që do të përshkruanin saktësisht situatën inflacionare në Shqipëri.
Shqipëria, argumenton ai, ka përjetuar dhe do të vazhdojë të mbetet e kapluar nga një goditje e rëndë demografike. “Por me lulëzimin e aktiviteve ilegale për vite me radhë, të ardhurat nga tregu i punës kanë patur më pak peshë deri tani sesa duhet të kishin normalisht. Por nëse Shqipëria do të bëjë detyrat e shtëpisë për tu integruar në Europë, aktivitetet ilegale do të kenë më pak oksigjen, gjë që do të thotë se të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme do të kenë peshë më të madhe. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se migrimi i vazhdueshëm i pjesës më vitale të shoqërisë, që ka çuar në ulje të numrit të qytetarëve të vendit në përgjithësi dhe që ka rritur ndjeshëm pjesën e moshuar dhe joproduktive të shoqërisë, do të ketë pasoja më të ndjeshme. Nuk ka dyshim se në kushte të tilla dinamika e tregut të punës do të ketë rol më të madh mbi inflacionin në vitet që vijnë.”- sqaron eksperti i Moody’s.
Analiza vijon më tej duke marrë parasysh përqindjen e popullsisë që zakonisht mban barrën e një ekonomie, ndërmjet 20 e 64 vjeç, pritet të jetë më e vogël në vitet e ardhshme. Mandej, ajo pjesë e shoqërisë që do të mbajë mbi supe barrën e ekonomisë shqiptare pas 2-3 dekadave, grupmosha 0-19 vjeç, përbën tashmë më pak sesa çerekun e popullsisë së Shqipërisë, duke rënë në mënyrë drastike nga 40% dy dekada më parë që në vitet që vijnë do të vijojë të ulet.
Sipas Hysës, vendim i kohëve të fundit i qeverisë i cili synon stimulimin e lindjeve nëpërmjet kompensimit financiar duhet përshëndetur. Politika të tilla janë tashmë të njohura në Europën Perëndimore, pëmend ai, ku plakja a popullsisë është problem akut. Për shembull, jo shumë kohë më parë, thotë Hysa, qeveria daneze filloi fushatën edukative për nxitjen e lindjeve të konceptuar si “Bëje për Danimarkën!” (Do it for Denmark!).
“Problemi për Shqipërinë mbetet se as lindjet e shtuara nuk do ta ndihmojnë dot ekonominë nëse vite më vonë, pasi shoqëria investon në rritjen e edukimin e të rinjve, ata largohen gjetkë për një jetë më të mirë. Duhet thënë se bota po vjel prej vitesh dhe do të vazhdojë të shijojë frutet e investimeve në burime njerëzore që bëhen në Shqipëri.”- sqaron ai.
Sipas studimit Juselius dhe Takats (2018), kjo pamje demografike kontribuon në rritjen e inflacionit.
Por për Hysën, faktorët demografikë nuk janë i vetmi burim i rritjes së çmimeve në Shqipëri. “Madje unë mendoj se një faktor po aq i rëndësishëm, ndoshta edhe më prevalent, është ekzistenca e monopoleve dhe oligopoleve në tregje të caktuara. Siç dihet, monopolet dhe oligopolet janë kompani - një e vetme ose një numër i vogël - të cilat operojnë në tregje të përqëndruara dhe kanë kontroll mbi çmimet sepse nuk ndjejnë presionin e konkurentëve. Entitete sikurse monopoli janë të paligjshme gjetkë, por ato vazhdojnë të lulëzojnë në Shqipëri. Qytetarët që gdhihen e ngrysen në realitetin shqiptar i njohin pronarët e mëdhenj të tregut të burimeve natyrore shumë më mirë sesa unë.”- thotë ai.
Pra, sipas Hysës, shifrat e raportuara zyrtare të rritjes së inflacionit nuk shprehin plotësisht realitetin e tregut shqiptar në pikëpamjen e çmimeve. Për shembull, sqaron ai, dihet tashmë se çmimi i karburanteve në Shqipëri është njëri nga më të lartët në botë. Në fakt, ai është mesatarisht tre herë më i lartë sesa në SH.B.A. Si pasojë, thotë ai, karburantet hanë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të qytetarit shqiptar sesa në vende të tjera të zhvilluara dhe në zhvillim. E megjithatë, transporti zë vetëm 6.3% të buxhetit të familjes mesatare, ndërkohë që kjo shifër është rreth 9% në SH.B.A.
“Për më tepër, në rastin e Shqipërisë nuk është domosdosmërisht rritja e çmimeve por vetë çmimet e larta prej vitesh ato që duhen konsideruar. Fakti është se “kokëfortësia” e çmimeve në Shqipëri, edhe kur ato ulen në tregjet ndërkombëtare, ka më shumë të bëjë me kontrollin mbi tregun sesa me konkurencën e lirë. Prova gjendet në paradoksin që shfaqet në shifrat e raportuara mes 332 artikujve të shportës që përfshihen në formulën e Laspeyres për llogaritjen e inflacionit të përdorur nga INSTAT.”- shprehet Hysa duke shtuar se, edhe në ekonomi të tregut të lirë ka një rol prej rregullatori për shtetin, sidomos kur vjen puna ndaj spekullantëve.
Nëse organet shtetërore dështojnë thotë ai, ose zgjedhin të mos reagojnë, edhe tregtarët e vegjël dalin nga shinat. Kjo shpjegon pse ndërsa çmimet ulen pothuajse kudo tjetër në rajon për festat e fundvitit, qytetarët përballen me çmime më të larta në Shqipëri.
Pra derisa ekonomia shqiptare të lundrojë në informalitet ku oligarkët kontrollojnë tregun dhe çmimet e për rrjedhojë shifrat zyrtare të mos paraqesin realitetin në plotësinë e tij, korrelacionet mes variablëve ekonomikë, jo vetëm që nuk do të njekin trendin botëror, por do të tregojën një gjendje të shpërfytyruar dhe të deformuar të këtyre variableve e sidomos do të ndikojnë në keqqenien e shqiptarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.