Gazeta Si - I arrestuar mbrëmjen e të enjtes, Klered Bozhanaj, 42-vjeçari që plagosi policin e “Shqiponjave” në Tiranë dy ditë më parë, ka bërë deklarata kontradiktore para grupit hetimor, që ngrenë dyshime mbi shëndetin i tij mendor.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se i dyshuari ka thënë para hetuesve se “jam komandant i Pentagonit”!
42-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa edhe burime policore në Tiranë konfirmuan se Bozhanaj vuan nga depresioni.
Për këtë arsye do të pritet përgjigjia e mjekëve për gjendjen e tij të shëndetit mendor. Klered Bozhanaj plagosi me pistoletë policin e “Shqiponjave” Edlir Alleshi dy ditë më parë në zonën e Kinostudios në kryeqytet.
Bozhanaj u arrestua pasditen e së enjtes, 24 orë pas ngjarjes, pasi u rikthye në banesë. Një grup efektivësh që e mbanin nën vëzhgim shtëpinë, ndërhynë sapo Bozhanaj u shfaq në zonë.
Ngjarja është referuar në prokurori për vrasje e punonjësit të policisë e mbetur në tentativë.
Policia e Tiranës vendosi shpërblim 20.000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në kapjen e autorit të plagosjes, teksa apeloi qytetarëve të bëjnë kujdes pasi është i armatosur.
Ndërkohë, inspektori Edlir Alleshi, pjesë e patrullës së forcave”Shqiponja” e ka kaluar rrezikun për jetën, pasi u plagos gjatë detyrës.
Gjatë mbrëmjes të mërkurën, polici iu nënshtrua një ndërhyrje mjekësore, pasi plumbi në zonën e barkut i kishte prekur disa organe.
Të enjten ai doli një pavion të Spitalit të Traumës, ku është vizituar nga kolegë dhe të afërm që kanë thënë se gjendja e tij është stabilizuar.
Mbrëmjen e të mërkurës, punonjësi i policisë Edlir Alleshi, i cili po patrullonte me kolegun e tij të forcave “Shqiponja” në zonën e Kinostudios, mbeti i plagosur rëndë nga 42-vjeçari Bozhanaj, të cilit i ishin vënë pas për verifikim, pasi rezultoi të bënte lëvizje të dyshimta në rrugë.
Në momentin që forcat e rendit i janë vënë pas, autori ka tentuar të hyjë në pallatin e tij, por ka hapur zjarr me një pistoletë që mbante me vete.
Ishte një patentë e rrëzuar në vendin e ngjarjes gjatë largimit, që çoi në identifikimin e tij nga autoritetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.