Mjedis

Peshqit po zhduken në Liqenin e Shkodrës. Malazezët fajësojnë Shqipërinë

I ndaluar në Malin e Zi por i dashur në Shqipëri, peshkimi pa kriter ka sjellë një rënie drastike të rezervave të peshkut në Liqenin e Shkodrës.
Dezelala Hodzic, një peshkatar i vjetër, kujton kohën kur dilte natën vonë për të hedhur rrjetat.
“Ju mund t’i ndjeni peshqit që nga zhurma,” thotë peshkatari malazez. “Gjatë natës ne e kuptonim se ata po shkonin në rrjetë dhe duhet të prisnim deri në mëngjes për t'i nxjerrë në sipërfaqe. Ishte tetori i vitit 1971, kur unë dhe kolegët e mi kapëm 23 ton peshq në një rrjetë, të cilët më pas dërgoheshin në kryeqytetin e Kroacisë për t’i shitur në kohën kur Mali i Zi dhe Kroacia ishin pjesë e Jugosllovakisë socialiste,” shton ai.
Tregime të tilla njihen prej kohësh në komunitetet që jetojnë përreth këtij liqeni, por hidrocentralet, ndërtimet dhe peshkimi pa kriter kanë ulur në mënyrë drastike popullatën e peshqve të liqenit.
Peshkimi është i ndaluar në Malin e Zi, por është ende i lejuar në Shqipëri ku shumë fshatarë që kanë ndërtuar “daljanë” (thurje me hunj, kallama a materiale të tjera, që vihet në rrjedhë të një lumi a në ngushticën e një liqeni për të zënë peshq), vazhdojnë të peshkojnë edhe në kohën kur është e ndaluar.
Ndërkohë që autoritetet shqiptare thonë se peshkimi është përdorur në përputhje me ligjin, peshkatarët në Malin e Zi thonë se ata po shkatërrojnë liqenin.
“Shqiptarët kanë shkatërruar liqenin dhe tashmë nuk ka asnjë gjallesë ujore,” tha për BIRN Marko Masanavic, një anëtar i shoqatës së peshkatarëve profesionistë të Ulqinit.

Kurthet për të siguruar peshqit, janë përdorur për shekuj me radhë në Shqipëri .
Autoritetet shqiptare këmbëngulin se ka rregulla të rrepta për sa i përket periudhës së peshkimit. Por, në gusht të vitit të kaluar, kur peshkimi ishte i ndaluar, gazetarët vërejtën se rrjetat ishin nën ujë duke pritur për peshqit. Gjithashtu, ata ishin kërcënuar nga dy burra të paidentifikuar.
Zv/ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Roland Kristo tha se peshkimi është përdorur në përputhje me ligjin, i cili ndalon peshkimin nga 15 marsi deri në 31 gusht. Sipas tij, koncesioni jepet për një periudhë dyvjeçare dhe monitorohet nga Organizata e Shqipërisë për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Liqenit të Shkodrës.
“Daljani” nuk është një risi, kjo është një traditë. Në këto gjashtë muaj, kur peshkimi nuk lejohet, ne kontrollojmë vazhdimisht zonën dhe këtë e bëjmë se duam të mbështesim riprodhimin e peshqve në Liqenin e Shkodrës”, tha kreu i organizatës Anjan Cinari. "Unë nuk mendoj se ka ndonjë 'hero' të tillë që do të rrezikojë licencën për një ditë,” shton ai.
Danilo Mrdak, pedagog në Fakultetin Bujqësor të Malit të Zi, tha se rregulla të tilla nuk kanë dhënë asnjë efekt.
"Nuk ka asnjë arsye tjetër pse barbuni i hollë nuk po gjendet më në Liqenin e Shkodrës. Nuk ka asnjë arsye tjetër që edhe shumë lloje të tjera peshqish nuk po gjenden. Që në kohën kur filloi demokracia në Shqipëri, peshkatarët kanë qenë një problem i vazhdueshëm,” tha ai.
Ndërsa publicisti Mustafa Canka thotë se peshkimi në Liqenin e Shkodrës për një kohë të gjatë është parë si një burim fitimprurës i të ardhurave.
"Nëse e dini që në këtë zonë ka migrim të vazhdueshëm të peshkut, atëherë do e kuptoni pse duhet të peshkohet vazhdimisht,” tha ai.

Sipas një raporti, nëse barbuni është kapur me një normë prej 250 tonësh 30 vjet më parë, sot kapja vjetore është afërsisht 5-6 ton, me rënien që u atribuohet një sërë faktorësh.
“Më kujtohet koha kur kapja dhjetë herë më shumë peshq se sa në ditët e sotme,” thotë Nikola Vujanoviç, një peshkatar nga një fshat në brigjet e Liqenit të Shkodrës.
Vetëm përpjekjet e përbashkëta të qeverive malazeze dhe shqiptare mund ta trajtojnë këtë çështje.
"Është e vërtetë se ky problem ka qenë i vazhdueshëm për një kohë të gjatë dhe po përpiqemi ta zgjidhim atë," thotë Slavica Pavloviç, drejtoreshë e Drejtorisë së Peshkimit në Ministrinë malazeze të Bujqësisë.
Në korrik të këtij viti, të dy vendet ranë dakord të vëzhgonin liqenin me anë të një Komisioni të Përbashkët të Menaxhimit të Ujërave. Podgorica gjithashtu ka në plan të kryejë një studim të efekteve që kanë digat në popullatën e peshkut, si pjesë e një projekti konservimi që do të zbatohet nga agjencia gjermane e zhvillimit GIZ. Lista e kuqe e përcaktuar gjatë vitit 2010 nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, është një shqetësim i madh për Shqipërinë, pasi ka shumë gjallesa të rrezikuara që të zhduken.
Të dhënat e peshkimit tregojnë se popullata e peshqve është vazhdimisht në nivel të ulët dhe Bashkimi Europian ka rekomanduar një monitorim të vazhdueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë