Analize

Përse po vjen Merkel në Ballkan?

Përpara se të tërhiqet nga politika, kancelarja Angela Merkel po udhëton në një pjesë të Europës që Perëndimi e ka lënë pas dore: Ballkanin. Shumë ekspertë po pyesin veten nëse ky është thjesht një tur lamtumire, apo Merkel dëshiron të arrijë diçka më shumë?

Merkel ndodhet këtë të hënë në një vizitë në Beograd dhe pas kësaj udhëton drejt Tiranës, ku takohet me të gjithë krerët e shteteve ose qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Berlini zyrtar deklaroi se vizita i ishte kushtuar "bashkëpunimit rajonal". Por kjo deklaratë nuk është asgjë tjetër veçse një përshkrim i kujdesshëm i malit me probleme që është grumbulluar ndër vite në Serbi, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Kosovë.

Diplomatët gjermanë në rajon thonë se kancelarja dëshiron të kujdeset më shumë për shtetet në fund të mandatit të saj. “Ajo dëshiron të lërë disa udhërrëfyes në lidhje me Ballkanin Perëndimor për qeverinë e ardhshme gjermane," shkruan sot agjencia shtetërore gjermane e lajmve “DPA”.

Pas një konference virtuale me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor më 5 korrik, Merkel tha se i shihte gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si vende të ardhshme anëtare të BE -së".

Zgjedhjet në Gjermani janë më 26 shtator, dhe pas tyre, Angela Merkel do të dalë në pensionin e paralajmëruar politik. Vizita në Serbi dhe Shqipëri është një nga udhëtimet e saj të fundit jashtë vendit.

“Merkel e di se vendet e Ballkanit kanë një perspektivë europiane, por që ato nuk kanë bërë shumë përparime. Ka mangësi praktikisht kudo - në forma të ndryshme: në fushën e sundimit të ligjit, ekspertiza administrative. Korrupsioni dhe nepotizmi po lulëzojnë. Media e pavarur dhe shoqëria civile kritike janë nën presion. Tendencat autoritare po ashtu po rriten”, shkruan agjencia gjermane.

Merkel e di se neglizhimi i Ballkanit do të thotë që rajoni do të kthehet në një fushë shahu për konfliktin midis Rusisë, Kinës dhe Turqisë me Perëndimin.”

Kancelarja gëzon një reputacion të madh në rajon. "Vuçic po e pret kancelaren me nderimet më të larta. Politikanët e tjerë në rajon e vlerësojnë po aq shumë ekspertizën e saj.

Përfshirja e Angela Merkel në rajon është "shumëngjyrëshe". Ajo e nisi angazhimin e saj ndaj Ballkanit me Procesin e Berlinit shtatë vjet më parë, i cili po cen në treg të përbashkët rajonal dhe heqjen e Roaming. Por ndërhyrja më e fortë e kancelarës ishte kur Berlini "ndaloi" planet për ndarjen e Kosovës të nisura në vitin 2018.

Largimi i Merkel, lajm i hidhur

Sipas mediave gjermane fundi i epokës së kancelares është një lajm i "hidhur" për Ballkanin Perëndimor sepse vendet  e rajonit "po humbasin një mbështetëse të rëndësishme në Bashkimin Evropian dhe mund të qëndrojnë tanimë edhe më gjatë në dhomën e pritjes së unionit".

"Franca, si një nga vendet më të fuqishme të BE -së, kundërshton zgjerimin e BE -së dhe po tërheq gjithnjë e më shumë anëtarë në anën e saj. Vendet e BE -së që shpesh përdorin fuqinë e vetos për zgjerimin. Kur kandidatët për kancelar Armin Laschet (CDU) dhe Olaf Scholz (SPD) vizituan Macron në Paris të mërkurën dhe të hënën e kaluar, integrimi evropian i Ballkanit nuk ishte ndër temat që u diskutua ", shkruan agjencia "DPA".

Vizita e saj në Ballkan vjen gjithashtu përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkan në tetor. Gjatë një takimi me Vuçiç javën e kaluar, ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb, tha se vizita e Merkelit në Ballkan po dërgon një sinjal të fortë se rajoni mbetet në krye në axhendën e Berlinit.

Vuçiq e quajti udhëtimin e Merkelit “një nder i madh për Serbinë dhe një shans për ta falënderuar për gjithçka që ajo kishte bërë për Serbinë dhe rajonin gjatë mandatit të saj të gjatë dhe të suksesshëm në detyrë”.

Fillimi i Procesi i Berlinit nga Merkel në 2014 për të promovuar bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin europian krijoi një atmosferë të ndryshme dhe mundësi të reja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor", tha presidenti serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë