Pothuajse tre dekada më parë, Pele bënte një parashikim, që në atë periudhë nuk rezultonte fort i pabesueshëm. Legjenda braziliane e futbollit deklaronte se në vitet e para të këtij mijëvjeçari një skuadër afrikane do të ngrinte për herë të parë trofeun e Kupës së Botës.
Që prej asaj kohe janë zhvilluar katër Kupa Bote dhe në asnjë rast kupa nuk është ngritur nga një skuadër afrikane, madje në asnjë rast një skuadër afrikane nuk ka arritur deri në gjysmëfinale.
Sven Goran-Eriksson hedh pak dritë se përse futbolli afrikan dështon të ecë në skenën e madhe, kur talentet dhe dëshira nuk mungon.
“Kur mora detyrën si trajner i Bregut të Fildishtë i thashë Didier Drogba që kemi lojtarë fantastikë dhe mund të shkojmë larg në Kupën e Botës. Ai ma preu shkurt: Jo, s’kemi për të ecur! Arsyeja përmblidhet vetëm në një fjalë: organizimi. Ishte një kaos total kur mora detyrën”, thotë Erikssen.
Kur Pele bënte parashikimin, Nigeria fitoi grupin e vet, duke lënë pas Argjentinën e Diego Maradonës, në vitin 1994, ndërsa George Weah dhe Jay-Jay Okocha linin gjurmë në futbollin europian në ato vite.
Megjithatë, Afrika, kontinenti i dytë më i populluar në planet dhe ku futbolli është sporti i të gjitha sporteve nuk ka prodhuar ende një skuadër që të shkojë përtej çerekfinaleve të një Kupe Bote, jo më ta ngrejë këtë trofe.
Egjipti, Maroku, Nigeria, Senegali dhe Tunizia janë krenaria afrikane në Rusi, por edhe vetë tifozët më optimistë të tyre nuk e besojnë që njëra mes tyre do të arrijë në finalen e madhe.
“Mund të deklaroj që do të kemi një skuadër afrikane në gjysmëfinale, por do të gënjeja. Jemi ende shumë larg nivelit të skuadrave europiane dhe të Amerikës Latine”, deklaron Lauren, ish-mbrojtës i Kamerunit.
Këtë e di edhe FIFA. Asnjëra prej pesë skuadrave nuk bën pjesë tek 20 të parat e listës së renditjes mujore që organizata botërore e futbollit publikon. Peter Odemwingie, ish-sulmues i Nigerisë mendon se futbolli afrikan ka bërë hapa pas.
“Ka patur një rënie. Nigeria kishte një prej skuadrave më të forta afrikane në botërorin e 1994. Ishim aty, fituam olimpiket në vitin 1996 duke mposhtur Brazilin dhe Argjentinën me gjithë armatën e yjeve të tyre”, thotë ai.
Deri më tani, vetëm tre skuadra afrikane ja kanë dalë mbanë që të shkojnë deri në çerekfinale. Kameruni në vitin 1990, Senegali në vitin 2002 dhe Gana në vitin 2010. Janë që të gjitha skuadra të vendosura në jug të Saharasë. Këtë vit situata është ndryshe. Në Rusi dominojnë skuadrat e veriut të Saharasë dhe Afrikës, përfshirë një rikthim të Egjiptit pas 28 vitesh dhe të Marokut pas dy dekadash.
Egjipti shpreson që të ecë falë yllit të skuadrës, Mohamed Salah, ndërsa Maroku ka grupin më kompakt. 17 nga 23 lojtarët e tij janë të rritur dhe zhvilluar profesionalisht tek akademitë e skuadrave të zëshme në Europë dhe nuk u mungon as talenti dhe as përgatitja për të realizuar të pamundurën.
Peter Odemwingie mendon se skuadrat në veri të Saharasë përdorin më shumë “kokën” kur luajnë.
“Ka një diferencë fizike, por skuadrat e veriut e lexojnë më mirë lojën e kundërshtarit dhe luajnë me më shumë zgjuarsi”, deklaron ai.
E në fund, duke iu rikthyer çështjes organizative, mjafton të përmendim se në Botërorin e 2014 në Brazil, Kameruni, Gana dhe Nigeria zunë faqet e para të mediave që të gjitha për arsye nga më të çuditshmet.
Ganezët bojkotuan stërvitjen për shkak se nuk kishin marrë bonuset e kualifikimit për në finalet e Botërorit. Gjithçka u zgjidh vetëm kur Qeveria ndërhyu dhe dërgoi 3 milionë dollarë para të thatë me avionë drejt Amerikës Latine.
Lojtarët e Kamerunit mbërritën vonë dhe nuk zhvilluan fazë përgatitore në Brazil dhe shkak u bë një sherr brenda skuadrës dhe federatës për ndarjen e bonuseve të përfituara nga kualifikimi dhe të njëjtëb problematikë pati edhe Gana.
Për të shmangur këtë në Rusi, federata nigeriane e futbollit dhe lojtarët kanë nënshkruar një marrëveshje për strukturën e ndarjes së pagesave në Kupën e Botës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.