Politike

Përgjimet pa lejen e Prokurorisë, si u dënua Hungaria nga Strasburgu

Nisma e qeverisë që i mundëson policisë së shtetit të realizojë përgjime pa marrë më parë lejen e Prokurorisë shihet si një cenim i të drejtave të njeriut dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Janë pikërisht 22 shoqata që me anë të një deklarata për median kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me nismat më të fundit të qeverisë që cilësohen si pjesë e paketës anti-KÇK.
Shoqatat i referohen pikërisht një vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut në rastin e ligjit të miratuar nga ana e Hungarisë. Lidhur me masat e propozuara në nenin 131, ku realizohen përgjime pa lejen e Prokurorisë përmendet vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) që ka penalizuar në një rast të ngjashëm Hungarinë, në çështjen Szabo dhe Vissy kundër Hungarisë. Në këtë çështje, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se aktivitetet e gjera të përgjimit sekret që ishin kryer nga Task Forca Hungareze Antiterror kishin shkelur të drejtat e aplikantëve. Task Forca Hungareze u krijua nën ombrellën e strukturave të policisë, bazuar në legjislacionin antiterror të vitit 2011. “Në rastin e Shqipërisë, dispozitat e parashikuara përbëjnë akoma më shumë shkelje flagrante të Konventës Evropiane (KEDNJ), pasi në ndryshim nga Hungaria, vendosja e masave të veçanta nga policia e shtetit por pa autorizim të prokurorisë, nuk është kufizuar vetëm në kuadër të luftës kundër terrorizmit por është për çdo vepër penale”, thuhet në deklaratën e 22 shoqatave.

https://www.facebook.com/KomitetiShqiptarIHelsinkit/posts/2470641609726021


Sipas shoqërisë civile, dispozita që i jep të drejtë policisë bie ndesh edhe me nenet e Kodit të Procedurës Penale dhe është pikërisht Prokuroria që jep të drejtën edhe të përgjimit të ministrave dhe të zyrtarëve që janë pjesë e Komitetit të Posaçëm që do të luftojë krimin e organizuar. “Parashikimet e nenit 131 të projektligjit, dhe heqja e autorizimit të prokurorisë për të dhënë këto masa, në vlerësimin tonë bien ndesh me nenet 221-226 të Kodit të Procedurës Penale. Kodi i Procedurës Penale është ligj i miratuar me shumicë të cilësuar, bazuar në nenin 81 pika 2 të Kushtetutës dhe dispozitat e tij kanë epërsi ndaj dispozitave të ligjeve që janë miratuar me shumicë të thjeshtë, sikurse është Ligji “Për Policinë e Shtetit”, thotë shoqëria civile.

Faksimile e projektligjit të paraqitur në Parlament

“Vlen të përmendim gjithashtu faktin se Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale ndaj veprave penale të kryera nga zyrtarët e nivelit të lartë, përfshi këtu edhe përfaqësuesit e ekzekutivit në këtë Komitet Koordinues (neni 148/dh i Kushtetutës). Çdo rregullim i ri ligjor është vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese se nuk është i mjaftueshëm dhe jo kushtetues, nëse nuk garanton shmangien e ndikimeve që mund të ushtrojë pushteti ekzekutiv në çështje që lidhen me dhënien e drejtësisë nga gjykata”, thuhet në reagimin e 22 shoqatave. Shoqëria civile vëren se projektligji “Për policinë e shtetit”, ashtu sikurse akti normativ, përmban dispozita që ngrenë dyshime serioze për cenimin e parimeve të rëndësishme kushtetuese si parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parimin e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Komiteti Koordinues drejtohet nga ministri i Brendshëm, por në përbërje të tij janë edhe Prokurori i Përgjithshëm apo organe të tjera kushtetuese. Ndaj kjo – sipas shoqërisë civile - dobëson kontrollin e gjyqësorit mbi ekzekutivin, dobëson pavarësinë e gjyqësorit, vendos gjyqësorin nën ndikimet e papërshtatshme të ekzekutivit dhe mund të çojë në cenimin e të drejtave të shtetasve, përfshi këtu në mënyrë të veçantë të së drejtës për privatësi, të sanksionuar në nenin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Vendimi i Strasburgut kundër Hungarisë
Vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, “Szabó dhe Vissy kundër Hungarisë”, u mor në janar të 2016. Kërkuesit u ankuan që legjislacioni i miratuar në vitin 2001, dhe veçanërisht ‘seksioni 7/E(3) përgjimi’ i Ligjit për Policinë, shkelte Nenin 8 të Konventës, pasi nuk ishte i detajuar dhe i saktë në masën e mjaftueshme dhe nuk ofronte garanci të mjaftueshme ndaj abuzimit dhe arbitraritetit. Sipas ligjit hungarez, Task Forca kundër Terrorizmit, TEK-u, kishte të drejtë të kontrollonte dhe të mbante nën vëzhgim banesa në mënyrë të fshehtë, të kontrollonte postën dhe pakot, të monitoronte komunikimet elektronike dhe transmetimet e të dhënave kompjuterike dhe të bënte regjistrime për çdo të dhënë të përftuar nëpërmjet këtyre metodave.

Vendimi i Gjykatës për rastin hungarez

Gjykata konstatoi që këto masa përbënin ndërhyrje nga ana e autoritetit publik të ushtrimin e të drejtave të kërkuesve për respektimin e jetës së tyre private, banesës dhe korrespondencës. Sipas legjislacionit hungarez, autorizimi për përgjim mund të jepej në lidhje me jo vetëm me personat konkretë, por edhe për një “rreth personash”, një koncept që ishte tepër i përgjithshëm dhe mund të shërbente si shkak për vëzhgim të pakufizuar të një numri të madh qytetarësh.

Selia e Gjykatës së Straburgut


Në këtë kontekst, Gjykata vuri re mungesën në legjislacion të garancive siç është kërkesa për një autorizim paraprak gjyqësor për përgjimet dhe të dispozitave të qarta në lidhje me shpeshtësinë e rinovimeve të urdhrave të përgjimeve. Megjithëse masat e përgjimit i nënshtroheshin autorizimit paraprak të Ministrit të Drejtësisë, kjo mbikëqyrje ishte dukshëm politike dhe në vetvete jo në gjendje për të garantuar vlerësimin e duhur të domosdoshmërisë. Vendimi unanim i Gjykatës ishte se kjo ishte shkelje. GJEDNJ konstatoi shkelje të Konventës Evropiane e në mënyrë të veçantë të së drejtës për privatësi, pasi Hungaria nuk kishte garantuar mbikëqyrje apo kontroll gjyqësor mbi veprimet përgjuese të Task Forcës si dhe nuk kishte garantuar masa të tjera mbrojtëse të sakta dhe efektive.


Çfarë thotë Neni 8 i Konventës
E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare

  1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
  2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
    Neni 131 i propozuar nga qeveria
  3. Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta: a) Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik; b) Përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes;
    c) Përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve, që rregullohet me ligj të veçantë;
    ç) Mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale.

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë