Analize

Perëndimi dhe kurthi i ekstremistëve

Nga Nikos Konstandaras- Demokracitë liberale të Perëndimit, e gjejnë sot veten në një kurth aq të rrezikshëm, sa që është e vështirë të besohet se armiqtë e tyre ishin në gjendje ta planifikonin atë. Nga njëra anë, pushtimi i Vladimir Putinit në Ukrainë, mund të mos e ketë arritur synimin e tij për të pushtuar menjëherë vendin fqinj.

Por fakti është se lufta po bëhet një test i vështirë për frontin anti-rus. Nga ana tjetër, shkatërrimi i Gazës nga Izraeli pas sulmit terrorist të Hamasit në tetor të vitit të kaluar, po i përçan shoqëritë në Perëndim, dhe po forcon një front të gjerë ndërkombëtar kundër Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Përveç kostos në jetë dhe infrastrukturë, dhe përveç rrezikut në rritje nga Vladimir Putin dhe Irani, dy luftërat mund të përshkallëzohen, duke shkaktuar një eksod të ri refugjatësh në rajonet përreth dhe rrjedhimisht edhe në Bashkimin Evropian.

Ndërsa forcat politike të ekstremit të djathtë, ushqehen me ekzistencën e emigrantëve në vendet e tyre, nëse Ukraina do të humbiste luftën dhe në rast se do të përhapej gjakderdhja në Lindjen e Mesme, kjo do të trondiste vendet anëtare të BE-së dhe kohezionin e vetë unionit.

E megjithatë, në të dyja luftërat BE-ja nuk është në gjendje që të ndikojë tek zhvillimet në terren. Deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron se Rusia duhet të mposhtet, dhe refuzimi i tij për të përjashtuar dërgimin e forcave të NATO-s në Ukrainë, mund të ketë mërzitur kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe të ketë provokuar reagime e kritika në vende të tjera.

Por ato janë pjesë e një debati të domosdoshëm, sesi BE-ja të jetë në gjendje të shmangë humbjen e Ukrainës në luftën kundër Rusisë. Vendimi i Këshillit Evropian për t’i përdorur fitimet nga asetet e ngrira ruse për të financuar blerjet e armëve për Ukrainën, është një tjetër hap i rëndësishëm.

Ky diskutim mund të jetë “i vështirë”, por ai është gjithashtu i pashmangshëm. E ardhmja e Ukrainës dhe më pas e Evropës, nuk mund të varet nga mënyra se si zhvillohet drama në politikën e brendshme të SHBA-së. Prej disa kohësh, kryetari i Kongresit, një instrument besnik i Trump-it, e ka penguar ratifikimin e ndihmës së re financiare dhe ushtarake për Ukrainën, edhe pse Rusia po shton sulmet e saj.

Trump ka deklaruar se nëse zgjidhet president “Ukraina nuk do të marrë asnjë qindarkë” sipas aleatit dhe bashkëbiseduesit të tij Viktor Orban. “Evropianët nuk janë në gjendje ta financojnë vetë këtë luftë, dhe atëherë lufta do të përfundojë”- shtoi kryeministri hungarez, i cili mban gjithashtu marrëdhënie shumë të afërta me Putinin.

Me rreth 4.2 milionë refugjatë ukrainas të regjistruar në Bashkimin Evropian dhe 8 milionë të tjerë të zhvendosur brenda vendit të tyre, humbja e Ukrainës do të rriste numrin e refugjatëve në shtetet anëtare si Gjermania. Atje, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë, është tashmë përpara në sondazhet në 3 lande, ku në shtator do të mbahen zgjedhjet lokale (Saksoni, Brandenburg dhe Turingi).

Në një numër vendesh anëtare të Bashkimit Evropian, partitë e të djathtës ekstreme pritet që të dalin mirë në zgjedhjet për Parlamentit Evropian në muajin qershor. Debati publik në Gjermani dominohet nga çështja e refugjatëve dhe emigrantëve, duke nisur nga përpjekjet e palëve më afër qendrës për të gjetur mënyra për ta trajtuar këtë sfidë.

Partia Popullore Evropiane synon që të miratojë një propozim për të “kontraktuar” azilkërkuesit në “vendet e treta të sigurta”, siç është përpjekur Britania me Ruandën (deri më tani pa sukses). Marrëveshja BE-Egjipt, si ato me Tunizinë dhe Mauritaninë, është një përpjekje tjetër për të kufizuar problemin tek një vend i tretë, në këmbim të ndihmës ekonomike.

Ndoshta vetë Putini do të ndihmojë në zgjimin nga gjumi të atyre që ngurojnë të përforcojnë frontin kundër tij. Të premten e shkuar, zëdhënësi i tij deklaroi se Rusia është në luftë (në vend të termit “operacion ushtarak special”, siç këmbëngulte Moska deri tani). Është koha që të gjithë ata që nuk janë në kampin e Putinit ta kuptojnë se edhe ne jemi në luftë. Dhe ne duhet të luftojmë, brenda dhe jashtë vendit.

Burimi: Kathimerini/Përshtati Gazeta Si

Nikos Konstandaras është një kolumnist në gazetën Kathimerini. Ai është redaktori themelues i botimit anglisht të Kathimerini


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë