Insektet në mbarë botën janë në krizë. Sipas studimeve afatgjata në mbarë botën tregojnë rënie dramatike në popullatat e jo rruazorëve. Tre të katërtat e insekteve në rezervat natyrore në mbarë botën janë zhdukur gjatë viteve të fundit, duke sjellë pasoja të rënda për të gjitha gjallesat në tokë. Ekzistojnë shkaqe të ndryshme si ngrohja globale, shkatërrimi i zonave të egra dhe përdorimi i gjerë i pesticideve që kanë ndikuar në rënien e numrit të insekteve.
Humbja e insekteve mund të shkatërrojë rrjetin ushqimor të kafshëve, duke zhdukur shumë gjallesa të tjera dalëngadalë. Por si është situata në vendin tonë? Çfarë faktorësh kanë ndikuar në ndryshimet drastike të botës së insekteve?
Duke krijuar një panoramë të mjedisit në Shqipëri, Aleko Miho, profesor i biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, shprehet se njerëzit e kanë gjetur një zgjidhje të shpejtë për zhvillimet e tyre, por veprojnë në kurriz të natyrës.
“Sa mirë do të ishte nëse nuk do të prisnim pyjet në vendin tonë,” thotë për Gazetën “Si” profesor Miho.
“Nuk mundem të rri pa ndarë me ju një brengë të madhe që kam. Flora dhe fauna në Shqipëri po shkatërrohet dita ditës. Shumica e pyjeve që ne kemi pasur tashmë janë pakësuar, disa nga zjarret, disa nga dora e njeriut dhe për pasojë të gjithë kafshët dhe insektet nuk ekzistojnë,” shprehet Miho.
Insektet janë një pjesë integrale e jetës në tokë si polenizues dhe si ushqim kafshëve të egra.
Anila Paparisto, pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës thotë se çdo njeri që është marrë jo thjesht me insektet por me çdo gjë të gjallë që ekziston, që ka hedhur një këndvështrim në mënyrën se si ka evoluar fauna dhe flora, gjëja me e thjeshtë që mund kuptojë është se me ndryshimin e kushteve klimaterike ndryshon dhe natyra, sepse çdo lloj gjallese është e përgatitur për të jetuar në kushte të caktuara, të cilat specialistët i quajnë kushte abiotike dhe jo biologjike si: lagështira, temperatura, lartësia mbi nivelin e detit. Çdo organizëm i gjallë në këtë planet është i përshtatur për të jetuar në kushtet që ofron natyra.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm që toka gjatë gjithë jetës së saj 4.8 bilion vjet ka pasur cikle në të cilat kushtet klimaterike kanë ndryshuar, sasia e oksigjenit, atmosfera dhe të tjera, që do të thotë se ne po e shtyjmë planetin në ndryshime që nuk janë thjesht ndikime të jetës natyrore, por edhe veprimtari e njeriut. Ky është një realitet që nuk e them vetëm unë por të gjithë ata që merren me shkencë këtë do të thonë", thotë Paparisto.
Njerëzit po i bëjmë shtresat e mëdha të tokës të papërshtatshme për shumicën e formave të jetës dhe aktualisht jemi në rrugën e shkatërrimit ekologjik. Ekspertët thonë se nëse humbim insektet atëherë gjithçka në botë do të rrënohet.
“Anshtajni ka thënë se bota do të kishte vetëm 3 vjet jetë nëse nuk do të ekzistonin insektet,” shprehet Paparisto.
Ajo gjithashtu thotë se insektet janë organizma që kanë plasticitet ekologjik, që do të thotë se jo të gjitha organizmat janë të përshtatura për kushte shumë të ngushta abiotike. Të gjithë ne kemi një marzh biologjik, që quhet kufiri i tolerancës ndaj ndryshimeve të kushtit abiotik. Ka lloje insektesh që këtë marzh tolerance e kanë të lartë dhe ka të tjerë që e kanë të ulët, por në përgjithësi insektet mazhin e tolerancës e kanë të madh. Megjithatë ne shohim lloje insektesh që janë të përshtatura për të jetuar në vende ekuatoriale ose detare, por ka dhe disa lloje insektesh që jetojnë në vende të ndryshme që do të thotë se marzhi i tolerancës së tyre kundrejt kushtit abiotik është shumë herë më i madh.
“Ndryshimi e temperaturave për të cilat jemi të ndërgjegjshëm, do të thotë se po ndodh vërtet diçka. Jeta jonë e shkurtër është bërë dëshmitare e ndryshimeve shumë të mëdha. Në vendin tonë ka lloje insektesh të cilët nuk kanë qenë pjesë e faunës shqiptare dhe këto lloje quhen alieno, të cilat futen rishtazi, nuk janë lloje të lindura në këtë territor por që njeriu me veprimtarinë e tij i ka futur dhe ato duke pasur plasticitet të madh ekologjik, arrijnë që jo vetëm të zënë vend brenda mjedisit të ri po dhe të konkurrojnë llojet e insekteve që janë rritur këtu”, thotë Paparisto.
“Për shembull ne kemi parë palmat e prishura. Një insekt i quajtur hundëgjati i palmave që e ka prejardhjen nga Egjipti ka mbërritur në vendin tonë, nëpërmjet tregtisë të pakontrolluar të palmave. Një vend ekonomikisht i varfër si vendi ynë nuk ka mundësinë t'i mirëmbajë, kështu që nëpërmjet tyre kemi sjellë dhe insektin i cili në të gjithë vendet e Mesdheut ka bërë kërdinë,” shton ajo.
Ekspertet thonë se ne si vend nuk kemi një listë të qartë për të gjitha insekteve që kemi në Shqipëri, kërkimet që njohim na kanë treguar se sa herë bëjmë kërkime në një grup insektesh, gjejmë insekte të reja për Shqipërinë, që nuk e dimë se i kemi pasur, duke e pasur poaq të vështirë të themi se sa insekte janë zhdukur. Në botimet shkencore të vendit tonë thuhet se një ekspert hungarez në 1901 ka bërë ekspeditën e parë në Shqipëri dhe ka sjellë evidencë shkencore se çfarë gjallesash ka Shqipëria dhe që prej asaj kohë, nuk kemi një strukturë të re që të na tregojë të gjitha insektet që ekzistojnë në natyrën shqiptare por, sipas pedagogëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, cikli jetësor është shumë i shkurtër dhe nuk duhet të përqendrohemi vetëm në një ekspeditë.
“Gjatë kohës që kam punuar dhe kam dalë në ekspeditë, shpeshherë kam parë se ka insekte që për dy tre vjet nuk i shikoja fare. Në këto kushte, ka mundësi që këto insekte të kenë ndryshuar mjedisin, por nuk mund të them që janë zhdukur pasi ende nuk kemi një studim të mirëfilltë të gjithë vendit,” thotë Paparisto
“Megjithatë ka disa lloje insektesh që janë të rrezikuara. Ajo që unë kam vënë re para 5-6 vjetësh kur ndikimi i ndryshimeve ishte i menjëhershëm gjithashtu, mjedisi reagoi në mënyrë të menjëhershme. Për shembull në Dajt, nuk gjejmë asnjë nga insektet që shihnim më përpara sepse ka ndryshuar e gjithë faqja e malit,” thotë Paparisto
Sipas pedagogut Miho, ne jemi një vend në zhvillim dhe kemi pasur gjithmonë në fokus pasurimin tonë dhe jo kujdesin ndaj mjedisit, sepse duke pasur një të kaluar shumë të varfër, e vetmja gjë që kemi kërkuar të bëjmë është të jetojmë mirë dhe të mos e vrasim mendjen për asgjë rreth e përqark. Ai thotë se këto njëzet vjet njerëzit vetëm kanë përfituar dhe nuk kanë respektuar asgjë në natyrë.
Ekspertët thonë se një ndër insektet më të rrezikuara është flutura. Ekspertët shprehen se ka studime të vogla që kanë treguar, ndryshimin e ekuilibrit të llojit dhe shtimin e llojeve të ndryshme. Disa insekte vendase kanë filluar të zhduken si rezultat i plasticitetit më të madh të insekteve që kanë ardhur, të cilët nga "alieno" janë bërë "pushtues".
“Disa kohë më parë ne kemi zbuluar se kemi 198 lloje fluturash të cilat i zbuluam më anë të një projekti që kemi ndërmarrë me universitetin e Gentit në Belgjikë i cili është botuar në krye të këtij viti dhe pritet të gjejmë edhe nëntë lloje të reja, kështu që në verë do dalim përsëri në ekspeditë,” thotë Paparisto.
“Kohët e fundit gjatë një ekspedite në Divjakë, kam parë “danajën” e cila është një flutur e rrallë për mjedisin tonë, pashë gjashtë të tilla, që do të thotë se unë duhet të shkruaj një plus në përllogaritjet e mia pasi një lloj i ri fluture jeton në natyrën shqiptare,” shton ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.