Ngjarje

Për eshtrat e Kosinës, Greqia nuk ka kërkuar ende falje…

Eshtrat e 108 banorëve të zhvarrosur u rikthyen në heshtje

108 shpirtra nuk gjetën paqe as në botën e përtejme. Iu trazuan eshtrat ndër vite në një prej operacioneve më të ndyra morale e etike, që mund të ketë parë Shqipëria ndër shekuj. U zhvarrosën si ushtarë grekë pavarësisht protestave dhe dëshmive të banorëve të zonës, që ngritën alarmin se ata që po zhvarroseshin ishin të afërm të tyre.

Banorët u ankuan se me eshtrat e të parëve të tyre po bëhej pazar, madje pati edhe akuza për priftin e Kosinës si të përfshirë në këtë “tregti”, duke marrë 100 euro për çdo person që zhvarrosej prej varrezave të fshatit dhe “pagëzohej” si ushtar grek i rënë në Luftën e Dytë Botërore.

Drama e luajtur në Kosinë u bë frymëzim për filma. Regjisori Edmond Budina e solli me doza humori për të përcjellë të vërteta të hidhura në fimin “Ballkan Bazaar” në vitin 2011.

Koha u dha të drejtë banorëve dhe sot, 15 vite më vonë eshtrat që u nxorrën si ushtarë grekë, u rikthyen për t’u rivarrosur si të moshuar, gra e fëmijë shqiptarë, që kishin vdekur para Luftës së Dytë Botërore.

Skandali ulëritës me atë që ndodhi për vite me radhë në Kosinë të Përmetit nuk mund të kalojë me një lajm që thjesht merr dhenë në mediat shqiptare, e pas tre ditësh harrohet. Nuk mund të kalohet në heshtje, ashtu siç po përpiqen që ta kalojnë autoritetet greke, që edhe ceremoninë e rivarrimit të tyre e kryen pa praninë e mediave.

Mbi të gjitha, shteti shqiptar nuk mund ta përtypë në heshtje këtë skandal. Më e pakta që mund të bëjë është që nga Greqia të kërkojë një falje të madhe dhe më pas, nëse ka guxim të kërkojë edhe verifikimin e të gjitha varreve të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri, nga Korça deri në Tepelenë, Vlorë e Gjirokastër, për t’u siguruar që brenda tyre nuk janë eshtra kafshësh, apo më keq ende; shqiptarësh të tjerë.

Historiku i pretendimeve greke

Pretendimet greke për të ndërtuar varreza ushtarësh në tokën shqiptare datojnë që prej vitit 1971, kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Athina e ngrinte si shqetësim mes dy vendeve. Deri në vitet 1990, pala shqiptare i përgjigjej prerë se nuk e kishte si praktikë varrosjen e ushtarëve të huaj në territorin e vendit, ndaj shprehte gatishmërinë që të ndihmonte në identifikimin e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe më pas dërgimin e eshtrave të tyre në Greqi.

Grekët pretendojnë se janë të paktën 12 mijë ushtarë të rënë në luftën me italianët në territorin shqiptar. Në Përmet e Këlcyrë i ka fijet prej fillimit të viteve ’90, kur Greqia parashtronte ndër kërkesat edhe ngritjen e varrezave të ushtarëve të saj që ranë gjatë luftës italo-greke në territorin shqiptar.

Në 2006 u firmos një marrëveshje mes dy vendeve për këtë çështje dhe u ngrit një komision i përbashkët me ekspertë forensikë dhe mjeko-ligjorë. Marrëveshja ishte pjesë e një pakete më të gjerë që Athina shtroi në tryezën me palën shqiptare për diskutim. Paketa përfshinte nga rishikimi i historisë me kërkesa për heqjen e Çamërisë në këto tekste dhe moscilësimi i trupave greke që hynë në territorin shqiptar në dy luftërat botërore si trupa pushtuese, e deri te kufiri detar.

Zyrtarisht, Greqia thotë se e ka detyrim që të ngrejë varrezat në kujtim të ushtarëve të rënë dhe ne nderim të të afërmve të tyre në Greqi. Por, ky justifikim nuk fsheh dot dyshimet se ngritja e këtyre varrezave në hartën e atij që në Athinë e quajnë “Vorio Epir” është në funksion të “Megali Idesë”.

Ligjërisht, puna për identifikimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri dhe përcaktimi i varrezave se ku do të vendoseshin këto eshtra duhet të fillonte pas marrëveshjes së 2006-ës.

Por, praktikisht Greqia e kishte bërë fakt të kryer ngritjen e varrezave nga Korça, në Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Vlorë, Himarë e Gjirokastër. Problemi i parë ishte se këto varreza të ngritura pas viteve ’90 në shumicën e rasteve u ndërtuan pa leje (në 2018 kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame deklaronte nevojën e legalizimet të varrezave greke të Këlcyrës)

Problemi i dytë është se ishin aq të shumta, saqë eshtrat e atyre ushtarëve grekë të zbuluar në territorin shqiptar nuk mjaftonin për t’i mbushur. Shembulli perfekt i kësaj praktike të ndjekur nga grekët nën hundën dhe apatinë e autoriteteve shqiptare është rasti i Kosinës.

“Nuk u mbushën me eshtrat e ushtarëve grekë, por u mbushën me eshtrat e banorëve të zonës të fshatit Kosinë dhe fshatrave përreth. Prifti i shiste me para eshtrat. Ky ishte një skandal i madh”, deklaron historiani, Pëllumb Xhufi, një prej personave që ka denoncuar vazhdimisht këtë skandal prej të paktën 2007-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë