Ngjarje

Greqia nis gërmimet në Përmet, kërkohet për një varr masiv me mbi 100 ushtarë të luftës italo-greke

Komisioni i përbashkët greko-shqiptar, ka urdhëruar hapjen e një parcele të pozicionuar përbri stadiumit të qytetit të Përmetit, pasi dyshohet se janë varrosur mbi 100 ushtarë grekë të rënë në luftën italo-greke. Parcela, e cila ka nisur të gërmohet mëngjesin e kësaj të hëne, parashikohet të shtrihet me një gjatësi 80×40 metra.

Në vendngjarje ka përfaqësues nga trupi diplomatik grek i akredituar në Tiranë si dhe juristi i Prefekturës së Gjirokastrës.

Sipas komisionit të përbashkët mendohet të jenë varrosur mbi 100 trupa por megjithatë kjo do të ngelet për t’u parë gjatë ditëve në vijim ku do të ketë edhe një përqendrim më të madh të kërkimeve.

Në fakt, pala greke, është autorizuar për të nisur kërkime për eshtra të ushtarëve të saj edhe në zona të tjera të jugut të vendit.

Rasti më i fundit ka qenë në vitin 2018 në Dragot të Tepelenës, ku për varrezat e ushtarëve grekë, pati protesta nga shoqëria civile shqiptare.

Aktivistët lokalë dhe jo vetëm, pretendonin se po shkelet ligji i reciprocitetit ndërmjet dy vendeve. Në varret ku u gërmua, aktivistët thanë se nuk ka asnjë eshtër të ushtarëve grekë dhe se e gjitha bëhet për pretendime territoriale nga pala helene.

Varrezat e ushtarëve grekë të rënë në territorin e Shqipërisë gjatë luftës së Dytë Botërore, kanë qenë prej vitesh një nga çështjet më problematike marrëdhëniet me fqinjin jugor.

Bëhet fjalë për ushtarët grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në fundin e vitit 1940 dhe në gjysmën e parë të vitit 1941. Referuar historisë, ka qenë një luftë të veçantë, sepse zhvillohej në një territor asnjanës në vendin e një populli tjetër.

Në fakt, nuk është mësuar asnjëherë saktësisht se sa ushtarë grekë janë vrarë në territorin e Republikës së Shqipërisë, edhe pse pala helene pretendon se janë disa mijëra.

Për shkak të asaj lufte që filloi nga territori shqiptar, në atë kohë i pushtuar nga Italia fashiste, Greqia vendosi ligjin e luftës me Shqipërinë, një ligj që vazhdon të jetë në fuqi edhe sot e kësaj dite.

Kjo çështje ridoli në skenë pas vitit 2005. Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe rivarrimin e ushtarëve të rënë në luftën italo-greke të 1940-1941, në Shqipëri filluan punimet për gjetjen e eshtrave

Mirëpo, në vend të kërkimit të eshtrave të ushtarëve grekë, në Këlcyrë plasi një skandal në fshatin Kosinë, pasi në vend të kockave të ushtarëve grekë, nëpër qese plastmasi dhe mandej në memorialin përkatës, u rivarrosën eshtra shqiptarësh.

Një dhunim tjetër të varreve shqiptare, u konstatua në Boboshticë të Korçës. Ndërkohë janë hapur dhe mbyllur procese gjyqësore, por e vërteta asnjëherë nuk ka dalë në shesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë