Menaxhim

Pensionet private / Kushte të rrepta për kompanitë e sigurimeve. Asnjë reklamë pa miratimin e AMF-së

Nga Gazeta 'SI' - Asnjë kompani sigurimi nuk do të mund të reklamojë shërbimin e pensionit privat pa miratimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

AMF ka përgatitur një draftrregullore që parashikon kriteret e monitorimit mbi materialet promovuese që do të publikohen nga shoqëritë administruese të fondeve.

Sipas projektrregullores, çdo material promovues i përgatitur nga shoqëria administruese e fondit të pensionit privat për promovimin e fondit të pensionit privat apo promovimin e shoqërisë administruese dhe i miratuar nga personi kyç i shoqërisë duhet të njoftohet në Autoritet përpara publikimit.

Shoqëria administruese, bashkë me njoftimin depoziton me shkresë në Autoritet çdo material promovues në formë të shkruar ose në formë elektronike, i cili do të përdoret për veprimtarinë promovuese.

Autoriteti, në përfundim të shqyrtimit, në rastet kur konstaton se nuk janë respektuar parashikimet e ligjit “Për Fondet e Pensionit Privat”, dhe kësaj rregulloreje, i kërkon shoqërisë administruese të ndalojë menjëherë publikimin, shpërndarjen apo botimin e materialit promovues dhe të korrigjojë materialin promovues duke u shprehur për ndryshime apo përfshirjen e informacioneve shtesë.

Materiali i korrigjuar sipas kërkesës së Autoritetit duhet të depozitohet sërish në Autoritet për rishqyrtim.

Në çdo rast, gjykimi i Autoritetit rreth materialeve promovuese nuk mund të përdoret për qëllime promovuese. Gjatë periudhës së shqyrtimit nga AMF, shoqëria administruese nuk mund të vijojë me materialin promovues.

Projektrregullorja parashikon se Autoriteti do t’i ndalojë materialet promovuese nëse përmbajnë vlerësime ose parashikime në lidhje me ecurinë e ardhshme të fondit të pensionit ose të shoqërisë administruese; krahasime ndërmjet fondeve të ndryshme të pensioneve ose ndërmjet shoqërive administruese të ndryshme; togfjalëshin “rezultat i garantuar”, “përfitim i garantuar”, “pension i garantuar”, “skema më e mirë e pensioneve” ose çdo formulim tjetër që mund të krijojë përshtypjen për një fitim të sigurt; ose deklarata nga anëtarë të mëparshëm, aktualë ose potencialë.

Sipas projektrregullores, materialet me përmbajtje promovuese duhet të jenë të qarta, të sakta, të vërteta, të përditësuara që nuk çojnë në përfundime të gabuara; të formulohen në mënyrë të tillë që të mos mashtrojnë anëtarët e fondit ose anëtarë të mundshëm; të paraqesin një përshkrim të saktë dhe të vërtetë të shoqërisë administruese apo fondit të pensionit që po promovohet si dhe i të drejtave, përfitimeve dhe detyrimeve apo rreziqeve që lidhen me të.

Çdo referencë për performancën e kaluar të fondit të pensionit duhet të përmbajë domosdoshmërisht shprehjen e mëposhtme: “Performanca e kaluar nuk është garanci për arritjet e ardhshme”.

Materialet promovuese nuk duhet të referojnë emrin e AMF në mënyrë të tillë që të krijohet përshtypja se Autoriteti mbështet një shoqëri administruese apo një fond të pensionit privat. Në çdo rast, shoqëria administruese ndalohet të fillojë promovimin e një fondi të ri para se ky të miratohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë