Menaxhim

Pengesat e sektorit turistik që e kanë lënë Shqipërinë pas vendeve fqinje

Nga Gazeta "SI" - Në raportin e saj të fundit, Banka Botërore analizon turizmin në Shqipëri, si një fushë me rëndësi për vendin, por shumë mbrapa fqinjëve të saj, ndonëse me avantazhe natyrore dhe e re në listën e destinacioneve për t’u vizituar.

Sektori turistik i Shqipërisë është shumë më pak konkurrues se ai i shteteve pranë saj. Sipas Indeksit të Turizmit, në vitin 2019, Shqipëria renditej e 86-a. Ndërkohë, Greqia, Kroacia dhe Mali i Zi ishin në vendin e 25-të, 27-të dhe 67-të, respektivisht.

Sipas BB, në vitin 2018, fuqia punëtore në sektorin turistik zinte 8% të të punësuarëve në total. Por sipas Këshillit të Turizmit dhe Udhëtimeve Botërore, kjo shifër mund të arrijë deri në 24%, duke përfshirë edhe ndikimet jodirekte nga investimet, zinxhiri i furnizimeve.

 Banka tregon se këtë sektor e mban biznesi i vogël. 83% e akomodimit dhe shërbimit ushqimor bëhet nga mikrobizneset. 16% nga ato të mesëm dhe 1% bizneset e mëdha.

Raporti i Bankës Botërore rendit edhe problematikat e tjera të të gjithë sektorit në vend që kanë penalizuar rritjen dhe stabilizimin e tij.

Konkurrentët e Shqipërisë kanë mjedise më të favorshme për turizmin, duke përfshirë më shumë politika mbështetëse të qeverisë, më pak pengesa rregullatore për udhëtimet dhe tregtinë, integrim mi të mirë ndërkombëtar, rregulla më të forta mjedisore, shërbime superiore të telekomunikacionit, infrastrukturë transporti më të zhvilluar dhe shërbime biznesi më të gjera.

“Shqipëria gjithashtu mbetet prapa konkurrentëve të saj në treguesit e burimeve natyrore dhe kulturore në dispozicion për turistët, gjë që është befasuese duke pasur parasysh natyrën e bollshme të vendit bukurinë dhe pasurinë kulturore”,-thuhet në raport.

Shqipëria, sipas BB, ka dhjetëra avantazhe, përfshirë të qenurit e re në listën e destianconeve, hapësirë të paprekur dhe të paeksploruara natyrore e kulturore.

Shumë turistë preferojnë destinacionet në zhvillim për shkak të risisë së tyre, gamës së përvojave autentike që ofrojnë dhe mungesës së njerëzve. Këtë ka Riviera Shqiptare, Gjiri i Vlorës dhe zona në veri të Durrësit, që janë më tërheqëse së në Kroaci, e cila ka vuajtur nga zhvillimi i tepruar i turizmit të lundrimit dhe turnetë me paketa, që tani është një destinacion i konsumuar. Pasuritë natyrore të Shqipërisë ofrojnë një avantazh të veçantë, peizazhi bregdetar ndërthuret me fshatrat tradicionale, që janë ruajtur në masë të madhe. Ndryshe nga Kroacia dhe Mali i Zi, Shqipëria ka shumë plazhe rënore në detin Adriatik dhe katër vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që janë në distanca të shkurtra nga njëra-tjetra.

Zhvillimi i turizmit në Shqipër është fokusuar masivisht në një treg të gjerë të vendosur në plazh, që shkon paralelisht me vlerë të vogël të shpenzuar për turist, sezonale dhe një përqendrim të madh gjeografik.

Turizmi masiv i bazuar mbi atraksionet me diell dhe rërë zakonisht zhvillohet rreth hoteleve me volum të lartë dhe vendpushimet, të cilat kanë grupe të dendura dyqanesh me pakicë, bare dhe operatorët turistikë me guidë. Turistët ndërkombëtarë që vizitojnë Shqipërinë shpenzojnë mesatarisht më pak sesa në vendet e tjera të Mesdheut dhe në BE, në përgjithësi. Kohëzgjatja mesatare e qëndrimit për vizitorët e huaj në Shqipëri është gjithashtu më e shkurtër se në vendet konkurrente.

Shpenzimet e ulëta për turist dhe qëndrimet e shkurtra shoqërohen me një zinxhir të padiversifikuar turistik, që përfshin një gamë të kufizuar atraksionesh, aktivitetesh, hotelesh, restorantesh dhe dyqanesh. Nënsektori i “turizmit blu” të Shqipërisë, i cili përfshin aktivitete të tilla si shëtitja me varkë, zhytja, peshkimi rekreativ dhe sportet ujore, janë kryesisht të pazhvilluara. Pavarësisht trashëgimisë unike kulturore të Shqipërisë, turizmi kulturor përfaqëson vetëm një pjesë të vogël e industrisë.

Hyrjet e turistëve në Shqipëri janë shumë sezonale. Numri i përgjithshëm i të ftuarve gjatë sezonit (korrik dhe gusht) është gati tre herë më e lartë sa pjesa tjetër e vitit. Industria parandalon një shpërndarje më të ekuilibruar të vizitorëve.

Sezonaliteti i turizmit masiv është problematik, pasi edhe oferta e akomodimit nuk arrijnë të plotësojnë kërkesën në sezon, por e tejkalojnë kërkesën gjatë pjesës tjetër të vitit, duke dobësuar ecurinë financiare të sektorit. Ndërkohë, stafi i bizneseve turistike punësohet përkohësisht për sezonin e verës dhe pushohet nga puna në dimër, duke e bërë turizmin një zgjedhje jo tërheqëse karriere. Përveç kësaj, sitet e njohura, objektet dhe shërbimet mund të mbingarkohen nga turmat dhe trafiku i automjeteve në korrik dhe gusht, me ndikime negative për mjedisin, cilësinë e jetës për banorët dhe përvojën e turistëve.

Turizmi në Shqipëri është i fokusuar më së shumti në bashkitë e Durrësit, Sarandës, Shëngjinit dhe Vlorës. Investimet e fundit në hotele janë përqendruar në Sarandë dhe Durrës, ku projektet jocilësore që u mungojnë masat mbrojtëse të përshtatshme mjedisore dhe që nuk përmbushin standardet ndërkombëtare operacionale kanë dobësuar qëndrueshmërinë e sektorit lokal të turizmit.

Investime më të vogla janë bërë edhe në vende të tjera, por ka të ngjarë që të vazhdojë të mbesë i përqendruar.

Theksi i Shqipërisë në turizmin masiv të përqendruar dhe sezonal ndikoi negativisht në cilësinë mjedisore, duke kërcënuar qëndrueshmërinë e pasurive natyrore.

Turizmi bregdetar varet nga karakteristikat mjedisore që janë të cenueshme ndaj dëmeve mjedisore në nivel lokal, si ndotja e ajrit dhe ujit, dhe globale fenomene, si ndryshimi i klimës. Mbi-turizmi mund të dëmtojë asetet dhe infrastrukturën turistike të vendit, siç ka ndodhur tashmë në Durrës dhe Sarandë, ndërkohë që rrit koston e jetesës të banorëve vendas.

Vendet dhe qytetet në të gjithë Europën po tentojnë të përmbysin trajektoren e mbiturizmit, duke pranuar se, duke njohur se rritja e shpenzimeve për frymë të çdo turisti i jep më shumë financa dhe siguri mjedisore një vendi se sa sasisë së turistëve./Përshtati Gazeta "SI"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë