Gazeta Si – Partia Demokratike do të mbledhë sot Kuvendin Kombëtar ku pritet që kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi të paraqesë propozimet për ndryshimet statutore që do t’i nënshtrohen diskutimit dhe miratimit nga delegatët.
Në rendin e ditës është parashikuar edhe miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, një strukturë kyçe në organizimin dhe funksionimin e partisë. Risi këtë herë është edhe kandidimi i personazheve të muzikës si rasti i reperit Stresi i cili shpalli dje kandidaturën e tij.
Kuvendi Kombëtar pritet të përcaktojë edhe drejtimet politike dhe organizative që Partia Demokratike do të ndjekë në periudhën e ardhshme.
Ndryshimet nuk do të prekin të ashtuquajturin “Neni Basha”, i cili parashikon kufizime për drejtuesit që humbasin zgjedhjet, si dhe mekanizmin e Primareve për përzgjedhjen e kandidatëve.
Kuvendi i këtij viti ka në qendër konceptin e “Ripërtëritjes”, një mesazh që lidhet me procesin e reformimit dhe modernizimit të partisë.
Sipas agjendës, Gazment Bardhi do të prezantojë ndryshimet statutore të miratuara më herët nga Kryesia e PD-së.
Gjatë punimeve do të prezantohen gjithashtu dy platforma të reja. Njëra lidhet me procesin e digjitalizimit të partisë, ndërsa tjetra synon angazhimin dhe përfshirjen më të madhe të diasporës në aktivitetin politik të demokratëve.
Në përfundim, delegatët do të votojnë për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar, duke zgjedhur mes kandidatëve të propozuar nga kryetari, kryesia, degët e partisë dhe anëtarët më të votuar të Këshillit Kombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje