Politike

Patozi: Synojmë të jemi përcaktues në qeverisje, nuk ka rëndësi me Bashën apo Ramën

Nga Nevila Perndoj - Astrit Patozin nuk është e lehtë ta takosh këto ditë fushate. Përpos gatishmërisë së tij të madhe për t’ju përgjigjur interesit të medias, Patozin e gjen me një axhendë të ngjeshur takimesh sa në zyrat e Bindjes Demokratike tek ish-Blloku në Tiranë, aq edhe nëpër rrethe, kur ndryshe nga dy vite më parë, kjo forcë politike po shkon në zgjedhje shumë më e strukturuar.

Sepse Astrit Patozi synon të paktën dy mandate deputeti këto zgjedhje.

Me shumëkënd ai ka bast politik se rezultati i Bindjes Demokratike do të jetë më i madh, për një qëllim të vetëm: Të jetë forcë përcaktuese në qeverisjen e ardhshme.

Nuk ka rëndësi për të nëse do të jetë Rama apo Basha pas 25 Prillit.

Nuk do ta kushtëzojë votën as me emrat konkret, ndryshe nga Topalli. Për Patozin ka rëndësi sistemi. Nga aty, sipas tij, duhet të fillojë edhe ndryshimi.

Patozi thotë në një intervistë për Gazetasi.al se ai ka një projekt konkret; Për fillimin e ndryshimit në thelb dhe jo thjesht për ndërrimin e pushteteve në vend.

Cilit elektorat i drejtohet Bindja Demokratike, i djathtë, i majtë i pavendosur, kujt?

Ne nuk i ndajmë shqiptarët dhe as nuk i ngjyrosim ata, në të majtë, të djathtë apo të qendrës.  

Ne i drejtohemi shqiptarëve të mençur, shqiptarëve të pakapur, mendjehapur të cilët duan ndryshim dhe jo thjesht ndërrim pushtetesh në Shqipëri.

Pra kjo është fasha që ne i drejtohemi kryesisht. Padyshim që mund të ketë edhe njerëz të tjerë, që kanë pasur angazhime të mëparshme politike, por që e pranojnë idenë tonë dhe jo thjesht lidershipin tonë.

Pse një i djathtë duhet t’ju votojë juve, ju keni qenë më herët pjesë e lidershipit të partisë, (edhe kur PD-ja ishte në pushtet), edhe pse jo e ekipit qeverisës?

Së pari; Kur themi një i djathtë nuk është patjetër një anëtar i PD-së.

Së dyti; Edhe brenda PD-së nuk janë gjithë tru shpëlarë që vetëm dëgjojnë udhëheqësin dhe nuk kanë mendjen e tyre. Edhe në PD ka plot njerëz që janë mëndje hapur të cilët kërkojnë argumente dhe arsye për të arritur ndryshimin sepse nuk është qëllim në vetvete ngritja e një personi dhe rrëzimi i një tjetri siç po e trajtojnë këta.

Këta po e trajtojnë çështjen sikur të gjithë shqiptarët kanë hall që të rrëzojnë një person dhe të sjellin një tjetër. Por nuk është ky qëllimi.

Qëllimi është si ta bëjnë më të mirë jetën e tyre, si ta bëjnë vendin më të jetueshëm, si mos të emigrojnë e kështu me radhë...

Ne kemi një projekt dhe u themi që ndryshimi arrihet përmes nesh

Si arrihet?

Sepse nëse do të jemi forcë përcaktuese qeverisëse, ne do të vendosim kushtet tona që do të jenë të mjaftueshme për ta filluar ndryshimin. Kaq e thjesht është...

Kjo është një thirrje për të gjithë, për çdo shqiptarë mendjehapur, të pakapur dhe të pa implikuar në korrupsionin apo ndryshkun e politikës

E njëjtë thirrja edhe për të pavendosurit?

Ata janë një target më i lehtë për tu arritur sepse janë njerëz pa implikime dhe janë njerëz që mendojnë më shumë me kokën e tyre dhe jo me kokën e udhëheqësit. Dhe këta janë sigurisht, mundësia më e madhe që ne të na votojnë dhe të na mbështesin këto zgjedhje.

Pse dikush duhet t’ju besoje juve kur ju nuk jeni bërë bashkë katër mendje, me saktë katër figura të larguar nga PD-ja secili me parti më vete, si Murrizi, Hajdari dhe Topalli?

Shyqyr që jemi të ndryshëm sepse po të mendonim të gjithë njësoj do të ishim tek partitë staliniste të PS dhe PD...

Atëherë pse jo në një koalicion bashkë?

Për dy arsye. Së pari; Ne kemi një lloj koalicioni taktik sot, pra  një lloj marrëveshje apo bashkëpunimi taktik që mund ta mbështesim apo mund të mos i prishim punë njeri tjetrit në qarqe të veçanta. Pse nuk jemi ne në një koalicion? Nuk jemi për të njëjtat arsye ndoshta që edhe PD-ja dhe LSI nuk janë, sepse Kodi Zgjedhor është një lloj kurthi që t’i pengojë sidomos partitë e reja që të rrinë në koalicion.

Pra është çështje taktike?

Po është thjesht çështje taktike sepse Kodi Zgjedhor është ndërtuar në mënyrë të tillë qëllimisht.

Edi Rama donte që të mos kishte koalicion. Ia arriti qëllimit dhe ja ku jemi sot. Por ne kjo nuk ka pengon dhe nuk na tremb. Sepse shqiptarët do të gjejnë derën që kanë më afër, kaq.

Çfarë përgjigje keni ju për PD-në dhe shumëkënd që e mbështet atë forcë politike, që thotë se Patozi po na dëmton e po na merr njerëz, sepse praktikisht ju këtë gjë po bëni po i merrni njerëz me mbështetje lokale të konsiderueshme PD-së?

Kjo është një pikëpamje e para staliniste dhe e dyta e kalbur, sepse vetëm në Shqipëri ndodh që një partie tjetër i thuhet se po na prish punë, apo po na ndreq punë.

Mua nuk më intereson fare se kujt i prish dhe kujt i ndreq punë, sepse ne kemi një projekt politik tonin dhe është njësoj si një skuadër futbolli që hyn në mes të dy ekipeve të mëdha dhe njërës i prish punë dhe tjetrën e dëmton dhe thonë: “po kjo ç’do këtu”. Por është pjesë e kampionatit. Ne jemi për interesat tona në garë. Ndaj dhe nuk me intereson se kujt i prishim apo kujt i ndreqim punë. Këta e mendojnë opozitën si një lloj prone që po i hyn dikush në pjesë, por nuk ka hipotekë për opozitën. Opozita është qëndrim që një njeri, individ apo një forcë e caktuar mban në raport me publikun dhe qeverinë

Juve kujt do t’ia drejtoni kushtet nëse do të jenë forcë përcaktuese për qeverisjen e ardhshme, atij që do të dalë i pari si forcë politike apo koalicionit të parë?

Nuk merrem fare me këtë temë sepse jam i fokusuar që ne të marrim mbështetje maksimale, pra unë mendoj sot 25 Prillin. Kjo që thoni ju është një vendim i datës 26 apo 27 Prill kur të lexohet verdikti i sovranit.

Atë ditë do të kemi një qëndrim tjetër, por thashë që aspirata jonë është që të jemi forcë përcaktuese qeverisëse sepse duke qenë brenda institucioneve ti sigurisht e ke më të lehtë që t’i arrish objektivat e tua.

A e kushtëzon bashkëpunimin tuaj largimi i Bashës apo Ramës siç po e trumbeton Jozefina Topalli në anën tjetër?

Jo jo. Nuk merrem me emra sepse unë mendoj që kjo nuk është çështje personash, por është çështje sistemi, pra ne duam që të ndryshojmë mënyrën se si funksionon sistemi. As heqim dhe as vëmë njeri sepse çdo parti ka legjitimitet për të zgjedhur  kryetarin ashtu siç edhe ne nuk na e imponon njeri të zgjedhim kryetarin tonë

Sa ka ndryshuar PD-ja nga koha që jeni larguar?

Po pati ndryshuar mirë i bëhet vendit, por unë personalisht nuk e shoh këtë gjë. Ndoshta unë jam subjektiv dhe kam pasur një histori të gjatë me atë parti... qofsha unë i gabuar.

Mund t’ju shohim në një të ardhme të shkrirë me PD sepse ka ndodhur më herët kjo gjë, nuk është diçka e pamenduar apo e paprovuar?

Pse duhet të mendojmë për shkrirjen ndërkohë që nuk kemi arritur ngrirjen. Të marrim njëherë produktin dhe rezultatin, të tregojmë se çfarë jemi dhe pastaj sigurisht që do të marrim vendime të tjera, por do i marrim bashkërisht dhe nuk do i marr vetëm unë siç merren nga këto partitë e vjetra që një person vendos edhe listën edhe qeverinë...

Kështu ka ndodhur edhe kur keni qenë ju në parti (PD) më parë!?

Jo jo. Nuk ka ndodhur kështu. Nuk them që kryetari nuk ka pasur rol në vendimmarrje sepse kjo është edhe me statut edhe praktike botërore, por nuk ka ndodhur kurrë që kryetari i partisë të ketë qenë vendimmarrësi i vetëm pavarësisht se çfarë perceptimi kishte për Sali Berishën apo për dikë tjetër...

Pse i shikoni si vendimtare këto zgjedhje për karrierën tuaj sepse kam dëgjuar nga ju që nëse nuk arrij rezultatin që synoj,  jap dorëheqjen nga politike? Fundja ju i keni provuar të dyja...

E kam thënë sepse jam pyetur për këtë çështje. Por unë nuk jam si këta udhëheqësit e lavdishëm që nuk humbasin kurrë. Këta të tre po t’i pyesësh thonë që nuk e mendojmë humbjen. Unë nuk i përkas këtyre, sepse të tre nuk mund të fitojnë dot ose dy ose njeri prej tyre do humbasë.

Kurse unë them në politikë njeriu edhe humbet. Unë e kam provuar edhe personalisht një gjë të tillë, pra edhe humbjen edhe fitoren dhe e di se çfarë do të thotë.

Por kur një politikan humbet merr vendimet e tij dhe vendimi më i mirë kur ti nuk arrin objektivat politike është që t’ia lësh radhën dikujt tjetër dhe kjo është një praktike që duhet të vendoset një ditë në Shqipëri.

Cili është objektivi politik i Astrit Patozit?

Që ne të jemi forcë parlamentare. Ky është objektivi politik i Bindjes Demokratike, por edhe Astrit Patozit. Nuk është qëllimi im që Astrit Patozi të futet në Kuvend, por Bindja Demokratike të jetë forcë parlamentare. Dhe jam i sigurt që kjo do të arrihet. Po u arritën të dyja këto pastaj është akoma më mirë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë